Florian Marku: Ne luftojmë çdo ditë

Boksi

Florian Marku: Ne luftojmë çdo ditë

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 12:20
Florian Marku: Ne luftojmë çdo ditë

Boksieri shqiptar Florian Marku, kampion bote në peshën “welter” në kategorinë IBF International, ka zhvilluar një intervistë për “Sky Sports”, ku ka rrëfyer gjithçka për veten dhe të ardhmen e tij. I pamposhtur ende në karrierën e tij (11 fitore e 1 barazim), Marku ka deklaruar se do të përballet me këdo që do ta afrojë edhe më shumë me titullin kampion bote.

Ndaj kujtdo dhe kudo. Florian Marku synon të ngjitë shkallët e këtij Divizioni, ndërkohë që në duelin e fundit ai mposhti me “KO teknik” britanikun Chris Jenkins në vetëm katër raunde, për të mbrotjur titullin e kategorisë IBF International. Tashmë Marku është në kërkim të duelit e rivalit të radhës, atij “që do të më sjellë më shpejt në një titull botëror“.

Nuk më intereson se kë boksier do të me sjellin përballë. Ne luftojmë çdo ditë, stërvitemi çdo ditë, për ne është si të pimë një kafe. Unë mund të dueloj ndaj kujdo që do të më sjellin në ring. Sigurisht që ka emra të mirë në kategorinë e peshës “welter”. Gjithsesi, këdo që të më sjellin, unë do të luftoj ndaj tij“, u shpreh Marku.

Një objektiv tërheqës për të do të ishte Chris Kongo, një luftëtar i fortë, i cili në fillim të këtij muaji mundi Sebastian Formella, pretendenti gjerman që ka luftuar me Conor Benn dhe Shawn Porter më parë. “Nëse më paguajnë mirë, sigurisht që do të përballem me Kongon. Nëse shpërblimi financiar do të jetë i mirë, le të më sjellin edhe nga dy boskierë njëherazi. Nuk më intereson. Nuk më intereson vërtet. Unë dua të siguroj të ardhmen e familjes time dhe të jem kampion bote”, tha Marku.

Duke folur për rivalët e tjerë, Marku shton: “Conor Benn po paraqitet shumë mirë. Luftime të shkëlqyera, ai ka bërë punë të shkëlqyer. Sigurisht që do të doja të luftoja me të, por ai dëshiron të më shmangë dhe nuk dua ta diskutoj atë. Gjithsesi, le të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja”.

“Jam i kënaqur me rezultatet e mia. Unë jam i ri në këtë sport, ju e dini. Kam qenë një kikboksier dhe boksi është pak më ndryshe. Gjithsesi, jam duke u përmirësuar shumë dhe kam shumë më tepër për t’u treguar njerëzve”, u shpreh Marku, që rrëfehet edhe për ëndrrat e tij.

Ai është afër realizimit të një ëndrre fëmijërie. Marku dëshiron të boksojë në stadiumin kombëtar në Shqipëri. Ekipi i tij po punon për ta bërë këtë një mundësi realiste. “Në Shqipëri, ndoshta në fund të gushtit, do të ishte një sfidë e madhe. Kjo ishte ëndrra ime që kur isha fëmijë. Do të jenë rreth 26,000 njerëz atje dhe nuk mund të pres. Nëse kjo ndodh, është diçka e pabesueshme dhe të gjithë shqiptarët do të jenë atje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat