Historia e tigrave të Mike Tysonit

Boksi

Historia e tigrave të Mike Tysonit

Më: 9 gusht 2022 Në ora: 15:47
Mike Tysoni

Mike Tyson njihet për bëmat e tij të mëdha në ring, por ai gjithashtu ka befasuar me sjelljet e tij jashtë sportit. Një nga boksierët më të mirë të historisë i çuditi të gjithë kur vendosi të blinte tre tigra, që i mbante në rezidencën e tij në Las Vegas.

Kenia, Storm dhe Boris, siç i quajti Tyson, u adoptuan pasi boksieri u lirua nga burgu ku vuajti dënimin për abuzim seksual me një vajzë 18-vjeçare.

Vetë Tyson e tregoi historinë për podcastin e “Hotboxin”: “Isha në burg dhe duke folur me një nga miqtë e mi, ai më tha se një shoku i tij i kishte borxh para: “Nëse nuk më jep paratë, do të marr disa nga makinat dhe do t’i ndërroj me kafshë.” i thashë: Çfarë kafshësh? Ai tha: “Kuaj dhe gjëra të tjera. Majk, ata kanë gjithashtu disa tigra dhe luanë të bukur.”

Kjo bisedë ishte fillimi i blerjes së kafshëve ekzotike: “I thashë: Pse nuk më porosit nja dy? Do të dal nga burgu pas nja dy muajsh. Kështu që kur u ktheva në shtëpi, kisha dy këlyshë tigri”.

Boksieri rrëfeu gjithashtu se kishte guxuar të flinte me tigrat, diçka shumë e rrezikshme, por jo për Majkun e asaj kohe: “Unë isha shumë idiot në atë kohë. Nuk ka asnjë mënyrë për t’i zbutur plotësisht këto mace të mëdha. Ato të vrasin rastësisht, nuk është se përpiqen ta bëjnë, e bëjnë rastësisht.”

Por tigrat ishin jetëshkurtër në pronën e Majkut për shkak të incidenteve të ndryshme. Boksierit iu desh t’u thoshte lamtumirë tigrave të parë të tij për shkak të një frike:

“Një herë, po i bëja një gjilpërë tetanozi dhe ai më kafshoi. U tremba. Më mbyllën plagën me shtatë qepje, kështu që vendosa t’i largoja.”

Ish-menaxheri i Mike Tysonit, Shelly Finkel, zbulon anekdotën më të çuditshme me tigrat e ish-boksierit

“Prona e Majkut në Las Vegas ishte midis dy shtëpive dhe në njërën anë jetonte një burrë që kishte dy qen. Majku vendosi të bënte një shëtitje me një nga tigrat, që e pa qenin dhe u ngjit në mur për ta ngrënë”, – shpjegoi menaxheri. – “Burri po shikonte nga dritarja, duke parë sesi tigri po përpiqej të hante qenin e tij dhe Majku ndërkohë po përpiqej ta shtynte poshtë. Në fund, Majku ia doli ta shpëtonte qenin”, – shpjegoi Shelly.

Por historia nuk mbaron me kaq, sepse ish-menaxheri Tyson shpjegoi se në mbrëmje kishte marrë një telefonatë: “Tyson më telefonoi dhe më tha: “Shoqëria Amerikane për Parandalimin e Mizorisë ndaj Kafshëve ka ardhur në shtëpinë time sepse nuk mund t’i mbaj tigrat në robëri. Si e morën vesh?”, pyeti Tyson. Unë  i thashë: “Si e kanë zbuluar? Fqinji yt pa njërin prej tigrave të tu që kërceu mbi mur për të ngrënë qenin.”

Tigresha e tretë, Kenia, jetoi më gjatë në rezidencën e Las Vegasit, por qëndrimi i saj nuk zgjati shumë, pasi i këputi krahun një personi që hyri fshehurazi në pronë. Mike Tyson mori vendimin për të kompensuar viktimën me 250 mijë dollarë dhe e largoi edhe tigrin e vetëm që i kishte mbetur në atë kohë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat