Flamurtari konteston titullin e Vllaznisë

Boksi

Flamurtari konteston titullin e Vllaznisë

Më: 7 tetor 2025 Në ora: 18:56
Flamurtari

Flamurtari në boks konteston titullin kampion të Vllaznisë në kampionatin kombëtar 2025, event i zhvilluar gjatë fundjavës së kaluar në Vlorë.

Një titull i ndarë me diferenca shumë të ngushta mes shkodranëve dhe Flamurtarit, i vendosur vetëm nga boksierët e vendeve të treta, pasi Vllaznia dhe vlonjatët kishin numër të barabartë kampionësh dhe nënkampionësh.

Por, në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Flamurtarit, Gëzim Zeneli, thotë se gjykimi nuk ishte i drejt në peshat 65 kg dhe 55 kg. “Titulli i fituar nga Vllaznia është i kontestuar nga ana jonë.

Flamurtari do të ishte kampion i sigurt nëse do të ishin gjykimet e drejta tek pesha 65 kg e Ibrahim Mezanit dhe në peshën 55 kg të Kristjan Koços.

Nëse këto dy ndeshje nuk do të ishin humbur padrejtësisht ne do te ishim kampion të sigurt. Ne ishim ekip me lojtarë ‘bio’, të tjerët i kishin të blerë.

Megjithatë unë them se Flamurtari shkroi një tjetër faqe të artë në historinë e sportit shqiptar. Pas një përballjeje epike me Vllazninë, djemtë tanë dolën në barazim, por treguan se zemra, pasioni dhe karakteri janë më të forta se çdo rezultat.

Ata janë kampion të merituar! Emanuel Koço, Ariol Zeneli dhe Renaldo Bixhga janë emra që tashmë janë sinonim i fitores dhe shpirtit vlonjat. Jurgen Tahiri dhe Kristian Koço, luftuan deri në fund me vendosmëri e klas. Ibrahim Mezani, që tregoi se çdo goditje ka zemrën e një kampioni.

Mbi të gjitha, Ariol Zeneli u shpall boksieri më i mirë i aktivitetit, duke i dhënë edhe më shumë shkëlqim kësaj performance madhështore.

Unë besoj se në këtë kampionat Flamurtari tronditi Shqipërinë me paraqitjen që bëri duke i treguar të gjithë sportit shqiptar se çfarë do të thotë talent, punë dhe shpirt kampioni. Boksierët tanë kanë pasion dhe do të vazhdojnë që ta bëjnë këtë sport me dashuri për të lartësuar emrin e Flamurtarit dhe Vlorës.

Ata do të vazhdojnë që të bëjnë histori si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare duke sjell të tjerë trofe në Vlorë. Këto gjëra na bëjnë edhe të fortë për të luftuar dhe për të ecur përpara”, deklaron trajneri Zeneli.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat