Ish-kampioni i dyfishtë i botës në artet marciale mikse, irlandezi Conor McGregor, mbajti një fjalim emocional gjatë një konference për shtyp të kampionatit të luftimit Bare Knuckle (BKFC) në Itali, duke zbuluar se ai ka pësuar një transformim të thellë personal dhe shpirtëror.
Duke folur publikisht për herë të parë që nga marrja e një pezullimi 18-mujor për mungesë në testet antidoping vitin e kaluar, McGregor e përshkroi vitin e kaluar si një nga më të vështirët e jetës së tij. Por, për të mbetet një vit që në fund e solli më afër besimit dhe familjes.
“The Notorius” tha se vështirësitë e tij të fundit e çuan drejt besimit, gjë që e ndihmoi të shërohej mendërisht dhe shpirtërisht. “Nuk jam këtu rastësisht. Ekziston një fuqi më e lartë, Zoti, që dikton udhëtimin tim dhe të gjitha udhëtimet tona. Dhe unë jetoj jetën time sipas fjalës së Zotit tani. Jam i shpëtuar. Jam i shëruar“, tha McGregor.
Superylli i UFC-së theksoi se një fuqi më e lartë e udhëhoqi atë përmes dhimbjes dhe sfidave personale, duke i dhënë forcë për të rindërtuar veten si sportist dhe si person. McGregor tha se zjarri i tij konkurrues është rindezur më fort se kurrë.
“Shkëndija ime konkurruese, që dikur ishte një flakë e vogël, tani është një flakë e fortë.
Kam hyrë brenda vetes, kam gjetur veten përsëri dhe jam gati të tregoj se çfarë jam”, u shpreh irlandezi, që falënderoi bashkëshorten dhe fëmijëve të tij që e mbajtën të motivuar dhe të qëndrueshëm gjatë gjithë udhëtimit të tij të rimëkëmbjes.