Enver Idrizi për vdekjen e legjendës: Me zemër të thyer dhe me shpirt të rënduar 

Boksi

Enver Idrizi për vdekjen e legjendës: Me zemër të thyer dhe me shpirt të rënduar 

Nga: K.G. Më: 10 dhjetor 2025 Në ora: 11:36
Nazif Gashi e Enver Idrizi

Legjenda e karatesë botërore, Enver Idrizi, është i tronditur me ikjen në amshim të emrit të madh të boksit të Kosovës. Nazif Gashi.

Enver Idrizi tha se Kosova mbetet pa legjendë që dridhi ringje ish jugosllave, por veprat e tij gjithmonë do të janë të pranishme në mes nesh.  

“Lamtumirë kampion, kujtimi yt do të jetojë përjetë!

Me zemër të thyer dhe me shpirt të rënduar nga kjo humbje e madhe, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij të ngushtë, miqtë, shokët dhe gjithë sportdashësit që e deshën dhe e nderuan.

Lajmi i ndarjes së tij nga jeta na tronditi të gjithëve, na nxori lot dhe dhimbje të thellë, sepse me largimin e tij u shua një yll i sportit shqiptar – por jo kujtimi, jo vepra, jo trashëgimia që ai la pas.

Nazif Gashi nuk ishte vetëm një boksier i madh, ai ishte zemra e një brezi të tërë. Kampion pesë herë i ish-Jugosllavisë, përfaqësues dinjitoz i ringut, fitues i shumë garave prestigjioze, trajner që i dha Kosovës krenari, dhe mbi të gjitha një njeri me karakter të paçmuar, fisnik dhe të plotë.

Kontributi i tij në sport do të nderohet brez pas brezi. Ai u nda fizikisht nga ne, por shpirti i tij mbetet gjallë në çdo zemër që e ka dashur, në çdo ring ku dëgjohet zëri i suksesit, në çdo histori që do të vazhdojë të tregojë për të.

Qofsh i paharruar, Nazif. Shpirti të pastë dritën e përjetësisë. Kujtimi yt do të jetojë si një flamur nderi, si një shembull force dhe mirësie.

Me shumë mall dhe respekt”, - shpreh ngushëllime legjenda e karatesë Botërore, Enver Idrizi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat