Shqiptari i madh i Kosovës që dridhte ringjet ish jugosllave, mbylli sytë përgjithmonë! Reagojnë emrat e mëdhenj

Boksi

Shqiptari i madh i Kosovës që dridhte ringjet ish jugosllave, mbylli sytë përgjithmonë! Reagojnë emrat e mëdhenj

Nga: K.Goca Më: 10 dhjetor 2025 Në ora: 17:18
Nazif Gashi

Legjenda e boksit të Kosovës, Nazif Gashi mbylli sytë përgjithmonë, por veprat e tij gjithmonë do të jenë në mes nesh!

Emri i madh i sportit të Kosovës, pas një sëmundje të shkurtër, ikë në amshim në moshën 74 – vjeçare.

Sportisti i madh e frymëzues për brezat të rinj.

Si boksier mbahet mend për teknikën dhe shpejtësinë e tij që dridhte ringjet ish jugosllave, serbët fort ia kishin frikën, ndërsa flitet edhe sot me krenari nga gjeneratat e vjetra kur e poshtëroi në ring kampionin e Evropës,

Marjan Benesh, ky i fundit ish idhull për ish jugosllavët.

Kjo ndodhi në vitin 1974.

Emrat e mëdhenj të boksit dhe sportit reagojnë me ikjen e tij në amshim të emrit të madh dhe pas luftës ishte edhe selektor i kombëtares së Kosovës në boks.

“Lamtumir shoku im Nazif Gashi, prehu në paqe”, - reagon Mehmet Bogujevci kapiteni i gjeneratës së artë të klubit të boksit Prishtinës, pesë herë kampionë dhe gjashtë nënkampionë i ish Jugosllavisë.

Ndryshe Bogujevci ka qenë edhe nënkampion i botës në boksin amator në vitin 1978.

Fituesi i medaljes së bronztë olimpike në vitin 1984, legjenda e boksit Aziz Salihu, shprehet me zemër të thyer:

“Ndërron jetë Nazif Gashi, legjenda e boksit shqiptar

Ngushëllimet me të sinqerta familjes Gashi dhe gjithë Kosovës”.

“Me pikëllim e mora lajmin që na paska lënë legjenda e boksit Nazif Gashi! Ngushëllime familjes dhe mbarë shoqërisë! Prehu ne paqe shok!”, reagon legjenda e boksit Afrim Majanci.

“Nazif Gashi nuk ishte vetëm një emër i madh i boksit shqiptar, por edhe shoku im, pjesë e gjeneratës sonë të artë. Bashkë kemi kaluar sfida, stërvitje dhe momente që na formuan si sportistë dhe si njerëz.

Ai u dallua për fuqinë e tij të jashtëzakonshme, disiplinën dhe karakterin e pathyeshëm që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës së tij.

Këtë verë pata rastin ta takoj në Velipojë, ku pashë të njëjtin njeri të thjeshtë, të urtë dhe plot respekt, ashtu si dikur. Ishte takim që më riktheu kujtimet më të bukura të ringut dhe miqësisë sonë.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta më trishtoi thellë. Nazifi do të mbetet gjithmonë kampion – jo vetëm në sport, por edhe në zemrat tona.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi.

U prehtë në paqe!”, ka shkruan me zemër të thyer legjenda e boksit, Muharrem Gjocaj. 

“Ngushëllime komunitetit të boksit dhe sportit. Prehu në paqe legjenda e Kosovës, Nazif Gashi”, shprehet legjendat e boksit Zahir Shabani.

Kampioni olimpik në vitin 1984 dhe nënkampioni olimpik në vitin 1988, Shaban Tërstena, legjenda e mundjes, është i pikëlluar thellë me ikjen në amshim të Nazif Gashit. 

“Sot u nda nga jeta një sportist, një emër që la gjurmë në historinë e boksit  legjendari Nazif Gashi. Ai ishte pjesë e gjeneratës së artë që e nderoi sportin dhe kombin e tij.

Veprat, fitoret, medaljet dhe sukseset e tij e bëjnë të pavdekshëm shpirtin e tij sportiv.

Lamtumirë kampion, përjetë do të kujtohesh për atë që dhe për atë që ishe.

Zoti të shpërbleftë me parajsë”, ka shkruar Tërstena.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës,  Hajrulla Çeku, i shpreh ngushëllime boksit dhe sportit në përgjithësi të Kosovës.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Nazif Gashit, boksierit të gjeneratës së artë të KB Prishtina dhe një sportisti që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e boksit kosovar.

Nazifi ishte shembull i përkushtimit, guximit dhe disiplinës, frymëzim për gjenerata të tëra sportistësh. 

Gjatë karrierës së tij, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm për sukseset e KB Prishtina, duke ndihmuar klubin të fitonte pesë tituj të ish-Jugosllavisë në vitet ’70 dhe ’80. Ky kontribut në zhvillimin dhe afirmimin e boksit në vend mbetet i çmuar dhe do të kujtohet gjithmonë me respekt.

Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për sportin kosovar dhe lë një boshllëk të pazëvendësueshëm në komunitetin tonë sportiv.

Në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, Federatës së Boksit të Kosovës dhe klubit KB Prishtina. Kujtimi për Nazif Gashin qoftë i përjetshëm”, ka shkruar Hajrulla Çeku.

Legjenda e karatesë botërore, Enver Idrizi, është i tronditur me ikjen në amshim të Nazif Gashit.

“Lamtumirë kampion, kujtimi yt do të jetojë përjetë!

Me zemër të thyer dhe me shpirt të rënduar nga kjo humbje e madhe, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij të ngushtë, miqtë, shokët dhe gjithë sportdashësit që e deshën dhe e nderuan.

Lajmi i ndarjes së tij nga jeta na tronditi të gjithëve, na nxori lot dhe dhimbje të thellë, sepse me largimin e tij u shua një yll i sportit shqiptar – por jo kujtimi, jo vepra, jo trashëgimia që ai la pas.

Nazif Gashi nuk ishte vetëm një boksier i madh, ai ishte zemra e një brezi të tërë. Kampion pesë herë i ish-Jugosllavisë, përfaqësues dinjitoz i ringut, fitues i shumë garave prestigjioze, trajner që i dha Kosovës krenari, dhe mbi të gjitha një njeri me karakter të paçmuar, fisnik dhe të plotë.

Kontributi i tij në sport do të nderohet brez pas brezi. Ai u nda fizikisht nga ne, por shpirti i tij mbetet gjallë në çdo zemër që e ka dashur, në çdo ring ku dëgjohet zëri i suksesit, në çdo histori që do të vazhdojë të tregojë për të.

Qofsh i paharruar, Nazif. Shpirti të pastë dritën e përjetësisë.

Kujtimi yt do të jetojë si një flamur nderi, si një shembull force dhe mirësie.

Me shumë mall dhe respekt”, - shpreh Idrizi.

“Lamtumirë legjendë e boksit prehu në paqe”, ka shkruar legjenda e boksit Agim Tahiraj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat