E përfolur në gjithë botën për çështjen e gjinisë, boksierja e njohur befason

Boksi

E përfolur në gjithë botën për çështjen e gjinisë, boksierja e njohur befason

Më: 16 maj 2026 Në ora: 14:42
Imane Khelif

Boksierja e njohur dhe kampionia olimpike, Imane Khelif, ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Ajo është paraqitur në premierën e filmit “Naked Notes” në Festivalin e Filmit në Kanë.

Në tapetin e kuq, algjeriania u shfaq me një krijim elegant nga Chanel, duke zgjedhur një stil minimalist, por të rafinuar.

Veshja e saj përfshinte një kostum të thjeshtë të kombinuar me një këmishë të bardhë, një lule dekorative në xhaketë dhe aksesorë diskretë. Veshjen e kishte kombinuar me këpucë lëkure të zeza dhe vathë të thjeshtë.

Nga ana tjetër, flokët i kishte të lidhura bisht, duke ruajtur një pamje klasike dhe moderne njëkohësisht.

Paraqitja e saj është pritur pozitivisht nga fansat, të cilët kanë komentuar gjerësisht në rrjete sociale me vlerësime si “shumë elegante”, “si një divë” dhe “shumë e bukur”.

Sipas stilistëve, detaji me lulen i jep veshjes një prekje të modës së lartë dhe sjell një frymë teatrale të frymëzuar nga estetika e viteve ’80.

Megjithatë, Khelif mbetet një figurë e përfolur në opinionin publik ndërkombëtar për shkak të polemikave të mëparshme lidhur me kriteret e pranimit në garat e boksit dhe diskutimeve mbi gjininë e saj.

Vetë sportistja ka deklaruar më herët se nuk është person transgjinor dhe se ka ndjekur trajtime hormonale në kuadër të rregullave sportive për të ulur nivelin e testosteronit para Lojërave Olimpike të Parisit 2024.

Pavarësisht debatit që e ka shoqëruar në karrierë, Khelif vijon të jetë në qendër të vëmendjes si në sport ashtu edhe në evente ndërkombëtare të modës dhe kulturës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat