OKB: Vendet në zhvillim mund të humbasin një dekadë të tërë për shkak të pandemisë

Bota

OKB: Vendet në zhvillim mund të humbasin një dekadë të tërë për shkak të pandemisë

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 19:33
Selia e Bankës Botërore

Ministrat e financave të Grupit të 20-shes filluan të enjten një takim dyditor në Xhakarta të Indonezisë, mes një krize shkaktuar nga borxhi i lartë. Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar rritjen e borxhit tek vendet e varfra, duke u ulur kapacitetet për të ofruar shërbime bazë, si kujdesin shëndetësor dhe arsimin. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, sekretarja e përgjithshme e Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin thotë se vendet kreditore duhet të veprojnë urgjentisht në mënyrë që për vendet në zhvillim kjo periudhë të mos shndërrohet në një “dekadë të humbur”.

Plazhet e Sri Lankas tërhiqnin normalisht miliona turistë. Por ky burim të ardhurash u ndërpre nga pandemia. Ekonomia e vendit po vuan. Vlerave e bonove të thesarit ka rënë dhe ekonomistët i frikësohen falimentimit.

Dhe ky nuk është i vetmi vend. Sipas Bankës Botërore, pandemia e ka rritur borxhin global në nivelin më të lartë për mbi gjysëm shekulli.

Nivelet e borxhit ishin të larta edhe më parë, por pandemia i ka goditur rëndë vendet në zhvillim, i tha Zërit të Amerikës Rebeca Grynspan, sekretare e përgjithshme e Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin.

“Ata vazhdojnë ta shtojnë borxhin dhe fitimet nga eksporti nuk mjaftojnë për ta shlyer. Pra, kjo situatë është vërtet dramatike për shumë nga këto vende”, tha zonja Grynspan.

Shifrat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se në rrezik falimentimi janë vende si Etiopia, Tunizia, Argjentina, El Salvadori, Ghana, Republika e Kongos, Taxhikistani dhe Mozambiku.

Disa vende të tjera, si Libani, Surinami, Venezuela dhe Zambia, e kanë shpallur tashmë pamundësinë e shlyerjes së borxhit kombëtar.

Shumë vende në zhvillim morën borxhe gjatë pandemisë. Ata tashmë kanë për të bërë pagesa të mëdha, në nivelin prej 35 miliardë dollarësh për vitin 2022, një rritje me 45% nga viti i kaluar. Pothuajse gjysma e këtyre huave janë dhënë nga Kina. Ndërkaq kanë rënë parashikimet për rritjen ekonomike.

“Për herë të parë, niveli i rritjes së vendeve në zhvillim është më i ulët se niveli i rritjes në vendet e zhvilluara. Pra, nga këndvështrimi i qëndrueshmërisë, situata ku ndodhemi është me rrezik të lartë”, thotë zonja Grynspan.

Grupi i 20-shes, ku marrin pjesë vendet më të pasura dhe vende në zhvillim, pezulloi pagesat e disa borxheve gjatë pandemisë.

“Është veprim në drejtimin e duhur, por ka dy probleme. E para, fakti që është një pezullim. Pra vendet duhet të rifillojnë pagesat në qershor të këtij viti ndërsa kriza nuk ka përfunduar. Dhe efekti për menaxhimin e borxhit total të vendeve në zhvillim është shumë i vogël”, thotë zonja Grynspan.

G-20 ka propozuar edhe një program për uljen e borxhit, por deri më tani vetëm tre vende kanë kërkuar ndihmë.

“Shumë vende nuk duan të kërkojnë ndihmë pasi do të ndëshkohen nga tregu. Nëse kjo ndodh, ato humbasin qasjen tek tregu privat i bonove dhe mundësia për t’u vetëfinancuar do të dëmtohet”, thotë zonja Grynspan.

Paralajmërimi për një krizë borxhi vjen ndërsa kostot e huamarrjes po rriten me shpejtësi. Bankat qendrore po rrisin normat e interesit për të ulur inflacionin. Zonja Grynspan thotë se vendet huadhënëse duhet të marrin urgjentisht masa për lehtësim të borxhit dhe për ndihma financiare. Në të kundërt, thotë ajo, kjo do të rezultojë në një “dekadë të humbur” për vendet në zhvillim./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat