Plani për fazën e dytë të luftës në Ukrainë përfshin edhe një shtet; Zelensky del me paralajmërimin e fortë

Bota

Plani për fazën e dytë të luftës në Ukrainë përfshin edhe një shtet; Zelensky del me paralajmërimin e fortë

Nga: BOTA SOT Më: 22 prill 2022 Në ora: 06:23 Përditësuar në ora: 23:36 më 22.04.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

E pranon Rusia: Një marinar i vdekur dhe gati 30 të zhdukur pas fundosjes së anijes Moskva

Një marinar vdiq dhe 27 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi kryqëzori raketor rus Moskva, u fundos javën e kaluar, ka cituar agjencia e lajmeve RIA të ketë thënë ministria ruse e mbrojtjes.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve tha gjithashtu se 396 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Humbja e anijes kryesore të Flotës së Zezë të Rusisë - ishte një pengesë poshtëruese për Moskën.

Rusia pretendon se anija u mbyt javën e kaluar pasi një zjarr shkaktoi një shpërthim municioni.

Ukraina thotë se e goditi anijen me raketa.

Menjëherë pas ngjarjes, Rusia tha se i gjithë ekuipazhi i anijes, e cila supozohej nga media të ishte rreth 500 persona, ishte shpëtuar.

Ajo nuk ka ofruar një shpjegim për raportet e saj kontradiktore.

​Zelensky: Nevojiten qindra miliarda dollarë për rindërtimin e Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se do të duhen qindra miliarda dollarë për të rindërtuar vendin e tij pas përfundimit të konfliktit me Rusinë.

Duke folur në një takim të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore në Uashington përmes një lidhjeje me video, Zelensky tha se vendit të tij i duhen rreth shtatë miliardë dollarë në muaj për të kompensuar humbjet ekonomike.

”Për më tepër, Ukrainës do t’i nevojiten qindra miliarda dollarë për të rindërtuar të gjitha këto”, tha Zelensky.

Zelensky tha se ushtria ruse po përpiqej të shkatërronte të gjitha objektet në Ukrainë që mund të shërbejnë si bazë ekonomike për jetesën, përfshirë stacionet hekurudhore, depot e ushqimit dhe rafineritë e naftës.

Udhëheqësi ukrainas tha se forcat ruse kishin shkatërruar tashmë infrastrukturën, shkollat, universitetet, spitalet dhe shtëpitë e panumërta në Ukrainë.

Drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva vlerësoi qeverinë në Kiev për arritjen e sigurimit të stabilitetit relativ makroekonomik nëpërmjet veprimeve të kujdesshme pavarësisht konfliktit.

”Sipas FMN-së, Ukraina do të ketë nevojë për një ndihmë prej rreth pesë miliardë dollarë në muaj gjatë dy deri në tre muajve të ardhshëm për të siguruar funksionimin e qeverisë dhe institucioneve të rëndësishme shtetërore”, tha ajo.

Zelensky paralajmëron: Putin nuk do të ndalet vetëm me Ukrainën

Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky, ka paralajmëruar se Ukraina është vetëm fillimi pasi Putin ka në plan të pushtojë edhe vende të tjera.

Duke iu referuar komenteve të bëra nga gjenerali rus Rustam Minnekayev të premten, Zelenskyy tha se është e qartë se Ukraina ishte vetëm fillimi.

Më herët, Minnekayev, zëvendës komandant i qarkut ushtarak qendror të Rusisë, tha se Moska kishte plane për të kapur të gjithë rajonin lindor të Donbasit.

Forcat më pas do të lidheshin me gadishullin e Krimesë dhe do të kapnin të gjithë jugun e Ukrainës, deri në një rajon separatist të Moldavisë të pushtuar nga Rusia.

Zelensky tha se këto komente e bëjnë të qartë se Rusia ka plane për të pushtuar vende të tjera dhe se Ukraina ishte vetëm një pikënisje.

Kryeministri italian hedh hapin e radhës kundër Rusisë, çfarë po planifikon?

Kryeministri italian, Mario Draghi, ka lajmëruar se po planifikon një vizitë në Kiev sa më shpejt të jetë e mundur, për një takim kokë më kokë me Presidentin Zelensky.

Konfirmimi i lajmit vjen nga “Palazzo Chigi” i cili nënvizon se kryeministri, aktualisht i izoluar në shtëpinë e tij në Citta della Pieve, në Umbria, për shkak të Covid, po shqyrton mundësinë e një udhëtimi institucional në Ukrainë.

Vizita mund të bëhet në javët e ardhshme, ndoshta në gjysmën e parë të majit.

Ndërkohë, qeveria italiane, do t’i dërgojë Kievit një ndihmë  prej 200 milionësh euro të tjera, krahas 110 milionëve të akorduara tashmë.

Gjithashtu kryeministri po shqyrton mundësinë e përgatitjes së një dekreti për furnizimin e Ukrainës me armë të rënda, shkruan Rai News.

Por, ambasadori rus në Itali, Sergey Razov, e ka kritikuar këtë ide duke thënë: Të dorëzosh armë në Kiev për mua është një logjikë e çuditshme. Kjo vetëm do të përkeqësojë marrëdhëniet dypalëshe midis Rusisë dhe Italisë.

Kurthi që lanë rusët pasi u larguan nga qytetet ukrainase, ja çfarë kanë futur në lodrat e fëmijëve

Ushtarët rusë duket se nuk janë larguar nga qytetet e Ukrainës pa lënë gjë mbrapa. 

Përveç varreve masive dhe torturave që u shkaktuan të vdekurve, ata kanë menduar dhe se si të marrin më shumë jetë ukrainasish madje pa qënë aty.

Një kukull e mbushur me eksploziv, një top me një vrimë të hapur në të cilin është vendosur një fitil me dinamit, një bombë artizanale në vend të një baterie telefoni lodër.

Rusët lanë pas mjete të reja vdekjeje, të maskuara duke synuar më të pambrojturit, fëmijët.

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar një galeri fotosh që dëshmojnë mizorinë e denoncuar nga Anton Gerashchenko, këshilltar i Ministrisë së Brendshme të Kievit, i cili publikoi në Telegram.

“Pushtuesit e dinë mirë se fëmija fillimisht do të marrë lodrën e tij kur të kthehet në shtëpi, bëni kujdes”, ka shkruar ai.

Tajvani ndihmon me 8 milionë dollarë Kievin

Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, njoftoi të premten një ndihmë prej 8 milionë dollarësh për kryeqytetin ukrainas, Kiev, gjatë një bisede me kryetarin e bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.

Sipas deklaratës, donacioni përfshin 3 milionë dollarë për qeverinë e Kievit dhe 5 milionë dollarë shtesë për gjashtë spitalet lokale. Kjo është hera e katërt që Tajvani dërgon donacion për vendin e shkatërruar nga lufta.

Gjatë video-telefonatës, Wu tha se pushtimi i Rusisë në Ukrainë jo vetëm që shkaktoi dëm të madh për popullin ukrainas, por kërcënoi gjithashtu rendet ndërkombëtare dhe komunitetin demokratik, shkruan CNN.

Ai shtoi se Tajvani dhe Ukraina janë partnerë që ndajnë ideologjinë demokratike dhe janë në ballë të pengimit të zgjerimit të totalitarizmit.

Klitschko falënderoi Wu për donacionin nga qeveria dhe populli tajvanez, duke thënë se “paqja mund të fillojë vetëm kur ushtari i fundit rus të largohet nga Ukraina”.

Rusia thotë se synon të marrë kontrollin e gjithë Ukrainës jugore dhe lindore

Një gjeneral i lartë rus tha se Moska synon të marrë nën kontroll të gjithë Ukrainën jugore dhe lindore, objektiva lufte shumë më të gjera nga sa kishte pranuar më parë.

Ukraina tha se komentet e tij vërtetonin se pretendimet e mëparshme të Rusisë se nuk ka ambicie territoriale, nuk janë të vërteta.

“Ata tani e thanë hapur”, tha ministria e mbrojtjes e Ukrainës në Twitter, duke shtuar se Rusia “e ka pranuar se synimi i ‘fazës së dytë’ të luftës nuk është fitorja mbi ‘nazistët’, por thjesht pushtimi i Ukrainës lindore dhe jugore”.

Agjencitë shtetërore ruse të lajmeve cituan zëvendëskomandantin e qarkut ushtarak qendror të Rusisë, gjeneralin Rustam Minnekayev të thoshte se Moska synonte të merrte Donbasin, ta lidhte me gadishullin e Krimesë dhe të merrte nën kontroll të gjithë jugun e Ukrainës deri tek një rajon separatist i Moldavisë i pushtuar nga Rusia.

Lajmin e plotë e gjeni KËTU

Lufta në Ukrainë, propozim për të rishikuar veton në Këshillin e Sigurimit

Dy ditë pasi Rusia filloi sulmin në Ukrainë, shumica e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së votuan për të kërkuar që Moska të tërhiqet. Por një vendim i tillë nuk mund të miratohej për shkak të vetos nga vetë Rusia.

Kjo ishte vetoja më e fundit pas disa dekadash ushtrimi të vetos - që nga çështja e Luftës Koreane dhe deri tek konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve apo ndryshimi klimatik - veto që kanë penguar punën e Këshillit të Sigurimit, i projektuar për të qenë komponenti më i fuqishëm i OKB-së. Sa herë është ushtruar vetoja nga 5 vendet e përhershme anëtare Kina, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca dhe Britania, ajo është pritur me pakënaqësi.

Secili prej këtyre pesë vendeve e ka ushtruar këtë fuqi gjatë viteve.

Propozimet për të ndryshuar strukturën e këshillit apo të drejtën e vetos kanë qarkulluar për mbi gjysmë shekulli. Por tani një përqasje e re duket se po fiton terren: parashtrimi i çështjeve të penguara nga vetoja përpara të gjitha vendeve anëtare të OKB-së.

Lajmin e plotë lexojeni KËTU

Papa Françesku heq dorë nga takimi me patriarkun ortodoks rus

Papa Françesku ka thënë se ka hequr dorë nga planet për t'u takuar në qershor me Patriarkun Ortodoks rus Kirill, një aleat i presidentit rus Vladimir Putin i cili ka mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë.

Ati i Shenjtë, i cili ka kritikuar disa herë në mënyrë të nënkuptuar Rusinë dhe presidetin rus për luftën, i tha në një intervistë gazetës argjentinase La Nacion se i vinte keq që plani duhej "pezulluar" sepse diplomatët e Vatikanit e kishin këshilluar se një takim i tillë "mund të shkaktonte shumë konfuzion në këtë moment."

Në Moskë, agjencia e lajmeve RIA citoi Mitropolitin Hilarion, një zyrtar i lartë i Kishës Ortodokse Ruse, të thoshte se takimi u shty sepse "ngjarjet e dy muajve të fundit" do të kishin krijuar shumë vështirësi në përgatitjen e tij.

Lajmin e plotë lexojeni KËTU

Pentagoni: Më shumë se 20 vende do të bisedojnë për Ukrainën

Pentagoni pret që më shumë se 20 vende të marrin pjesë, javën e ardhshme, në bisedimet për mbrojtje, të cilat do të fokusohen në Ukrainë. Nikoqir i bisedimeve do të jetë Gjermania dhe ato do të fokusohen pjesërisht në nevojat afatgjata të mbrojtjes së Kievit, tha Pentagoni të premten, më 22 prill.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, dukej se uli pritshmëritë nga shpallja e ndihmës afatgjatë në bisedimet e shpallura për të martën, më 26 prill, duke thënë:

“Ne nuk po hyjmë në këtë paraprakisht me një seri përfundimesh të përgatitura këtu”, raporton Reuters.

Kirby shtoi se rreth 40 vende janë ftuar në bisedimet, të cilat nuk organizohen nën kujdesin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), ndërkaq që përfshijnë edhe vende joanëtare të NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat