Hetuesit mjeko-ligjorë po ekzaminojnë 1084 trupa civilësh të gjetur në rajonin e Kievit pas tërheqjes së forcave ruse, sipas policisë. Andrii Nebytov, kreu i policisë për rajonin e Kievit, tha se trupat ishin ekzaminuar nga hetuesit mjeko-ligjorë pas rimarrjes së rajonit nga forcat ukrainase, raporton CNN, transmeton Bota sot.
“Aktualisht numri i trupave të pajetë është 1084, ata janë ekzaminuar nga hetuesit dhe janë dërguar në objektet e mjekësisë ligjore”, tha Nebytov.
"Bëhet fjalë për civilë që nuk kishin asnjë lidhje me mbrojtjen territoriale apo me formacione të tjera ushtarake. Shumica dërrmuese - midis 50 për qind dhe 75 për qind - janë njerëz të vrarë me armë të lehta - ose me mitraloz ose një pushkë snajper, në varësi të vendndodhjes", tha Nebytov.
Nebytov tha se më shumë se 300 trupa nuk janë identifikuar ende, duke shtuar: "Dëshiroj t'u bëj thirrje qytetarëve: na informoni për të njohurit dhe të afërmit tuaj që janë zhdukur dhe nuk janë në kontakt. Mos prisni".
Hetuesit në rajonin e Kievit dhe pjesë të tjera të Ukrainës, të hequra nga kontrolli rus, thanë se kanë gjetur prova të përhapura të vrasjes së civilëve nga forcat ruse.