​UNICEF: Mijëra fëmijë të traumatizuar ukrainas kanë nevojë për ndihmë

Bota

​UNICEF: Mijëra fëmijë të traumatizuar ukrainas kanë nevojë për ndihmë

Më: 8 maj 2022 Në ora: 00:14
Foto ilustrim

Mijëra fëmijë në Ukrainë kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike duke pasur parasysh përvojat traumatike të luftës, tha UNICEF.

”Sipas vlerësimeve të agjencisë së OKB-së për fëmijë, 4 000 deri në 6 000 profesionistë të psikologjisë së fëmijëve janë ende në vend dhe duhet bërë gjithçka për të siguruar pagat e tyre dhe për t’i mbështetur ata në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë punën”, u tha gazetarëve eksperti i UNICEF-it Aaron Greenberg.

”Rreth 91 000 fëmijë dhe të rinj që tashmë po kujdeseshin në strehimore para pushtimit rus më 24 shkurt, kanë nevojë për vëmendje të veçantë”, shtoi ai.

Shumë prej këtyre fëmijëve ndodhen në jetimore dhe në shtëpitë e fëmijëve për të rinjtë me aftësi të kufizuara, ndërsa rreth 35 000 u kthyen në familjet e tyre pas fillimit të sulmit, por ende kanë nevojë për mbështetje.

Sipas Greenberg, 56 ekipe po udhëtojnë në të gjithë vendin duke ofruar kujdes për fëmijët dhe familjet e tyre që kanë përjetuar trauma, përfshirë dhunën seksuale.

”Që nga fillimi i luftës, UNICEF-i ka ndihmuar në organizimin e ndihmës psiko-sociale për 145 000 fëmijë dhe adoleshentë”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat