LIVE: Putin nuk ndalon provokimet, bën lëvizjen e radhës – Ukraina me thirrje për udhëheqësit botërorë

Bota

LIVE: Putin nuk ndalon provokimet, bën lëvizjen e radhës – Ukraina me thirrje për udhëheqësit botërorë

Nga: Bota sot Më: 18 qershor 2022 Në ora: 06:09 Përditësuar në ora: 23:48 më 18.06.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Klitschko: Rusët po vdesin për ambiciet e Putinit

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se qytetarët rus përfundimisht do ta kuptojnë se ushtarët e tyre të rinj po vdesin për asgjë më shumë se ambiciet e presidentit rus Vladimir Putin.

Ish-kampioni botëror i boksit në peshat e rënda po merrte pjesë në funeralin e një aktivisti të njohur 24-vjeçar kundër korrupsionit kur u bënë komentet.

Ushtari vullnetar Roman Ratushny u vra në Izyum, në rajonin e Kharkiv, më 9 qershor, shkruan BBC.

Kryebashkiaku Klitschko, i cili fitoi fansas anembanë botës gjatë karrierës së tij të gjatë, tha se lideri rus po shkatërronte miliona jetë si në Ukrainë ashtu edhe në vendin e tij.

“Kjo është gjithashtu një tragjedi për rusët dhe për Federatën Ruse. Njerëzit nuk e kuptojnë këtë tani, por jam i sigurt se do ta kuptojnë shumë shpejt realitetin. Rusët vdesin – për çfarë? Ambicia e Putinit?”.

Kryebashkiaku ishte në mesin e qindra të pranishmëve që dolën për të nderuar zotin Ratushny – i cili u bë i njohur gjatë protestave pro-demokracisë në 2013 kundër ish-qeverisë ukrainase pro-Moskës.

Tre raketa ruse goditën depon e naftës në Ukrainën qendrore

Tre raketa ruse thuhet se kanë goditur një depo nafte në rajonin qendror të Dnipropetrovsk, thotë guvernatori rajonal.

Valentyn Reznichenko tha në Telegram se raketat shkatërruan një depo nafte afër qytetit të Novomoskovks, duke çuar në një zjarr të madh që lëndoi tre persona.

Një foto e postuar së bashku me mesazhin në Telegram, tregon tymin e zi të dendur që ngrihet nga zona.

Reznichenko thotë se zjarrfikësit që atëherë e kanë shuar zjarrin.

BBC nuk e ka verifikuar incidentin.

Klitschko: Bisedimet e paqes vetëm kur Rusia të largohet nga Ukraina

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha për BBC se vendi i tij do të hyjë në bisedimet e paqes vetëm pasi “ushtari i fundit rus të largohet nga Ukraina”.

Ish-kampioni botëror i boksit në peshat e rënda po merrte pjesë në funeralin e një aktivisti të njohur 24-vjeçar kundër korrupsionit, i kthyer në luftëtar vullnetar, Roman Ratushnyi, i cili u vra në Izyum, në rajonin e Kharkiv, në fillim të këtij muaji.

Disa zyrtarë ukrainas kanë shprehur shqetësime se aleatët perëndimorë mund ta shtyjnë vendin e tyre drejt një marrëveshjeje paqeje me Rusinë në dritën e pasojave të vazhdueshme nga lufta për furnizimet me ushqim dhe energji dhe ekonominë globale.

Kur u pyet Klitschko nëse ai ishte i shqetësuar se Ukraina mund të jetë nën presion për të bërë lëshime për rusët, ai u përgjigj:

Rusët folën për ‘Le të gjejmë një kompromis. Le të gjejmë një zgjidhje’. Për çfarë po flasin? Cilin kompromis? T’i japësh rusëve pjesë të territorit ukrainas nuk është një kompromis”.

Jam më se i sigurt se do të jemi gati të bisedojmë me rusët për ndonjë kompromis. Nëse ushtari i fundit rus largohet nga Ukraina, do të jetë koha për të folur, por jo ende. Rusët duhet të ikin nga atdheu ynë”.

Si një nga ukrainasit më të njohur në botë, zëri i Klitschko ka peshë, por vendimi përfundimtar nëse dhe kur do të hyjë në bisedimet e paqes do të varet nga presidenti Volodymyr Zelensky dhe qeveria e tij.

​Zelenska: Çdo ditë dy fëmijë ukrainas humbin jetën

Çdo ditë dy fëmijë humbin jetën në Ukrainë për shkak të agresionit të armatosur rus, deklaroi Zonja e Parë ukrainase, Olena Zelenska.

Është e rëndë të lexosh kolonat e evakuimit me emrat e fëmijëve të vrarë”, theksoi ajo, në një video-fjalim për 10-vjetorin e institutit ”Aspen” për Evropën Qendrore.

Shumë njerëz në këto gati katër muaj të agresionit rus më thanë se e kanë të vështirë edhe t’i lexojnë lajme për Ukrainën. Unë i kuptoj shumë mirë. Është e vështirë për çdo person normal dhe empatik të zbulojë se si një raketë hyn në shtëpinë e dikujt dhe vrau një familje”, deklaroi Zelenska.

Është e vështirë të shikosh foto të qyteteve të dëmtuara, vrima në vend të dritareve apo njerëz në spitale të lënduar nga minat”, tha ajo. 

​Merkel: Më vjen keq që ndikimi im mbi Putinin u zbeh në fund të mandatit

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel pranoi se aftësia e saj për të ndikuar mbi presidentin rus, Vladimir Putin u zbeh pak para se të largohej nga detyra.

Komentet e saj erdhën ndërsa Rusia vazhdon të bombardojë Ukrainën, duke kërkuar të pushtojë pjesë të jugut dhe lindjes së fqinjës së saj, në një luftë që ka ndryshuar situatën e sigurisë në Evropë dhe më gjerë.

“Ishte e qartë se nuk do të isha në detyrë për shumë kohë dhe kështu thjesht duhet të pranoj se përpjekjet e ndryshme të vitit të kaluar nuk patën më asnjë efekt”, tha Merkel për gazetën gjermane ”Redaktionsnetzwerk Deutschland”.

Merkel, e cila ishte kancelare e Gjermanisë për 16 vjet, ishte e njohur për mbajtjen e kontakteve me Putinin, edhe gjatë periudhave të vështira dhe për të siguruar që komunikimi të mos prishej.

Ajo dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar dhe planifikoi të pushonte për disa muaj pasi shërbeu si kancelare e Gjermanisë nga viti 2005 në 2021.

Megjithatë, duke parë kohën e saj në detyrë, Merkel tha se Putin nuk kishte më dëshirë të mbante një takim të nivelit të lartë në formatin e Normandisë, që do të thotë të përfshinte përfaqësues nga Rusia, Ukraina, Gjermania dhe Franca.

“Nga ana tjetër, unë gjithashtu nuk pata sukses në krijimin e një formati shtesë diskutimi evropiano-rus për një urdhër të sigurisë evropiane përveç formatit të Normandisë”, tha Merkel.

Ndërsa lufta vazhdon pa fund, Merkel u pyet nëse ajo mund të ishte e disponueshme për të ndërmjetësuar në konflikt.

“Kjo pyetje nuk lind për momentin”, u përgjigj ajo.

Ajo tha se largimi i saj mund të kishte qenë një kontribut, por shtoi faktorë të tjerë të mundshëm si “zgjedhjet në Francë, tërheqja e trupave nga Afganistani dhe ngecja e zbatimit të Marrëveshjes së Minskut”. 

Ndihma nga organizata amerikane për ushtarët ukrainas

Në Ukrainë, ushtarët ndjekin standardet amerikane se si duhet të reagojnë për dhënien e ndihmës së parë në fushën e betejës. Falë një organizatë jofitimprurëse amerikane, ushtria ukrainase ka përfituar rreth 15 mijë komplete të ndihmës së parë.

Forcat e armatosura të Ukrainës po stërviten se si të japin ndihmën e parë në fushën e betejës. Programi për ushtarët ukrainas bazohet në përvojën e ushtrisë amerikane, që është standardi më i lartë për të gjitha vendet e NATO-s.

Instruktorja Iryna Kostenko rikrijon një situatë reale për luftëtarët. Dhe sipas këtij skenari, koha që duhet për të shpëtuar një jetë, është tejet e kufizuar.

Me përvojë në fushën e betejës, zonja Kostenko ka punuar si instruktore për më shumë se tetë vjet. Në muajin shkurt ajo ishte në Uashington ku mësoi taktikat e ushtrisë amerikane. Pasi filloi lufta, zonja Kostenko u kthye menjëherë në Ukrainë.

“Presidenti rus Vladimir Putin ndryshoi planet tona dhe ne u detyruam të ktheheshim në Ukrainë. Organizata “United Help Ukraine” na ndihmoi duke mbledhur për ne disa kuti me paisje mjekësore, në mënyrë që ne të mos ktheheshim në shtëpi duarbosh”, thotë ajo.

Organizata “United Help Ukraine” ka nisur punën që nga vitit 2014. Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt, organizata ka shpërndarë mbi 15 mijë komplete të ndihmës së parë, dhe 10 mijë të tjera do të transportohen në muajit në vijim.

Stërvitja intesive për ushtarët ukrainas zgjat tetë orë. Gjatë asaj kohe, ushtarët duhet të mësojnë të ndalojnë gjakderdhjen tek të plagosurit.

“Në fushëbetejë, ndihma jepet nga ai që është më afër, nga shokët, ndaj duhet të dimë se çfarë të bëjnë. Besoj se do t’ia dalim. Unë besoj në ekipin me të cilin po punoj sot. Jam e sigurt se do të jemi në gjendje t’u mësojmë atyre bazat e ndihmës së parë mjeksore”, thotë Iryna.

Pjesë e ekipit janë edhe 3 instruktorë të tjerë. Secili prej tyre i mëson ushtarët një fazë të veçantë të stërvitjes.

“Sot do të kemi stërvitje që përqendrohet në ato raste kur një i plagosur po humbet një sasi të madhe gjaku, apo tek problemet me rrugët e frymëmarrjes dhe hipoterminë. Këtu kemi një stacion evakuimi ku do të mësojmë se si të marrim të plagosurit nga fusha e betejës”, thotë instruktori Mykola Ayb.

Çdo javë kryhen stërvitje intensive për ushtarët ukrainas se si të reagojnë kur kolegët e tyre plagosen. Instruktorët thonë se shpërblimi kryesor që ata marrin, janë jetët e shpëtuara./VOA

“Mos e nënvlerësoni” fuqinë e Rusisë

David Johnson, ish-veteran i shquar i ushtrisë amerikane, thotë se Rusia duket se është e vendosur për të çuar trupa në Ukrainë si “mish për topa”.

Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj më 24 shkurt dhe luftimet, aktualisht, janë të përqendruara në pjesën lindore të Ukrainës.

Johnson, tani studiues në Institutin RAND Corporation, i specializuar në strategji ushtarake, paralajmëron se trupat ruse “janë duke gjetur rrugën e tyre” për në rajonin lindor të Donbasit”, me “manovra të ngadalshme”, por “me fuqi masive të zjarrit”.

Sipas tij, kjo strategji e Rusisë ka bërë që artileria dhe armët tjera që dërgon Perëndimi për Kievin, të jenë edhe më jetike për mbrojtjen e Ukrainës.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.

Dëmet nga lufta në Ukrainë i kalojnë 100 miliardë dollarë

Shuma e dëmeve nga lufta në infrastrukturën e Ukrainës tashmë ka arritur në 104 miliardë dollarë. Të paktën 45 milionë metra katrorë banesa, 656 spitale, më shumë se 1,200 institucione arsimore, afro 25,000 kilometra rrugë, 300 ura dhe 12 aeroporte janë shkatërruar ose dëmtuar si rezultat i sulmeve ruse.

Shifrat i ka bërë të ditura kryeministri i Ukrainas, Denys Shmyhal, në në Samitin e Infrastrukturës Britaniko-Ukrainase.

Muajin e ardhshëm, qeveria do të prezantojë Planin e Rimëkëmbjes së Ukrainës – United24 – dhe fton vendet që të bashkohen me zbatimin e tij.

“Ne mbështetemi në një qasje rajonale, e cila përfshin kujdesin e një prej vendeve partnere për një rajon ose industri të caktuar. Danimarka tashmë ka rënë dakord të kujdeset për rindërtimin e rajonit të Mykolayiv. Shtetet baltike do të ndihmojnë në rindërtimin e rajonit Zhytomyr. Portugalia do rindërtojë shkollat ​​ukrainase. Dhe të gjithë në Ukrainë e dinë se Mbretëria e Bashkuar, siç premtoi kryeministri Boris Johnson, do të marrë pjesë në rindërtimin dhe zhvillimin e Kievit dhe rajonit të tij”, tha Shmyhal.

Ukraina po zhvillon një plan ambicioz rimëkëmbjeje dhe beson se kompanitë britanike do të luajnë një rol kyç në këtë rindërtim, vuri në dukje kryeministri.

“Sot, Britania dhe populli britanik po qëndrojnë krah për krah me ne në këtë moment të vështirë të historisë sonë. Dhe jam i sigurt se do ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen”, nënvizoi Shmyhal.

Siç vuri në dukje kryeministri ukrainas, ekspertët ndërkombëtarë dhe Komisioni Evropian vlerësojnë shumën totale të programit të rindërtimit në 500-600 miliardë euro.

Johnson: Do të ishte një katastrofë nëse Putini do të fitonte luftën

Kryeministri britanik tha të shtunën se Perëndimi duhet të mbështesë përpjekjet e Ukrainës për të rimarrë territorin e pushtuar nga forcat ruse në rajonin e Donbasit. Komentet zoti Johnson i bëri pas kthimit nga një vizitë e papritur në Kiev. Po sot ushtria ukrainase njoftoi se operacionet ushtarake ruse janë përqëndruar pikërisht në qytetet e rajonit të Donbasit, ndërsa vazhdojnë sulmet ndaj infrastrukturës civile. Ndërkaq, Presidenti Zelenskyy u shfaq në video duke vizituar qytetin Mykolaiv dhe duke dekoruar ushtarët ukrainas në frontin jugor të luftës.

Duke folur me gazetarët pas kthimit nga një vizitë e paparalajmëruar në Kiev, Kryeministri britanik Boris Johnson tha të shtunën se Perëndimi duhet të mbështesë përpjekjet e Ukrainës për të rimarrë territorin e kapur nga Rusia.

“Do të ishte një katastrofë nëse Putini fiton. Do të ishte një katastrofë nëse do të siguronte lidhjen tokësore me qytetet që ka kapur në jug, për të mbajtur rajonin Donbas. Kjo është çfarë ai dëshiron. Ai do që të jetë në gjendje të thotë se: Kemi Melitopolin, Berdyanskin, Mariupolin dhe të gjithë brezin jugor. Kemi Khersonin dhe së shpejti të gjithë Donbasin. Kjo është çfarë ai do të dëshironte më së shumti. Një konflikt të ngrirë, një armëpushim, siç ndodhi në 2014-ën. Për të, kjo do të ishte një fitore e jashtëzakonshme dhe do t’i krijonte ankth Britanisë dhe qeverive në mbarë botën. Do të ishte shkatërrimtare, pasi do të kishim një situatë ku Putini do të konsolidonte avantazhin dhe do të fillonte një tjetër sulm”, tha kryeministri britanik.

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Putin provokon NATO-n/ Fut anijen ruse në ujërat e Aleancës, Moska: Gati të përdorim armë bërthamore

Aleanca e Atlantikut të Veriut e ka cilësuar si një provokim të papranueshëm teksa një luftanije ruse shkel për të dytën herë ujërat e NATO-s.  Sipas ushtrisë së Danimarkës anija ruse hyri në ujërat e saj territoriale në orët e para të së premtes pranë ishullit Christiansoe në Detin Baltik.

Komanda e forcave të armatosura daneze thotë se anija luftarake u largua pasi u kontaktua në radion detare nga marina e tyre. Ministri i Jashtëm danez Jeppe Kofod tha se ambasadori rus është thirrur për të protestuar ndaj incidentit.

“I është komunikuar në terma shumë të qartë ambasadorit rus se ky lloj veprimi është plotësisht i papranueshëm”, tha Kofod në një deklaratë.

“Ne nuk do ta pranojmë këtë lloj provokimesh rus”.

Ai më vonë shkroi në një postim në Twitter: “Është një provokim rus jashtëzakonisht i papërgjegjshëm, i vrazhdë dhe krejtësisht i papranueshëm. Këto taktika bllofi nuk funksionojnë në Danimarkë.”

Ai e mbylli deklaratën e tij me hashtagun We Are NATO.

Si Suedia ashtu edhe Danimarka kanë raportuar shkelje të hapësirës ajrore nga avionët rusë pas pushtimit të Ukrainës.

Ndërkohë, Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin se do të përdorë armë bërthamore nëse ndihet i kërcënuar.

Gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut, lideri rus tha se megjithëse nuk po kërcënon botën me armë bërthamore, ai është i gatshëm t’i përdorë ato për të mbrojtur vendin e tij.

“Ne nuk po kërcënojmë! Por të gjithë duhet ta dinë se ne jemi të aftë të bëjmë  gjithçka për të mbrojtur sovranitetin tonë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat