SHBA akuzon Korenë e Veriut se po përpiqet të fshehë dërgesat e municioneve që i ka dërguar në Rusi

Bota

SHBA akuzon Korenë e Veriut se po përpiqet të fshehë dërgesat e municioneve që i ka dërguar në Rusi

Më: 2 nëntor 2022 Në ora: 16:32
Foto ilustrim

Sipas dokumenteve të sapodeklasifikuara, SHBA-të po akuzojnë Korenë e Veriut se ka furnizuar fshehtas Rusinë me predha artilerie për luftën në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë besojnë se dërgesat e fshehta të Koresë së Veriut – së bashku me dronët dhe armët e tjera që Rusia ka marrë nga Irani – janë dëshmi të mëtejshme se edhe arsenalet konvencionale të artilerisë së Moskës janë pakësuar gjatë tetë muajve luftime.

Siç shkruan CNN, Koreja e Veriut po përpiqet të fshehë dërgesat duke e bërë të duket sikur municioni po dërgohet në vendet në Lindjen e Mesme ose Afrikën e Veriut, thotë inteligjenca.

Pretendimet e fundit vijnë rreth dy muaj pasi komuniteti i inteligjencës amerikane tha se besonte se Rusia ishte në procesin e blerjes së miliona raketave dhe predhave artilerie nga Koreja e Veriut për përdorim në fushën e betejës, raportuan CNN dhe media të tjera në atë kohë.

“Në shtator, Republika Popullore Demokratike e Koresë mohoi publikisht se kishte për qëllim t’i jepte municion Rusisë”, tha koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për komunikimet strategjike John Kirby në një deklaratë për CNN. “Sidoqoftë, informacionet tona tregojnë se DPRK-ja po furnizon fshehurazi luftën e Rusisë në Ukrainë me një numër të konsiderueshëm predhash artilerie, ndërsa fsheh destinacionin e vërtetë të dërgesave të armëve duke u përpjekur ta bëjë të duket sikur ato po dërgohen në vendet e Lindjes së Mesme ose Afrikën Veriore”.

Sidoqoftë, shkruan më tej CNN, zyrtarët nuk dhanë prova për të mbështetur akuzat e reja.

Aty gjithashtu nuk u dha detaje se sa armë janë pjesë e dërgesave, apo se si do të paguheshin.

“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nëse këto dërgesa janë pranuar”, tha Kirby.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat