Rrëfimi i pjesëtarëve të Wagnerit rus që u zënë rob nga ukrainasit: Nëse nuk je dakord me urdhrin, thjesht vritesh!

Bota

Rrëfimi i pjesëtarëve të Wagnerit rus që u zënë rob nga ukrainasit: Nëse nuk je dakord me urdhrin, thjesht vritesh!

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 06:33
Sergei

Beteja për qytetin ukrainas Bakhmut, ka qenë skenë e luftimeve më të ashpra në luftën e Rusisë kundër Ukrainës për muaj të tërë.

Forcat ruse atje përbëheshin kryesisht nga grupi paraushtarak Wagner, një grup mercenar i përforcuar me të burgosur nga kolonitë famëkeqe të Rusisë.

CBS News u takua me dy nga ata mercenarë, ose të burgosur, burra që u kapën në lindje të Ukrainës, dhe tani mbahen nga inteligjenca ushtarake ukrainase.

Njëri prej tyre, Sergei, po vuante pothuajse gjysmën e një dënimi 19-vjeçar për vrasje, kur shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, vizitoi burgjet dhe u tha të dënuarve: “Shërbeni gjashtë muaj në vijën e parë për Rusinë, dhe më pas mundeni të dilni të lirë”.

“Më është dashur të largohem nga burgu në një mënyrë ose në një tjetër. Dhjetë vjet është një kohë e gjatë”, tha Sergei për CBS News.

Ai pranoi ofertën e Prigozhinit dhe zgjodhi të luftonte në vijën e parë në këmbim të lirisë dhe parave. Pothuajse i vetëdijshëm se lufta ishte ndezur në Ukrainë, thotë ai, Sergeit iu tha se do të luftonte me të huajt atje.

“Mercenarë amerikanë, mercenarë polakë, francezë… na thanë se ishin nazistë”, tha ai.

Vlad, pjesëtari i dytë i Wagnerit, kishte vuajtur tashmë dy vjet nga dënimi i tij tre-vjeçar për sulm, por premtimi për lirim të parakohshëm, dosje e shlyer dhe një pagë prej 3,500 dollarëve, rezultuan joshëse.

Pas vetëm dy javësh stërvitje, tha ai, u dërgua për të luftuar tanket ukrainase vetëm me një mitraloz.

“Vëllezërit tanë u vranë në një numër të madh. Kishte male me trupa”, theksoi ai.

Prigozhini u filmua së fundmi duke ekzaminuar disa prej këtyre trupave, të grumbulluar në një morg të improvizuar pranë vijës së frontit. Destinacioni përfundimtar i luftëtarëve të rënë është një varrezë e veçantë e Wagner në Rusi, tashmë e mbushur me varre të sapo gërmuara.

Vlad tha se disa rekrutë të rinj refuzojnë të luftojnë, pasi shohin se çfarë po ndodh në front, por atëherë kjo nuk është më një opsion.

“Thjesht të vrasin, kaq. Nëse nuk je dakord me urdhrin, thjesht vritesh”, shtoi ai.

Ai i tha CBS News se i pa nga dora e parë. “Një nga luftëtarët ishte shumë i frikësuar për të luftuar. E detyruan të gërmonte varrin e tij dhe e qëlluan”, tha ai.

Vlad pretendon se ka parë tre shokë të ekzekutuar me plumba në kokë, por këmbëngul se ai nuk ishte i përfshirë: “Ka njerëz të trajnuar posaçërisht për këtë, një grup sigurie që do t’ju bëjë gjithçka”.

Të dy Wagnerët tani pretendojnë se janë mashtruar dhe dërguar në vijën e parë.

“Gjithçka që na thanë ishin gënjeshtra të pastra. Ukrainasit nuk donin të na vrisnin – ne erdhëm në Ukrainë për t’i vrarë”, tha Sergei.

Ata këmbëngulin se nuk kanë kryer krime lufte dhe se të dy nëse mund ta kthenin kohën pas, do të zgjidhnin brutalitetin e një qelie burgu rus në vend të masakrës në fushëbetejën ukrainase.

Edhe pse treguan gjithçka për terrorin që Wagner bëri gjatë luftës, CBS shkruan se ata nuk shfaqën asnjë emocion në atë dhomë të ftohtë dhe të errët. Kur Vlad u pyet se si ndihej për gjithçka që kishte parë dhe përjetuar, përgjigja e tij ishte rrëqethëse. “Sinqerisht,” tha ai, “asgjë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat