Izraeli i përfshirë nga protesta masive prej muajsh, kërkohet ndalimi i reformës në drejtësi

Bota

Izraeli i përfshirë nga protesta masive prej muajsh, kërkohet ndalimi i reformës në drejtësi

Më: 25 mars 2023 Në ora: 23:51
Izrael

Përderisa izraelitët janë duke vazhduar për të dymbëdhjetën javë me radhë me protesta masive për kundërshtimin e reformës ligjore të kërkuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu, edhe ministri i Mbrojtes së vendit ka kërkuar ndalimin e saj.

Yoav Gallant i ka bërë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që të ndalojë planet e diskutueshme për një rishikim të sistemit të drejtësisë, duke thënë se kriza po shkakton trazira sociale dhe mund të dëmtojë sigurinë e Izraelit.

Megjithatë, deri më tani, Netanyahu ka kundërshtuar thirrjet për të hequr dorë nga reforma.

Kujtojmë se ligji është pjesë e një plani të diskutueshëm të qeverisë së djathtë për të kufizuar kompetencat e gjyqësorit, plan që ka çuar në protesta masive prej disa muajsh.

Sipas reformës ligjore të kërkuar nga Netanyahu, parlamentit i ofrohet mundësia e anulimit të vendimeve të marra nga Gjykata e Lartë - një lëvizje që kritikët thonë se do të minojë pavarësinë e gjyqësorit dhe mund të përdoret për qëllime politike.

Megjithatë, Netanyahu thotë se reforma është krijuar për të ndaluar gjykatat të tejkalojnë kompetencat e tyre dhe se është votuar nga publiku në zgjedhjet e fundit.

BBC raporton se kundërshtim ndaj reformës ligjore ka pasur edhe lideri i opozitës Yair Lapid, i cili e ka vlerësuar "hapin e guximshëm" të ministrit të Mbrojtjes për kërkimin e ndalimit të saj.

Në anën tjetër vendi ka votuar një ligj që parandalon Prokurorin e Përgjithshëm që të shkarkojë një kryeministër, duke e bërë të mundur që vetëm vetë kryeministri ose tre të katërtat e kabinetit të mund të vendosin për largimin e kryeministrit nga posti për arsye fizike ose psikologjike.

Kujtojmë se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është duke u gjykuar me akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në tre raste. Megjithatë, ai ka mohuar çdo keqbërje duke thënë se është vetëm një “viktimë e një gjuetie shtrigash”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat