Shënohet përvjetori i parë i masakrës në Buça, Zelensky zotohet për ndëshkim të përgjegjësve

Bota

Shënohet përvjetori i parë i masakrës në Buça, Zelensky zotohet për ndëshkim të përgjegjësve

Më: 31 mars 2023 Në ora: 13:53
Një grua e mërzitur për familjarin e vrarë në Buça më 2022.

Ukraina e ka shënuar më 31 mars njëvjetorin e tërheqjes së forcave ushtarake ruse nga qyteza Buça, duke lënë mbrapa qindra trupa të civilëve të vrarë nëpër rrugë.

Kievi i ka konsideruar ngjarjet në Buça si masakër dhe krim rus të luftës.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka quajtur masakrën në Buça “simbol të mizorive” të kryera nga ushtria ruse.

“Ne nuk do të harrojmë kurrë. Ne do t’i ndëshkojmë të gjithë fajtorët”, ka thënë Zelensky përmes një deklarate.

Rusia e ka mohuar kryerjen e masakrës dhe ka pretenduar se vdekjet janë inskenuar nga Ukraina.

Zyrtarët ukrainas vlerësojnë se rreth 400 trupa të civilëve janë gjetur në Buça dhe një total prej më shumë se 1.000 trupave janë gjetur në rajonin rreth Kievit.

Shumica e trupave janë varrosur në varreza masive.

Hetuesit ukrainas dhe ata ndërkombëtarë, kanë nisur hetime për krime të luftës në Buça, Irpin dhe lokacione tjera në Ukrainë, ku kanë ndodhur masakrat.

“Një vit më parë Ukraina e ka çliruar Buçën dhe bota është zgjuar me fytyrën e vërtetë të pushtuesit rus. Buça është skenë krimi dhe simbol për të gjitha krimet ruse – vrasjet masive, dëbimet, dhe shkatërrimin e të gjitha qyteteve”, ka thënë kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas përmes një postimi në Twitter.

“Nuk ka kthim mbrapa – Rusia do të mbahet përgjegjëse”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat