Polonia dislokon trupa në kufi me Bjellorusinë mes drojës nga grupi Wagner

Bota

Polonia dislokon trupa në kufi me Bjellorusinë mes drojës nga grupi Wagner

Më: 9 korrik 2023 Në ora: 00:06
Foto ilustrim

Të shtunën Polonia filloi dislokimin e mbi 1,000 trupave në lindje të vendit, tha ministri i mbrojtjes, mes shqetësimeve në rritje të vendit anëtar të NATO-s se prania e mercenarëve të grupit Wagner në Bjellorusi mund të çojë në rritje të tensioneve në kufirin e saj.

Vendimi i Presidentit Vladimir Putin për t'u ofruar mundësinë luftëtarëve mercenar të grupit Wagner, të drejtuar nga Yevgeny Prigozhin që të zhvendosen në Bjellorusi, ka shkaktuar pasiguri mes vendeve lindore të NATO-s se prania e tyre mund të shkaktojë paqëndrueshmëri më të madhe në rajon.

Mbi 1000 ushtarë dhe pothuajse 200 automjete dhe pajisje luftarake kanë filluar të vendosen në lindje të vendit”, shkroi zoti Mariusz Blaszczak në rrjetin Twitter. “Kjo demonstron gatishmërinë tonë për t'iu përgjigjur përpjekjeve për destabilizim pranë kufirit të vendit tonë”.

Të dielën e kaluar Polonia tha se do të dërgonte 500 policë për të forcuar sigurinë në kufirin me Bjellorusinë.

Gjatë javëve të fundit Polonia ka shënuar një rritje të numrit të emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin nga Bjellorusia. Sipas zyrtarëve të kufirit, mbi 200 persona u përpoqën të kalonin ilegalisht të premten, mes tyre shtetas nga Maroku, India dhe Etiopia.

Polonia e ka akuzuar Bjellorusinë se ka krijuar artificialisht një krizë migrantësh në kufi që nga viti 2021 duke sjellë individë nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe duke u përpjekur t'i shtyjë ata përtej kufirit.

Një komandant i lartë i grupit mersenar Wagner u citua të ketë thënë të shtunën se luftëtarë të grupit po përgatiteshin të vendoseshin në Bjellorusi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat