LIVE: Samiti i Paqes në Zvicër, Ukraina merr mbështetjen e fuqishme nga 80 shtete – ‘lajm jo i mirë’ për Rusinë!

Bota

LIVE: Samiti i Paqes në Zvicër, Ukraina merr mbështetjen e fuqishme nga 80 shtete – ‘lajm jo i mirë’ për Rusinë!

Nga: A.SH Më: 16 qershor 2024 Në ora: 06:14 Përditësuar në ora: 16:46 më 16.06.2024
Samiti në Zvicër

Samiti i paqes në Ukrainë, cilat vende nuk e nënshkruan komunikatën e përbashkët

Arabia Saudite, India, Afrika e Jugut, Tajlanda, Indonezia, Meksika dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin midis vendeve që morën pjesë në samitin e paqes në Ukrainë që nuk nënshkruan komunikatën përfundimtare.

Zvicra, e cila priti samitin, tha se të paktën 90 vende kishin marrë pjesë në bisedime dhe shumica dërrmuese e kishin nënshkruar komunikatën, sipas një liste nga organizatorët zviceranë të postuar në mbyllje të punës.

Brazili, i listuar në listën e pjesëmarrësve si “vëzhgues”, nuk është gjithashtu ndër vendet që kanë nënshkruar komunikatën përfundimtare.

Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbështetja e liderëve perëndimorë dhe të tjerëve në samitin e paqes tregon se ligji ndërkombëtar mund të rikthehet.

“Shpresoj se do të jemi në gjendje të arrijmë rezultate sa më shpejt të jetë e mundur. Ne do t’i dëshmojmë të gjithëve se Karta e OKB-së mund të rikthehet me efektivitet të plotë,” tha presidenti ukrainas.

Forcat ruse i “likuidojnë” rrëmbyesit për t’i shpëtuar pengjet në një qendër ndalimi

Forcat ruse të sigurisë i kanë vrarë rrëmbyesit e disa pengjeve në një qendër ndalimi në jug të Rusisë, raportuan mediat shtetërore ruse më 16 qershor.

Pengjet në qendrën e paraburgimit në Rostov-on-Don nuk u lënduan, tha RIA Novosti, duke e cituar shërbimin federal të burgjeve ruse.

Novosti raportoi se rrëmbyesit janë “likuiduar”, ndërsa mediat lokale raportuan se disa prej të burgosurve janë vrarë.

U raportua se gjashtë të burgosur i morën peng dy pjesëtarë të stafit të qendrës së ndalimit në rajonin Rostov, duke e kërkuar një veturë dhe rrugë të hapur për t’u larguar.

Gjashtë rrëmbyesit u akuzuan për aktivitete terroriste, ndërsa disa prej tyre u raportua se kanë lidhje me Shtetin Islamik (IS).

IS-i ka kryer një numër sulmesh në tokën ruse në vitet e fundit, përfshirë një sulm në mars, kur burra të armatosur qëlluan me armë ndaj njerëzve në një sallë koncertesh në periferi të Moskës, duke i vrarë 145 njerëz./REL

80 shtete e mbështesin “integritetin territorial” të Ukrainës në samitin për paqe në Zvicër

Tetëdhjetë vende të botës kanë bërë thirrje që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, në një deklaratë të lëshuar në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të tyre në një resort në Zvicër më 16 qershor.

Mungesa e Rusisë dhe e Kinës në Samitin për Paqe Globale, që u iniciua nga Ukraina, i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.

Pjesëmarrësit, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ishin në mesin e atyre që nuk e nënshkruan dokumentin final, i cili përqendrohej në çështjet si, siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve.

Deklarata përfundimtare thekson se karta e OKB-së dhe “respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit...mund dhe do të shërbjenë si themel për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjate në Ukrainë”.

“Ne besojmë se arritja e paqes kërkon përfshirje dhe dialog mes të të gjitha palëve”, thuhet në deklaratë.

Viola Amherd, presidentja e Zvicrës e cila ishte nikoqire e samitit, tha në konferencë për media se fakti se “shumica dërrmuese” e pjesëmarrësve u pajtuan për deklaratën finale “tregon se çfarë mund të arrijë diplomacia”.

Në prag të samitit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalosi kushte të ashpra për një armëpushim, përfshirë duke kërkuar që Ukraina t’ia dorëzojë katër rajone jo vetëm në pjesët e okupuara nga forcat pushtuese ruse, por edhe rajonet e kontrolluara nga Ukraina. Këto kërkesa u hodhën poshtë menjëherë nga Kievi dhe nga mbështetësit e tij perëndimorë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se samiti u quajt me të drejtë “Rruga drejt Paqes”, sepse një synim i tillë nuk do të arrihet me ndërmarrjen e vetëm një hapi.

“Nuk ishin negociata për paqe, sepse Putini nuk e ka njëmend përfundimin e luftës. Ai po ngul këmbë në kapitullim. Ai po ngul këmbë që t’i dorëzohet territori ukrainas – madje territori që sot nuk është i okupuar nga ai. Ai po ngul këmbë në çarmatimin e Ukrainës. Asnjë vend nuk do t’i pranonte kurrë këto kushte”, tha ajo.

Mbështetja nga liderët perëndimorë dhe liderë të tjerë në këtë samit për paqe për Ukrainën dëshmon se mund të rivendoset rendi dhe ligji ndërkombëtar, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas samitit dyditor në Burgenstok.

“Shpresoj se mund të arrijmë rezultate sa më parë”, tha ai gjatë tubimit. “Ne do t’ua dëshmojmë të gjithëve në botë se karta e OKB-së mund të rivendoset me efekt të plotë”.

Me këtë samit, Zelensky kërkoi që sa më shumë vende të botës ta mbështesin kauzën e Ukrainës, posaçërisht vendet nga i ashtuquajturi Jugu Global, si dhe ta mbajë vëmendjen e botës në pushtimin brutal të Ukrainës nga Moska.

Samiti i 15-16 qershorit ishte kulmi i përpjekjeve të Zelenskyt në 19 muajt e fundit për t’i angazhuar liderët globalë që të ndihmojnë në dhënien fund të luftës më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Zvicra ishte pajtuar të jetë nikoqire e samtit me shpresën se do ta hapte rrugën për një proces për paqe në të ardhmen, në të cilin do të përfshihej edhe Rusia.

Zelensky nuk donte që Rusia të ftohej në samit në këtë kohë.

Pas takimit më 16 qershor, delegatët u pajtuan për një deklaratë përfundimtare të samitit, e cila u përqendrua në tri çështje: thirrjen për nevojën për siguri bërthamore dhe ushqimore, kthimin e të burgosurve të luftës dhe fëmijëve të larguar nga Ukraina gjatë luftës.

Ihor Zhovka, zëvendësshefi i kabinetit të Zelenskyt, tha për gazetarë se Kievi ka vendosur të përqendrohet në këto tri çështje “sepse shumica e bashkësisë ndërkombëtare pajtohet me këto tri qëndrime sot”.

Një draft i dokumentit, i parë nga Reuters, i referohet pushtimit rus të Ukrainës si “luftë” – një term që Moska e kundërshton – si dhe bën thirrje që Ukraina ta ketë kontrollin në centralin bërthamor Zaporizhja, si dhe t’i kthehen asaj portet në Detin Azov.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të REL-it, Andriy Yermak, shefi i administratës së Zelenskyt, tha për gazetarë më 16 qershor se ky dokument do t’i dërgohet përfaqësuesve rusë të ftuar në samitin e radhës.

Në samitin për paqe më 16 qershor pritet të vendoset se kush do të jetë vendi nikoqir i konferencës së ardhmes.

Besohet se Arabia Saudite është njëra prej kandidateve kryesore. Ministri i Jashtëm saudit Faisal bin Farhan Al Saud tha më 15 qershor se mbretëria është e gatshme për të ndihmuar në procesin e paqes, por paralajmëroi se zgjidhja afatgjate varet nga “kompromiset e vështira”.

Kina, e cila e mbështet Rusinë, iu bashkua dhjetëra vendeve të tjera që munguan. Pekini ka thënë se është e nevojshme që në procesin e paqes të marrin pjesë edhe Rusia, edhe Ukraina.

Më 15 qershor, në ditën e parë të samitit, shumë liderë perëndimorë e dënuan pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke e cituar kartën e OKB-së për mbrojtjen e integritetit të saj territorial, dhe duke i hedhur poshtë kërkesat e Putinit për të hequr dorë nga toka për paqe.

“Një gjë është e qartë në këtë konflikt: E kemi një agresor, ai është Putini, dhe e kemi një viktimë, pra populli ukrainas”, tha kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

“Rusia duhet ta kuptojë se ka kufij, siç çdo shtet tjetër, dhe ka edhe fqinj, si cdo shtet tjetër. Kjo bashkësi ndërkombëtare, arkitektura e re e sigurisë, mund të ekzistojë vetëm kur vendet e mëdha, më të mëdhatë, i njohin fqinjët e vet, i respektojnë ata dhe integritetin e tyre territorial”, tha presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili.

Harris tha se propozimin e Putinit për paqe nuk ishte thirrje për bisedime, por thirrje “që Ukraina të dorëzohet”.

Ajo e përsëriti mbështetjet e plotë të SHBA-së për Ukrainën dhe njoftoi për një pako të re të ndihmës amerikane prej 1.5 miliard dollarësh për projekte të shumta, përfshirë për infrastrukturën e energjisë dhe sigurinë e civilëve.

Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi se “paqja në Ukrainë nuk mund të arrihet pa përfshirjen e Rusisë”, por nënvizoi se Rusia i ka hedhur poshtë të gjitha thirrjet e përbashkët për paqe.

Para samitit, Grupi i Shtatë (G7) vendeve më të industrializuara u pajtua t’ia japë Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh duke përdorur asetet e ngrira ruse.

Më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e nënshkruan një marrëveshje sigurie 10-vjeçare, të cilën ata e përshëndetën si një moment historik në marrëdhëniet midis vendeve të tyre.

Biden, i cili nuk po merr pjesë në samitin për paqe në Zvicër me gjithë lutjet nga Zelensky, tha se SHBA-ja do t'ia dërgojë Ukrainës edhe një sistem kundërajror Patriot.

Së fundi, SHBA-ja i dha leje Ukrainës t'i përdorë armët amerikane për sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin./REL

Stoltenberg mesazh Ukrainës: Ne po u kërkojmë atyre që të ushtrojnë të drejtën e vetëmbrojtjes

Ndërsa vendet aleate dhe partnere debatojnë lidhur me përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina, shefi i NATO-s thotë se forcat ukrainase kanë të drejtë të godasin objektiva ushtarake brenda Rusisë.

“Nëse ata nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë ne po u kërkojmë atyre që të ushtrojnë të drejtën e vetëmbrojtjes me një dorë të lidhur pas shpine”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shkruan VOA.

Stoltenberg mirëpriti vendimet e fundit nga disa shtete anëtare të aleancës për të zbutur kufizimet në përdorimin e disa armëve perëndimore për të goditur objektiva brenda Rusisë, kryesisht pasi Moska filloi të sulmonte Kharkivin nga brenda territorit rus.

Kohët e fundit, Uashingtoni i dha Kievit leje për të përdorur armët amerikane që të godasin objektiva tokësore ushtarake brenda Rusisë, por me kufizime të rrepta gjeografike

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse Kievi mund t’i përdorë armët amerikane për të goditur objektivat ushtarake që sulmojnë Ukrainën nga thellësia e territorit rus, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha: “Jo”.

“Nuk ka ndryshuar politika jonë lidhur me përdorimin e aftësive të goditjeve me rreze të gjatë për të kryer sulme thellë në Rusi. Por aftësia për të kundërvepruar në luftën në Kharkiv, çka është ajo për të cilën bëhet fjalë, shpresoj që ukrainasit t’i shfrytëzojnë më së miri këto aftësi”, tha shefi i mbrojtjes amerikane.

Gjenerali amerikan në pension, Frank McKenzie, ish kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, thotë për Zërin e Amerikës se kjo nuk është e mjaftueshme.

“Po, por me disa kufizime. Duhet treguar kujdes i madh për të mos sulmuar qendrat bërthamore ruse, objektet e komandës dhe kontrollit bërthamor. Me përjashtim të kësaj, ne duhet t’i japim Ukrainës mundësi më të mëdha lidhur me sulmet brenda Rusisë. Ata nuk duhet të ndjehen të sigurte. Komanda, logjistika ruse dhe formacione të tjera ushtarake nuk rrezikohen fare, çka ka dëmtuar ndjeshëm aftësitë ukrainase për të reaguar në ofensivën e fundit”, thotë ai.

Furnizimi i Ukrainës me avionë luftarakë amerikanë të tipi F-16 do t’i sigurojë Kievit aftësi më të mëdha mbrojtëse nga bombat ruse. Shtetet e Bashkuara thonë se avionët do të mbërrijnë në Ukrainë këtë verë.

Samiti i Paqes për Ukrainën, Trump me deklarata të forta ndaj Zelenskyt: Shitësi më i madh në histori

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është "shitësi më i madh në histori.

Sa herë që vjen në këtë vend ai largohet me 60 miliardë dollarë.

Pastaj kur të kthehet në shtëpi i duhen më shumë para."

Kështu ka deklaruar Donald Trump, duke përsëritur se po të kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë, lufta në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur kurrë.

Norvegjia e ndihmon Ukrainën me 103 milionë dollarë për infrastrukturën energjetike

Norvegjia njoftoi të dielën se do t’ia dhurojë Ukrainës 103 milionë dollarë, për t’i ndihmuar në rregullimin e infrastrukturës së energjisë.

“Rusia po kryen sulme të mëdha sistematike për ta shkatërruar rrjetin energjetik, por ukrainasit po punojnë ditë e natë për të siguruar furnizim të nevojshëm me rrymë për popullsinë”, tha kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store.

Sipas vlerësimeve të reja, më shumë se 50 për qind e kapacitetit të Ukrainës për prodhimin e rrymës është shkatërruar, tha Qeveria.

“Ne jemi në bisedime të ngushta me Ukrainën për mënyrën se si ajo mund t’i përdorë këto të holla. Ukrainasit e dinë më së miri se çfarë nevojitet”, tha Store.

Ai shtoi se është e rëndësishme të fillojë ndreqja e rrjetit energjetik para së të vijë dimri.

Një pjesë e parave do të përdoren për riparime në rajonin e Harkivit, i cili është goditur në veçanti nga sulmet ruse muajt e fundit, tha ai.

Ukraina njoftoi më herët këtë javë se do ta vazhdojë importimin e rrymës në sasi rekorde, për ta plotësuar mungesën e energjisë elektrike, e cila vjen si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të Rusisë në infrastrukturën e saj energjetike.

Operatori i rrjetit energjetik të Ukrainës, Ukrenerho, tha më 14 qershor se do t’i importojë 31.904 megavat rrymë në orë, duke e thyer rekordin e kaluar prej 29.796 megavat në orë të importuara në fillim të kësaj jave.

Rusia i ka rritur sulmet me raketa dhe dronë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës prej marsit, duke shkaktuar reduktime të shpeshta të rrymës.

Kievi është detyruar të importojë rrymë nga Bashkimi Evropian për t’i mbajtur dritat ndezur.

Ukrainasit pretendojnë se rusët kanë humbur 1,160 ushtarë tjerë dhe 58 sisteme artilerike në 24 orët e fundit

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka njoftuar se Rusia ka humbur 1,160 ushtarë tjerë dhe 58 sisteme artilerike në 24 orët e fundit.

Ukrainasit në raportin më të fundit sa i përket humbjeve të forcave pushtuese ka dhënë detaje nga fushëbeteja.

Sipas Kievit, rusët nga 24 shkurti e deri më 16 qershor të këtij  viti (sot), kanë humbur makineri dhe personel ushtarak siq vijon në listën e publikuar më poshtë:

526,310 (+1,160) personel ushtarak;

7,956 (+0) tanke;

15,269 (+6) autoblinda;

13,913 (+58) sisteme artilerike;

1,104 (+1) sisteme raketore;

853 (+0) sisteme të mbrojtjes kundërajrore;

359 (+0) aeroplanë;

326 (+0) helikopterë;

11,159 (+11) dronë;

2,296 (+3) raketa;

28 (+0) luftanije;

1 (+0) nëndetëse.

Konvoji i tankeve dhe autoblindave ruse shkatërrohet nga ukrainasit në afërsi të Avdiivkas

Luftimet e ashpra janë duke vazhduar në afërsi të Avdiivkas, ku rusët tentuan të sulmojnë pozicionet ukrainase.

Madje atje ukrainasit arritën të shkatërrojnë konvojin e tankeve dhe autoblindave ruse, që ia kishin mësyrë pozicioneve të tyre.

Në një video të filmuar nga ajri, shihet momenti kur tanket dhe autoblindat ruse shkatërrohen nga dronët kamikaz, artileria dhe minat antitank.

Sulmi ishte aq i koordinuar sa që asnjë nga këto mjetet që ishin pjesë e një konvoji, nuk mbeti pa u shkatërruar.

E ukrainasit pretendojnë se në këtë aksion janë kapur rob lufte edhe disa ushtarë rusë që ishin pjesë e atij konvoji.

Reuters: Draft-deklarata e samitit kërkon respektimin e integritetit territorial të Ukrainës

Nga: A.Sh

Një draft komunikatë e përbashkët nga samiti global i paqes i Ukrainës në Zvicër pohon "kufijtë e njohur ndërkombëtarisht" të Ukrainës dhe fajëson Federatën Ruse për nisjen e një lufte që ka shkaktuar "vuajtje njerëzore në shkallë të gjerë", njoftoi Reuters më 15 qershor.

Zyrtarë nga mbi 100 qeveri të huaja dhe organizata ndërkombëtare u mblodhën në Lucern, Zvicër më 15 qershor për të zhvilluar bisedime mbi procesin e paqes në Ukrainë. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se një plan veprimi i bazuar në kornizën e samitit do t'i paraqitet Rusisë në një konferencë të ardhshme të paqes.

Draft dokumenti, i parë nga Reuters, bën thirrje për një rrugë drejt paqes bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara. Ai gjithashtu shpreh mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.

“Në veçanti, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të përmbajtur nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti, parimeve të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të të gjitha shteteve, përfshirë Ukrainën, brenda kufijve të tyre të njohur ndërkombëtarisht. , duke përfshirë ujërat territoriale dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve me mjete paqësore si parime të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në dokument.

Rusia nuk është e interesuar për shkëmbimin e të gjithë të burgosurve, thotë Avokati i Popullit i Ukrainës

Nga: A.Sh

Nëse Federata Ruse do të ishte e interesuar për një shkëmbim total të të burgosurve me Ukrainën, tregtia tashmë do të kishte ndodhur, tha Avokati i Popullit të Ukrainës Dmytro Lubinets për gazetën Ukrinform më 15 qershor.

Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi në fillim të majit se Kievi ishte i interesuar për një shkëmbim total të të burgosurve të luftës (POW) me Moskën dhe se ideja do të diskutohej në samitin global të paqes në Zvicër.

Duke folur me gazetarët në ditën e parë të samitit, Lubinets tha se Rusia nuk dukej e interesuar për shkëmbimin.

“Si një person që është vazhdimisht i përfshirë në këto procese, mund të konfirmoj se Ukraina nuk ka refuzuar kurrë të shkëmbejë robër lufte”, tha Lubinets.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat