LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Bota

LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Nga: Bota sot Më: 13 qershor 2025 Në ora: 07:17 Përditësuar në ora: 20:10 më 19.06.2025
Presidenti Donald Trump

2 linja ajrore amerikane pezullojnë fluturimet e pasagjerëve për në Lindjen e Mesme për shkak të konfliktit Izrael-Iran

Nga: A.M

United Airlines dhe American Airlines kanë pezulluar fluturimet për në Lindjen e Mesme për shkak të përshkallëzimit të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit.

"Për shkak të konfliktit në rajon, fluturimet e përditshme të United midis Newark dhe Dubai janë pezulluar," tha United në një deklaratë, shkruan CNN, transmeton "Bota sot".

United tha se do të monitorojë situatën dhe do të punojë me klientët gjatë ndërprerjes.

American Airlines gjithashtu ka rregulluar orarin e saj midis Dohas, Katarit dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Filadelfias deri më 22 qershor. Një fluturim nga Doha për në Filadelfia u nis herët të enjten, tha linja ajrore.

"Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën duke pasur parasysh sigurinë dhe mbrojtjen dhe do ta rregullojmë më tej operacionin tonë sipas nevojës," tha American në një deklaratë.

Zbulohet afati kohor i Trump për vendimin për sulm ndaj Iranit

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka mbajtur një konferencë të rregullt për shtyp.

Pasi filloi duke folur për temat e brendshme, Leavitt i drejtohet konfliktit midis Izraelit dhe Iranit.

“E di që ka pasur shumë spekulime… në lidhje me vendimmarrjen e presidentit dhe nëse SHBA do të jetë e përfshirë apo jo”, tha Leavitt.

Më pas, ajo lexoi një citat të drejtpërdrejtë nga Donald Trump, shkruan skynews.

“Bazuar në faktin se ekziston një shans i konsiderueshëm për negociata që mund të zhvillohen ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, unë do të marr vendimin tim nëse do të sulmoj apo jo brenda dy javëve të ardhshme.”

Leavitt tha se “askush nuk duhet të habitet” nga qëndrimi i Trumpit se Irani absolutisht nuk mund të sigurojë një armë bërthamore, duke shtuar se ai ka qenë “pa mëdyshje i qartë për këtë për dekada”.

Kur u pyet nëse Trump ka ndonjë pritje përpara takimit të sekretarëve të jashtëm evropianë me homologun e tyre iranian nesër, Leavitt tha se “e gjithë bota është në anën e presidentit”.

Sekretarja shtoi se mesazhi se Irani nuk mund të sigurojë një armë bërthamore “është diçka për të cilën bien dakord pothuajse i gjithë njerëzimi, përveç vetë regjimit terrorist iranian”.

“Presidenti pret që Evropa t’ua përcjellë këtë mesazh drejtpërdrejt iranianëve”, shton ajo.

Netanyahu: Izraeli do të ‘sulmojë të gjitha’ objektet bërthamore të Iranit

Nga: A.M

Izraeli “ka fuqinë” dhe do të “godasë të gjitha objektet bërthamore” në Iran, tha kryeministri Benjamin Netanyahu.

Netanyahu nuk konfirmoi nëse kishte ndonjë afat kohor për operacionin e Izraelit kundër Iranit.

“Ne jemi në luftë; nuk do ta zbulojmë afatin kohor. Do t’i arrijmë të gjitha objektivat, do t’i godasim të gjitha objektet bërthamore — ne kemi fuqinë për ta bërë këtë”, i tha ai transmetuesit publik izraelit Kan, shkruan CNN, transmeton "Bota sot".

Netanyahu tha se Izraeli ka thyer “boshtin iranian”, duke treguar rënien e forcave të mbështetura nga Irani në rajon: Hezbollahut në Liban dhe regjimit të Asadit në Siri.

Netanyahu shtoi se Izraeli nuk priste një “dritë jeshile” nga Shtetet e Bashkuara, por tha se administrata Trump po e ndihmonte Izraelin me mbrojtjen.

Rusia parlajmëron Izraelin: Sulmet ndaj objekteve iraniane e çojnë botën drejt një “katastrofe bërthamore”

Rusia i bëri thirrje të enjten Izraelit që të ndalojë menjëherë sulmet e tij ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit, duke paralajmëruar se veprime të tilla janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe rrezikojnë sigurinë e specialistëve rusë që punojnë në një nga centralet bërthamore të Iranit.

"Ne i konsiderojmë sulmet e palës izraelite ndaj objekteve bërthamore paqësore në Republikën Islamike të Iranit si absolutisht të papranueshme", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, gjatë një informimi në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, transmeton AA.

"Kjo është e paligjshme nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar, krijon kërcënime të papranueshme për sigurinë ndërkombëtare dhe e shtyn botën drejt një katastrofe bërthamore".

Zakharova shprehu shqetësim konkret për sigurinë e personelit rus në Iran.

"Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë e specialistëve rusë që punojnë në centralin elektrik Bushehr", tha ajo, duke i kërkuar Izraelit të ndërpresë fushatën e tij ushtarake që synon objektet bërthamore të Iranit.

Moska gjithashtu paralajmëroi SHBA-në kundër çdo përfshirjeje ushtarake në konfrontimin e vazhdueshëm.

"Ne do të donim të paralajmëronim veçanërisht Uashingtonin kundër ndërhyrjes ushtarake në këtë situatë, e cila do të ishte një hap jashtëzakonisht i rrezikshëm me pasoja negative vërtet të paparashikueshme", shtoi ajo.

Duke i quajtur sulmet izraelite "agresion të paprovokuar", Zakharova dënoi përpjekjet për t'i justifikuar ato me atë që ajo e përshkroi si "shqetësime imagjinare për mospërhapjen", duke e quajtur një arsyetim të tillë "cinizëm të plotë".

Paralajmërimet erdhën mes armiqësive në rritje midis Iranit dhe Izraelit, të cilat u intensifikuan pasi Izraeli nisi një operacion të gjerë ushtarak të premten e kaluar, duke synuar objektet bërthamore iraniane, vendet ushtarake dhe personelin e lartë shkencor.

Irani, i cili mohon se kërkon armë bërthamore, u përgjigj me sulme me raketa dhe dronë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Iranit, mbi 220 persona janë vrarë dhe të paktën 1,800 janë plagosur. Ambasadori i Iranit në Rusi përmendi gati 300 vdekje civile. Izraeli, nga ana tjetër, raportoi më shumë se 20 vdekje dhe mbi 800 plagosje.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për përmbajtje, të dyja palët vazhdojnë të shkëmbejnë zjarr, me Izraelin që zotohet të eliminojë aftësitë bërthamore të Iranit dhe Teheranin që zotohet të vazhdojë të hakmerret derisa të ndalen bombardimet.

Ndërsa tensionet rriten, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, dhe inteligjenca amerikane pohojnë se nuk ka prova të verifikuara për një program të armëve bërthamore iraniane, pavarësisht pretendimeve nga Izraeli dhe Presidenti Donald Trump.

​Izraeli nis valë të re sulmesh ajrore në Iranin perëndimor

Avionët luftarakë izraelitë nisën një valë të re sulmesh ajrore në Iranin perëndimor të enjten, tha ushtria.

Një deklaratë ushtarake tha se rreth njëzet avionë luftarakë morën pjesë në sulmet ndaj trupave dhe infrastrukturës raketore.

Ushtria tha gjithashtu se një dron izraelit goditi kamionë që transportonin raketa balistike ndërsa ato dyshohet se mbërritën në vendet e tyre të lëshimit. Megjithatë, deklarata nuk dha detaje rreth vendndodhjes së saktë të sulmeve.

Armiqësitë filluan të premten kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objektet ushtarake dhe bërthamore, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse.

Autoritetet izraelite thanë se të paktën njëzetekatër persona janë vrarë dhe qindra të plagosur që atëherë në sulmet raketore iraniane. Ndërkohë, në Iran, pesëqindetetëdhjetepesë persona janë vrarë dhe më shumë se një mijë e treqind të plagosur në sulmin izraelit, sipas raportimeve të medias iraniane.

Japonia dërgon 2 avionë ushtarakë për evakuime të mundshme nga Lindja e Mesme

Japonia po dërgon dy avionë shtarakë në Afrikën Lindore për një operacion të mundshëm evakuimi të shtetasve të saj nga Lindja e Mesme, në mes të tensioneve në rritje mes Iranit dhe Izraelit, deklaroi të enjten ministri i Mbrojtjes, Gen Nakatani.

Dy avionët transportues C-2 të Forcave të Mbrojtjes Vetjake (SDF), me rreth 120 anëtarë ekuipazhi, do të fluturojnë drejt një baze të SDF-së në vendin e Bririt të Afrikës, Xhibuti, dhe do të qëndrojnë aty në gatishmëri, raportoi agjencia Kyodo News me bazë në Tokio.

Vendimi u mor pas një kërkese nga ministri i Jashtëm, Takeshi Iwaya.

Avionët pritet të nisen nga Japonia të shtunën, sipas Anadolu.

“Situata në Lindjen e Mesme është bërë më e tensionuar pasi Izraeli dhe Irani vazhdojnë sulmet e ndërsjella,” tha Nakatani.

Ai theksoi se qeveria “është ende në fazën përgatitore për një transport të mundshëm” të shtetasve japonezë.

Ministria po përpiqet të konfirmojë se sa nga rreth 280 shtetasit japonezë në Iran dhe 1,000 në Izrael dëshirojnë të largohen nga këto vende.

Japonia po planifikon gjithashtu të evakuojë me autobus rreth 90 shtetas dhe anëtarë të familjeve të tyre nga kryeqyteti iranian Teheran drejt Azerbajxhanit fqinj, ndërsa po u ofron gjithashtu atyre që jetojnë në Izrael mundësinë e evakuimit me autobus drejt Jordanisë.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli ndërmori sulme ajrore mbi disa pika në Iran, përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke nxitur përgjigje hakmarrëse nga Teherani.

Autoritetet izraelite thanë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra janë plagosur që nga ajo kohë nga sulmet me raketa iraniane. Ndërkohë, sipas mediave iraniane, në Iran janë vrarë 585 persona dhe më shumë se 1,300 janë plagosur nga sulmet izraelite.

Fordo - zemra e programit bërthamor të Iranit

Prej ditësh, forcat ajrore izraelite kanë kryer sulme ndaj Iranit, veçanërisht ndaj objekteve bërthamore iraniane. Izraeli dyshon se regjimi në Teheran po kërkon të zhvillojë një bombë bërthamore. Autoritetet iraniane e mohojnë këtë. Megjithatë, gjatë viteve dhe dekadave të fundit, objekte bërthamore iraniane janë ndërtuar në të gjithë vendin.

Besohet se disa komplekse kërkimore bërthamore përmbajnë objekte të mëdha nëntokësore ku thuhet se kërkimet kryhen shumë përtej nivelit të përdorimit të energjisë bërthamore civile.

Dëmtime serioze në Natanz dhe Isfahan

Në Natanz, në Iranin qendror,uraniumi është pasuruar masivisht - deri në 60 për qind, sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Për një central bërthamor, uraniumi duhet të pasurohet në tre deri në pesë për qind, ndërsa për ndërtimin e një bombe është e nevojshme të pasurohet në rreth 90 për qind.

Sipas kreut të IAEA-s, Rafael Grossi, centrifugat mbi tokë të nevojshme për një proces të tillë janë shkatërruar pothuajse plotësisht nga sulmet. Por nuk është e qartë nëse pjesa nëntokësore e objektit është prekur. Ndërprerja e energjisë e shkaktuar nga sulmet izraelite mund të ketë shkaktuar dëme. Brenda objektit, thotë Grossi, mund të ketë "kontaminim të rrezikshëm nga rrezatimi", por deri më tani kjo nuk është vërejtur nga jashtë.

Të paktën katër ndërtesa u dëmtuan në qendrën e teknologjisë bërthamore pranë Isfahanit. Këtu përpunohet oksidi i uraniumit, i njohur si "torta e verdhë", që është faza thelbësore për pasurimin e mëvonshëm të uraniumit.

Artikullin e plotë mund ta lexoni KETU

Netanyahu zotohet të “paguajë çmimin e plotë” nga Irani pas sulmit në spital

Benjamin Netanyahu është zotuar të "paguajë çmimin e plotë" nga Irani pas një sulmi në një spital në Izraelin jugor.

Kryeministri izraelit postoi në X në lidhje me sulmin:

"Këtë mëngjes, tiranët terroristë të Iranit lëshuan raketa në Spitalin Soroka në Beersheba dhe në një popullsi civile në qendër të vendit.

"Ne do t'ua kërkojmë çmimin e plotë tiranëve në Teheran."

Sulmi në Izrael kishte në shënjestër një vend ushtarak pranë spitalit, thonë iranianët

Objektivi kryesor i sulmit me raketa të mëngjesit të sotëm ishte një vend ushtarak pranë spitalit Soroka në Beersheba të Izraelit, jo vetë spitali, thonë mediat shtetërore iraniane.

Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, sulmi kishte në shënjestër një “shtab të komandës dhe inteligjencës (IDF C4i)” të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) dhe një kamp inteligjence ushtarake në parkun teknologjik Gav-Yam.

“Spitali ishte i ekspozuar vetëm ndaj valës së shpërthimit dhe nuk pësoi dëme serioze, por infrastruktura ushtarake ishte një objektiv i saktë dhe i drejtpërdrejtë”, thanë ndër tjera iranianët.

Faqja e internetit e parkut të teknologjive të përparuara Gav-Yam Negev thotë se është “ngjitur me kampusin e Universitetit Ben Gurion dhe kampusin e Degës IDF C4i”.

Media izraelite ka raportuar gjithashtu më parë se një kampus i IDF po ndërtohet në këtë vend. 

Raportohet se goditet zona pranë reaktorit bërthamor iranian

Një zonë pranë reaktorit kërkimor të ujit të rëndë në Arak, i cili është pjesë e programit bërthamor të Iranit, është goditur nga Izraeli, sipas raporteve të mediave lokale, raporton BBC.

Më parë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit paralajmëruan njerëzit që jetojnë në qytetet e Arak dhe Khondab, të cilat janë pranë reaktorit, të largohen për sigurinë e tyre.

Në orën X, IDF u tha banorëve brenda një zone të caktuar të largohen nga zona "sa më shpejt të jetë e mundur".

Sipas Agjencisë së Lajmeve Studentore Iraniane (ISNA), zyrtarët thonë se objekti u evakuua para sulmit dhe nuk ka rrezik rrezatimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat