LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Bota

LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Nga: Bota sot Më: 13 qershor 2025 Në ora: 07:17 Përditësuar në ora: 17:38 më 17.06.2025
Presidenti Donald Trump

Trump mund të vendosë të ndërmarrë veprime të mëtejshme kundër Iranit, thotë JD Vance

Donald Trump mund të vendosë se duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme për t'i dhënë fund përpjekjeve të Iranit për pasurim bërthamor, thotë JD Vance.

Presidenti amerikan ka thënë se dëshiron të shohë një "fund të vërtetë" të konfliktit Izrael-Iran, por gjithashtu paralajmëroi se nëse trupat amerikane dëmtohen nga Teherani, atëherë "dorezat janë hequr".

Duke postuar në X, Vance thotë se 25 vitet e fundit të "politikës së jashtme idiote" pa dyshim do t'i shqetësojnë amerikanët për planet e Trump.

"Por unë besoj se presidenti ka fituar njëfarë besimi për këtë çështje," thotë ai.

"Dhe duke e parë këtë nga afër dhe personalisht, mund t'ju siguroj se ai është i interesuar vetëm të përdorë ushtrinë amerikane për të arritur qëllimet e popullit amerikan.

"Çfarëdo që të bëjë, ky është fokusi i tij."

Vance gjithashtu përdor postimin e tij për të argumentuar se Irani kishte "pasuruar uranium shumë mbi nivelin e nevojshëm për çdo qëllim civil".

Ai këmbëngul se Trump "ka treguar përmbajtje të jashtëzakonshme në mbajtjen e fokusit të ushtrisë sonë në mbrojtjen e trupave tona dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë".

Vance gjithashtu thotë: "Presidenti e ka bërë të qartë se Irani nuk mund të pasurojë uranium. Dhe ai tha vazhdimisht se kjo do të ndodhte në njërën nga dy mënyrat - në mënyrën më të lehtë ose në mënyrën 'tjetër'."

'Thellësisht i shqetësuar': Xi Jinping komenton për herë të parë mbi konfliktin Izrael-Iran

Nga: A.Sh

Kina është "thellësisht e shqetësuar" për sulmet izraelite ndaj Iranit, tha udhëheqësi i saj Xi Jinping.

Kjo shënon komentet e tij të para publike në lidhje me konfliktin që shpërtheu të premten.

Ai po fliste në margjinat e një samiti me pesë vende të tjera të Azisë Qendrore në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.

Xi tha se Kina kundërshtoi çdo veprim që shkelte sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të vendeve të tjera.

"Të gjitha palët duhet të punojnë për të çtensionuar konfliktin sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës", tha Xi, në komentet e cituara nga transmetuesi shtetëror kinez CCTV.

Trump u thotë banorëve të Teheranit që të evakuohen

Presidenti amerikan, Donald Trump, është kthyer më herët në Uashington nga samiti i Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7), që është mbajtur në Kanada, për shkak se duhet të trajtojë “çështje të rëndësishme”, tha më 16 qershor zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Njoftimi erdhi pak pasi Trump, përmes rrjeteve sociale, u bëri thirrje banorëve të Teheranit që të largohen menjëherë nga qyteti.

“Irani është dashur ta nënshkruajë ‘marrëveshjen’. U thashë ta nënshkruanin. Sa turp dhe sa humbje e jetës së njerëzve. Thënë thjesht: Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. E kam thënë vazhdimisht”, shkroi Trump në Truth Social. “Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani!”.

Ushtria izraelite, më herët, lëshoi një njoftim duke u bërë thirrje banorëve të një qarku të Teheranit që të evakuohen.

Paralajmërimet vijnë në një kohë kur Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj Iranit, të cilat thotë se synojnë të shkatërrojnë objektet bërthamore të Republikës Islamike.

Para vendimit të tij për t’u larguar më herët nga samiti në Kanada, Trump u tha gazetarëve: “Sapo të largohem, ne do të bëjmë diçka. Por, më duhet të largohem”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se, duke pasur parasysh qëllimin për të arritur një armëpushim në Lindjen e Mesme, largimi i Trumpit nga samiti i G7-ës është një zhvillim pozitiv, duke theksuar se amerikanët kanë ofruar të takohen me iranianët.

“Nëse Shtetet e Bashkuara arrijnë të sigurojnë një armëpushim, kjo është një gjë shumë e mirë", u tha Macron gazetarëve.

Por, më vonë Trump iu përgjigj kësaj deklarate të Macronit, duke thënë se udhëheqësi francez gabimisht tha se ishte larguar nga samiti për të punuar për një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit.

"Gabim! Ai nuk ka idenë pse po kthehem tani në Uashington, por me siguri nuk ka të bëjë fare me një armëpushim. Është diçka shumë më e madhe se kaq. Qoftë qëllimisht apo jo, Emmanuel gjithmonë gabon", shkroi Trump në Truth Social.

Para largimit të Trumpit nga samiti, të shtatë udhëheqësit nënshkruan një deklaratë ku theksohej “rëndësia e mbrojtjes së civilëve”, pas rritjes së sulmeve që kanë shkaktuar viktima civile në të dyja vendet.

Udhëheqësit e G7-ës – Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe SHBA-ja – gjithashtu thanë se Irani “kurrë nuk mund të ketë armë bërthamore” dhe se Izraeli “ka të drejtë të mbrojë veten”.

Në deklaratë thuhej se shpresohet të gjendet një zgjidhje për krizën iraniane, një zgjidhje “që çon drejt uljes së tensioneve në Lindjen e Mesme, përfshirë një armëpushim në Gazë”.

Janë ngritur pikëpyetje rreth përfshirjes së mundshme të SHBA-së në sulmet ndaj Iranit që nga vala e parë e bombardimeve të kryera nga Izraeli më 13 qershor. Presidenti amerikan ka përsëritur disa herë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë të përfshira në sulmet fillestare dhe ka refuzuar të deklarojë nëse do të marrin pjesë në të ardhmen.

I pyetur se çfarë do të duhej të ndodhte që SHBA-ja të përfshihej ushtarakisht në konflikt, Trump tha: “Nuk dua të flas për këtë”.

Izraeli ka shënjestruar disa objekte të programit bërthamor iranian, por nuk ka arritur ta shkatërrojë objektin për pasurimin e uraniumit në Fordou, i cili ndodhet thellë nën tokë dhe gjendet rreth 200 kilometra në jug të Teheranit. Sipas ekspertëve ushtarakë, që kanë folur për mediat amerikane, për ta eliminuar këtë objekt, Izraelit do t’i nevojitej një bombë amerikane që depërton në bunkerë, e cila mund të transportohet vetëm nga bombarduesi amerikan B-2, që është i pajisur me teknologji për shmangie të radarëve..REL

Përse ndjek Trump një kurs zik zak në konfliktin Izrael-Iran

Sulmi i Izraelit ndaj Iranit ishte biseduar me Uashingtonin. "Nuk ka ndonjë të papritur", njoftoi reporteri i Fox News Bret Baier pas një bisede me presidentin e SHBA-së Donald Trump të premten e kaluar (13.06.2025). Nuk ka pjesëmarrje aktive, thekson qeveria e SHBA-së. Por SHBA, partneri më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm ushtarakisht i Izraelit, as nuk e ka ndaluar ofensivën kundër Iranit.

Trump vazhdimisht në fushatën elektorale ka theksuar, se nuk dëshiron që ta involvojë SHBA-në në koflikte ushtarake në botë. Në fjalimin e tij ditën e marrjes së postit në janar 2025 Trump e shpalli veten si presidenti i ri i SHBA-së që "sjell paqen": Fuqia e SHBA-së, sipas tij, "do t'u japë fund të gjitha luftrave dhe do të sjellë një frymë të re të harmonisë" në botë. Në maj 2025 Trump në Arabinë Saudite u shpreh për një epokë të re të paqes, që po nis në Lindjen e Mesme.

Trump dhe bisedimet për programin bërthamor me Iranin

Nga ky qendrim paqësor nuk ka mbetur asnjë shenjë pas sulmitIzraelit ndaj Iranit. Në televizionin e SHBA-së ABC, Trump i quajti sulmet si "ekselente". Në platformën e tij Truth Social ai shkruan, që nga fillimi i bisedimeve të reja për programin bërthamor me Iranin i kam ofruar qeverisë në Teheran vazhdimisht shansin për një marrëveshje të re. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë një sulm është në prag, që mund të jetë më keq nga sa mund ta përfytyrojnë ata. Përfaqësuesit e vijës së fortë në Iran, që janë shprehur kundër marrëveshjes, tani "kanë vdekur të gjithë", shkruan Trump në postimin e tij. "E mund të bëhet edhe më keq!"

Delegacionet nga të dyja vendet që nga prilli janë takuar disa herë me qëllim për të negociuar një marrëveshje bërthamore, prej nga SHBA-ja u shkëput gjatë mandatit të parë të Trumpit më 2018. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje ishte të pengonteIraninnë ndërtimin e bombës atomike. Gjatë sulmeve të para të Izraelit krahas objektivave ushtarake dhe civile në shënjestër ishte kryesisht infrastruktura nukleare e Iranit.

Politologu britaniko-izryelit Daniel Levy është president i Institutit Studimor US/Middle East Project. Ai thotë, se Izraeli me gjasë i ka futur në mendje Trumpit idenë, se një goditje ushtarake kundër Iranit mund t'i avanconte bisedimet mes Ushingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor. Nuk është e rastësishme, që Netanjahu e nisi pikërisht tani ofensivën ushtarake. "Një motiv kryesor për Natanjahun ka qenë, që një sukses në bisedimet [ndërmjet SHBA-së dhe Iranit] me gjasë do kishte bërë që amerikanët ta pengonin atë", thotë Levy në intervistë për DW.

Por Trump vendosi të mos i japë sinjalin e kuq të stopit Netanjahun lidhur me sulmin ndaj Iranit, shkruan William F. Wechsler, drejtor për programet për Lindjen e Mesme në Atlantic Council, një thin-tank në SHBA. Pra nuk ka ndonjë apel për të mos sulmuar. "Mund të ketë ndodhur që udhëheqja në Izrael mungesën e një drite të kuqe nga SHBA-ja ta ketë interpretuar praktikisht si dritë jeshile", shkruan Wechsler.

Trump midis dy karrikeve

Në maj Trump shkarkoi këshilltarin e tij të sigurisë Michael Waltz. Ai padashje kishte ftuar një gazetar në një Messenger-Chat, ku anëtarët e qeverisë diskutonin plane ushtarake. Por nga hulumtimet e Washington Post ishte një faktor tjetër vendimtar për shkarkimin e Waltz: Këshilltari i Trumpit kishte shkëmbyer intensivisht biseda me kryeministrin izraelit për opcionet e mundshme ushtarake kundër Iranit – kjo përpara vizitës së Netanjahut në Shtëpinë e Bardhë. Gazeta shkruan, se Waltz ka dashur ta fusë politikën e SHBA-së në një shteg, që Trump e refuzon.

Ç'qendrim ka pra komandanti suprem amerikan në këtë konflikt: A i refuzon ai veprimet ushtarake kundër Iranit apo ato janë një arsye për të festuar për të? Sipas mendimit të ekpertit Ley presidenti i SHBA-së ndjek një kurs zik-zak në këtë çështje, sepse baza e tij MAGA ("Make America Great Again") është e përçarë, kur bëhet fjalë për misione ushtarake nëLindjen e Mesme.

"Ka një çarje në botën e MAGA", thotë Levy. Nga njëra anë është fraksioni, që mbështet plotësisht moton e Trumpit "America first". Për këtë grup interesat e SHBA-së janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Ky grup nuk do aspak që SHBA të involvohet në ndonjë konflikt të largët, i cili nuk ka të bëjë direkt me SHBA-në. Nga ana tjetër ndër mbështetësit e Trumpit janë edhe hebrejtë konservatorë amerikan. Për ta është vendimtare, që Izraeli pa asnjë mëdyshje të mbështetet – në rast nevoje edhe ushtarakisht. Levy këtë e konsideron të rrezikshme. "Sepse shtrohet pyetja, nëse bota do të shohë një Amerikë, që lejon një aleat të devijojë duke e lënë atë të involvohet në një konflikt ushtarak", thotë Levy. "Ky nuk është një mesazh i mirë që përcillet jashtë vendit."/DW

Sa janë të realizueshme kërcënimet e Iranit për largim nga traktati bërthamor dhe bllokada në Hormuz?

Mes një fushate ajrore përshkallëzuese izraelite kundër Iranit, sa shkojnë e shtohen thirrjet në Teheran për tërheqje të Iranit prej Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, njërës prej rrugëve kryesore në botë për transportim të naftës.

Armiqtë e përbetuar kanë sulmuar njëri-tjetrin prej 13 qershorit, pasi Izraeli ka nisur sulm të pashembullt kundër qendrave bërthamore të Iranit, bazave ushtarake dhe zonave të banimit, me qëllim të dëmtimit të programit bërthamor të Teheranit dhe eliminim të udhëheqësisë së lartë ushtarake.

Shumë komandantë të profilit të lartë të Gardës Revolucionare Islamike dhe shkencëtarë bërthamorë janë vrarë në sulme. Ministria e Brendshme e Iranit ka thënë se si pasojë e sulmeve janë vrarë 224 njerëz, përfshirë fëmijë.

Autoritetet izraelite kanë raportuar për 24 persona të vrarë, përfshirë civilë.

Izraeli ka thënë se e ka nisur sulmin, sepse e ka kuptuar që Irani është javë, nëse jo ditë, larg posedimit të armës bërthamore. Irani hedh poshtë këtë pretendim dhe insiston që programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore.

Mbrojtja ajrore e Izraelit duke goditur në ajër raketat iraniane mbi Tel Aviv, më 15 qershor.

Parlamenti i Iranit është duke çuar përpara një projektligj për tërheqje prej Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baqaei, më 16 qershor. Zyrtarët iranianë janë duke kërcënuar edhe me mbyllje të Ngushticës së Hormuzit, nëse vazhdojnë sulmet.

Mirëpo, ekspertët paralajmërojnë se kërcënimet e Teheranit mund të jenë më tepër teatër politik, sesa ndonjë ndryshim i madh.

Tërheqja nga Traktati: Më shumë zhurmë sesa kafshim?

Ligjvënësi iranian i linjës së ashpër, Hamid Rasaee, ka thënë përgjatë fundjavës se nuk ka asnjë kuptim që shteti të jetë pjesë e Traktatit për Mospërhapje të Armëve Bërthamore, pasi ai ka dështuar që t’i mbrojë qendrat bërthamore iraniane prej sulmeve.

Një tjetër ligjvënës, Mohammad Mannan, ka thënë se një projektligj me prioritet të lartë do t’i dorëzohet parlamentit, me kërkesë për largim nga traktati.

Pavarësisht retorikës së nxehtë në Teheran, ekspertët kanë thënë se Irani ka pak mundësi që të largohet aq shpejt.

“Tani për tani, Irani nuk duket se ka mundësi për t’u tërhequr prej Traktatit për Mospërhapje të Armëve Bërthamore, pavarësisht rritjes së presonit prej ligjvënësve të linjës së ashpër”, ka thënë Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe ato të Sigurisë, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Edhe nëse Parlamenti e miraton projektin, ai duhet të miratohet nga Këshilli i Gardianëve. Pjesëtarët e këtij organi për mbikëqyrje kushtetuese në Iran emërohen - direkt apo indirekt - nga lideri suprem, Ajatollah Ali Khamelei, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë, i cili e ka fjalën e fundit në të gjitha çështjet e mëdha shtetërore.

Azizi argumenton se tërheqja prej traktitit do ta shkatërronte mbrojtjen ligjore të Iranit.

“Deri më tani Teherani e ka mbrojtur veten në skenën ndërkombëtare me arsyetimin se veprimet e Izraelit janë të paligjshme. Largimi prej Traktatit për Mospërhapje të Armëve Bërthamore do ta dëmtonte krejtësisht në këtë drejtim”.

Më 2010, Khamenei e ka lëshuar një vendim ligjor – fatva – duke e shpallur gjë të “ndaluar” me rregullat e Islamit, përdorimin e armëve bërthamore, dhe kështu ka deklaruar se Irani nuk do t’i posedojë ato.

Zyrtarët iranianë e kanë përmendur shpesh këtë dekret si dëshmi që Republika Islamike nuk ka synim që t’i zhvillojë armët bërthamore.

Megjithatë, analistët argumentojnë se ky vendim ligjor nuk përbën pengesë serioze që Irani të posedojë bombë.

Ata besojnë se Irani mund të kryejë gjithë punën e nevojshme derisa vendimi të jetë në fuqi, dhe më pas Khamenei mund ta tërheqë atë në të ardhmen, nëse merret ndonjë vendim për të ecur përpara.

Baqaei ka thënë më 16 qershor se pavarësisht përpjekjeve legjislative për të iniciuar tërheqjen e Iranit nga traktati, Teherani nuk synon të ketë armë bërthamore.

Ngushtica e Hormuzit: Rreziqe të mëdha, shanse të vogla

Mediat dhe disa zyrtarë të linjës së ashpër e kanë përmendur sërish mundësinë e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit – vendim që kërcënon gati një të pestën e furnizimeve botërore me naftë.

Megjithatë, Gregory Brew, analist i lartë për Iranin dhe çështje të naftës në Grupin e Euroazisë – me seli në Nju Jork – ka thënë se ky është një kërcënim që Teherani vështirë se do ta jetësojë.

“Mbyllja e Ngushticës është karta e fundit e madhe në duart e Iranit”, ka thënë Brew në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Ai mund të vendosë bllokadë ujore përmes raketave balistike me rreze të shkurtër, anijeve detare dhe minave”.

Mirëpo, tentimet për të bllokuar këtë ngushticë strategjike do të kenë pasoja të konsiderueshme, sikurse nxitja e “menjëhershme” e përgjigjes nga Shtetet e Bashkuara dhe Këshilli Bashkëpunues i Gjirit.

“Nëse lufta me Izraelin do të jetë shumë e dëmshme, lufta me Shtetet e Bashkuara dhe ato të Gjirit do të jetë edhe më e ashpër”, ka thënë Brew.

Në aspektin ekonomik, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit do të dëmtonte edhe Iranin, sepse ai vetë e shfrytëzon për të eksportuar naftë, kryesisht në Kinë.

“Për aq kohë që kjo situatë të vazhdojë, nuk besoj se do të jetësohen këto kërcënime”, ka thënë Brew./REL

Një dron izraelit u rrëzua dhe u shkatërrua pranë objektit bërthamor të Natanzit të Iranit

Nga: A.M

Irani ka rrëzuar një dron izraelit pranë objektit bërthamor të Natanzit të vendit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve FARS, duke cituar një zyrtar lokal.

Droni u rrëzua "brenda një prej unazave mbrojtëse (zonës së operimit) të sistemeve të mbrojtjes ajrore të instalimit të Natanzit", tha zëvendësguvernatori i provincës Isfahan në Iranin qendror, sipas FARS.

Njoftimi u postua në Telegram së bashku me një foto të mbeturinave dhe makinerive të prishura në tokë, shkruan CNN, transmeton "Bota sot".

Natanzi konsiderohet një vend kyç bërthamor ku Irani ka pasuruar uranium deri në 60% pastërti, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Uraniumi i gradës së armëve pasurohet deri në 90%.

Ai u shënjestrua ditët e fundit nga sulmet ajrore të Izraelit, me imazhe satelitore që tregojnë dëme të konsiderueshme - duke përfshirë ndërtesën kryesore të furnizimit me energji të Natanzit dhe gjeneratorët e emergjencës dhe rezervë.

Macron thotë se Trump ka bërë një ofertë për armëpushim midis Izraelit dhe Iranit

Nga: A.M

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se homologu i tij amerikan Donald Trump ka bërë një ofertë për një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit.

"Ekziston një ofertë që është bërë, veçanërisht për të pasur një armëpushim dhe për të filluar diskutime më të gjera", u tha Macron gazetarëve në samitin e G7 në Kananaskis, Kanada të hënën, shkruan CCN, transmeton "Bota sot".

"Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të arrijnë një armëpushim, është një gjë shumë e mirë dhe Franca do ta mbështesë atë dhe ne e dëshirojmë atë", tha Macron, duke folur në frëngjisht.

"Është absolutisht thelbësore që të gjitha sulmet nga të dyja palët kundër infrastrukturës energjetike, administrative dhe kulturore, dhe akoma më shumë kundër popullsisë civile, të ndalojnë", tha ai, duke shtuar: "Asgjë nuk e justifikon këtë."

Dëgjohen sirenat, Irani lëshon më shumë raketa drejt Izraelit

Nga: A.M

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se Irani ka lëshuar më shumë raketa drejt Izraelit.

IDF udhëzoi banorët të hyjnë në strehimore kundër bombave dhe "të qëndrojnë atje deri në njoftim të mëtejshëm".

Sirenat kanë rënë në disa zona të Izraelit verior, tha IDF, raporton CNN, transmeton "Bota sot"

Izraeli e ka nisur ofensivën kundër Iranit më 13 qershor, duke sulmuar shënjestra iraniane, përfshirë qendra bërthamore, ka vrarë figura të larta ushtarake, shkencëtarë bërthamorë, si dhe ka goditur qytete dhe qendra të naftës dhe gazit natyror.

Forcat mbrojtëse izraelite thonë se raketat e zbuluara kanë kaluar në Izrael nga Irani

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thonë se kanë identifikuar raketa të lëshuara drejt territorit nga Irani.

Pikërisht tani, thuhet se “alarmimet u aktivizuan në disa zona të vendit pas zbulimit të raketave të lëshuara nga Irani”.

Në deklaratë, IDF thotë se “sistemet mbrojtëse po punojnë për të kapur kërcënimin” dhe këshillon banorët të hyjnë në zonat e mbrojtura nëse marrin një alarm.

Kjo vjen pas raportimeve në median shtetërore iraniane se Korpusi i Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) i Iranit lëshoi ​​një paralajmërim për Izraelin se sulmet me dronë dhe raketa do të fillonin sonte dhe do të vazhdonin deri në mëngjes, ka raportuar BBC.

Irani i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Irani ka kërkuar veprime të menjëhershme nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pas sulmeve të Izraelit në objektet bërthamore, duke theksuar se sipas tyre, agresioni vazhdueshëm e kërcënon sigurinë globale.

Në një letër të botuar në agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA të Iranit, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe Këshillit të Sigurimit, i dërguari i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, akuzoi Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe citoi “Rezolutën 487 (1981) të KS të OKB-së”, e cila dënoi sulmin e Iranit ndaj reaktorit Osirak të Irakut në vitin 1981, shkruan CNN.

“Zyrtarët izraelitë që kërcënojnë të kryejnë sulme të mëtejshme kundër objekteve bërthamore paqësore të Iranit janë një kërcënim serioz dhe në rritje për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe kërkojnë veprime të menjëhershme nga Këshilli i Sigurimit”, tha Iravani në letër.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat