Katër ndërtesa kritike në uzinën bërthamore të Isfahanit u dëmtuan në sulmet e Izraelit
Nga: A.M
Katër ndërtesa kritike në uzinën bërthamore të Isfahanit të Iranit u dëmtuan në sulmet e Izraelit të së premtes, tha të shtunën mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara, shkruan CNN, transmeton "Bota sot".
"4 ndërtesa kritike në uzinën bërthamore të Esfahanit u dëmtuan në sulmin e djeshëm, duke përfshirë Uzinën e Konvertimit të Uraniumit dhe Uzinën e Fabrikimit të Pllakave të Karburantit." - shkroi IAEA, në një postim në X
Nuk ka pasur rritje të niveleve të rrezatimit jashtë vendit, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në X.
Të premten, Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, tha se autoritetet iraniane raportuan se sulmet goditën uzinat e Isfahanit dhe Fordow, por IAEA po punonte për të marrë më shumë informacion.
Shkalla e dëmit në Isfahan ishte më e vështirë për t'u analizuar në orët pas goditjes, me pretendime kontradiktore mbi ndikimin e sulmit që po dilnin në Izrael dhe Iran.
Irani emëron shefin e ri të forcave ajrore pasi paraardhësi i tij u vra nga sulmi izraelit
Nga: A.M
Irani ka emëruar Gjeneral Brigade Seyyed Majid Mousavi si komandantin e ri të Forcave Ajrore të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), raportoi të shtunën media shtetërore iraniane, Press TV.
Mousavi pason Gjeneral Brigade Amir Ali Hajizadeh, i cili u vra në operacionin izraelit "Rising Lion" të premten, raporton CNN, transmeton "Bota sot".
Ushtria izraelite tha se Hajizadeh u vra në një sulm ajror së bashku me udhëheqës të tjerë të lartë të forcave ajrore iraniane, ndërsa u mblodhën në një qendër komande nëntokësore.
Mousavi njihet si "një nga arkitektët kryesorë të sistemeve të përparuara të parandalimit ushtarak të Iranit", tha Press TV.
Ai më parë shërbeu si zëvendëskomandant i Forcave Hapësinore të IRGC, raportoi Press TV.
Ministri izraelit thotë se Teherani 'do të digjet' nëse Irani nuk i ndal sulmet
Nga: A.Sh
Ministri i mbrojtjes i Izraelit ka lëshuar një deklaratë duke e paralajmëruar Iranin kundër sulmeve ndaj civilëve.
Tre persona janë vrarë në hakmarrjen e Iranit, sipas mjekëve të paramedikëve, ndërsa dhjetëra të tjerë raportohen të plagosur.
Kjo përgjigje erdhi pasi Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit, me të dyja palët që tani thonë se nuk do të ndalen.
"Diktatori iranian po i merr peng qytetarët e Iranit," tha Israel Katz.
"...duke sjellë një realitet në të cilin ata, dhe veçanërisht banorët e Teheranit, do të paguajnë një çmim të rëndë për dëmin flagrant që u është shkaktuar qytetarëve të Izraelit," vazhdoi ai.
"Nëse Khamenei vazhdon të qëllojë me raketa në frontin e brendshëm izraelit, Teherani do të digjet."
Izraeli godet drejtuesit ushtarakë të Iranit – eliminohen edhe dy gjeneralë të lartë
Izraeli eliminon dy gjeneralë të lartë iranianë, sulmet po vazhdojnë ndaj drejtuesve ushtarakë të Iranit.
Izraeli ka goditur përsëri udhëheqjen ushtarake të Iranit, duke eliminuar dy zv/kryetarë të Shtabit të Përgjithshëm iranian.
Bëhet fjalë për Mehdi Rabbani, përgjegjës për operacionet, dhe Gholamreza Mehrabi, kreun e inteligjencës.
Në një video të publikuar, komandanti i ri i Gardës Revolucionare, Ahmad Vahidi, paralajmëron se hakmarrja do të vazhdojë “sa të jetë e nevojshme”.
Paraardhësi i tij, Hossein Salami, u vra dje në një tjetër sulm të Izraelit, shkruan timesofisrael.
Ndërkohë, ushtria izraelite njofton se po vazhdon të synojë objektivat raketor brenda territorit iranian, duke goditur dhjetëra lëshues raketash tokë-tokë.
Këto sulme janë pjesë e një fushate më të gjerë që synon dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit.
Lajmet për sulmet gjatë natës përfshijnë goditje në disa objekte kyçe, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit, duke rritur tensionet në rajonin e Lindjes së Mesme.
Irani paralajmëron se do të godasë anijet dhe bazat e Mbretërisë së Bashkuar nëse ato mbrojnë Izraelin
Nga: A.Sh
Irani ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në dhe Francën të mos e ndihmojnë Izraelin të ndalojë sulmet e tij ndaj vendit.
Teherani tha se do të shënjestrojë anijet dhe bazat që u përkasin tre vendeve në rajon nëse ato nuk tërhiqen.
Kjo është sipas komenteve të raportuara nga media shtetërore iraniane.
Netanyahu i dërgon mesazh të fortë popullit iranianë: Unë jam me ju, zgjohuni kundër regjimit
Izraeli ka filluar një filluar një sulm ajror gjatë ditës së djeshme drejt Iranit, ku ky i fundit iu kundërpërgjigj gjatë orëve të mbrëmjes.
Në një deklaratë të fortë dhe drejtpërdrejtë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u bëri thirrje qytetarëve iranianë të ngrihen kundër regjimit aktual në Teheran, duke e cilësuar atë si “të lig” dhe “shtypës”.
“Ka ardhur koha që ju të bashkoheni rreth flamurit tuaj dhe trashëgimisë suaj historike. Të ngriheni për lirinë tuaj kundër një regjimi të keq dhe shtypës që nuk ka qenë kurrë më i dobët se sot. Kjo është mundësia juaj për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet”, tha ai me tone të ashpra drejtuar popullit iranian.
Ai theksoi se kjo është një mundësi historike për të kërkuar ndryshim dhe për të sfiduar një sistem që, sipas tij, nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve të Iranit.
“Unë jam me ju. Populli i Izraelit është me ju”, përfundoi fjalimin e tij, duke dhënë një mesazh mbështetjeje për iranianët që mund të ndihen të shtypur apo të pafuqishëm nën regjimin aktual.
Deklarata vjen në një kohë jashtëzakonisht të tensionuar, me përplasje të rënda ushtarake mes Izraelit dhe Iranit, dhe mund të shihet si një përpjekje për të nxitur ndasi të brendshme në Iran apo për të fituar simpati në nivelin e opinionit publik iranian.
Izraeli vazhdon sulmet ndaj Iranit
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftojnë se po vazhdojnë sulmet ajrore ndaj objektivave në Iran.
Në një deklaratë të shkurtër të postuar në Telegram, IDF tha se "[Forcat Ajrore Izraelite] vazhdojnë të godasin objektiva për të larguar kërcënimet në Iran".
Komentet u postuan së bashku me një video që tregonte pamje nga sulmet ajrore.
Kjo vjen më shumë se 24 orë pas sulmit fillestar të Izraelit në bazat ushtarake të Iranit, i cili vrau tre komandantë ushtarakë iranianë, sipas IDF.
Që atëherë, Irani ka nisur sulme me raketa ndaj Izraelit deri të shtunën në mëngjes.
Numri i të plagosurve nga sulmet e fundit iraniane rritet në 21
Njëzet e një persona që u plagosën në sulmet me raketa të Iranit kundër rajonit qendror bregdetar të Izraelit më parë janë evakuuar, thotë shërbimi i emergjencës së Izraelit Magen David Adom (MDA).
Në një postim të kohëve të fundit në X, MDA tha se një nga të plagosurit ishte në gjendje kritike.
Disa u plagosën rëndë dhe të tjerë ishin në një gjendje të lehtë deri të moderuar.
Irani kryen valë të re sulmesh ajrore në Izrael gjatë natës, Netanyahu zotohet për sulme shtesë
Teherani e ka kryer një valë të re sulmesh raketore në Tel Aviv dhe qytete të tjera të Izraelit gjatë natës dhe mëngjesit të së shtunës. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se ushtria e tij do të ndërmarrë sulme të mëtejshme kundër Iranit në një operacion ushtarak që synon objektet bërthamore dhe ushtarake të armikut të betuar të Izraelit.
Pak pas mesnate të shtunën, Izraeli tha se ushtria e tij kishte interceptuar një valë të re raketash iraniane tokë-tokë në Tel Aviv, Haifa dhe Jerusalem.
Kjo është dita e dytë radhazi që Irani kryen sulme ajrore në Izraeli, si përgjigje hakmarrëse për një sulm shkatërrues që Izraeli i kreu një ditë më herët kundër objekteve të lidhura me programin bërthamor të Teheranit.
"Sirena u dëgjuan në disa zona të Izraelit pasi u identifikuan raketa nga Irani drejt shtetit të Izraelit", tha ushtria izraelite.
Nuk ka shenja se përleshjet e reja mes këtyre dy vendeve të Lindjes së Mesme do të ndalen.
Derisa sirenat binin në orët e para të mëngjesit të shtunën, transmetimet e drejtpërdrejta televizive shfaqën një shpërthim të madh rreth orës 01:15 në Tel Aviv. Pamjet e mëvonshme shfaqën dëme në një kompleks apartamentesh, ndonëse hollësitë ishin të paqarta.
Macron: Franca e gatshme të mbështesë Izraelin nga sulmet e Iranit
Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi këtë të premte se Franca është e gatshme të marrë pjesë në operacione për mbrojtjen e Izraelit në rast se Irani ndërmerr sulme ndaj tij, duke shtuar se përfshirja do të varet nga zhvillimet në terren.
Presidenti francez theksoi se Franca i jep përparësi zgjidhjeve diplomatike, duke theksuar se nuk ka marrë pjesë dhe as mbështetur sulmet ajrore të fundit të kryera nga Izraeli.
“Ne mbështesim sigurinë e Izraelit dhe, nëse Izraeli sulmohet, Franca do të marrë pjesë në operacionet mbrojtëse të tij. Ne nuk e morëm këtë vendim së bashku me Izraelin.
I kam ofruar Izraelit gatishmërinë time për ndihmë, por në asnjë mënyrë nuk kam ndërmend të marr pjesë në ndonjë operacion ofensiv,” shtoi Macron sipas raportimeve të gazetës Le Monde.