Kamboxhia dhe Tajlanda shkëmbyen zjarr përgjatë kufirit të tyre të diskutueshëm për të katërtën ditë radhazi të dielën, disa orë pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump, njoftoi se dy vendet e Azisë Juglindore kishin rënë dakord për bisedime për armëpushim dhe tha se vazhdimi i luftimeve do të rrezikonte marrëveshjet e tyre tregtare me Uashingtonin.
Të paktën 32 persona janë vrarë dhe më shumë se 200.000 janë zhvendosur që nga e enjtja, sipas zyrtarëve tajlandezë dhe kamboxhianë, në përleshjet që kanë vazhduar pavarësisht thirrjeve nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Kina që të ndalen luftimet.
Vendet kanë mosmarrëveshje të kamotshme për një zonë që takon kufijtë e tyre.
Disa orë pas njoftimit të Trumpit, qeveria e Tajlandës tha të dielën se "nuk ishte gati" të ndalonte operacionet ushtarake dhe akuzoi Kamboxhian se vazhdonte të qëllonte me artileri të rëndë në zonat civile në provincën e saj Surin, në kufi dhe në disa zona të tjera.
“Asnjë ndërprerje e armiqësive nuk mund të arrihet” ndërsa Kamboxhia “po shkel vazhdimisht parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe të drejtës humanitare”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Tajlandës në një deklaratë, raporton CNN.
Trump tha se i kishte paralajmëruar udhëheqësit tajlandezë dhe kamboxhia se nuk do të bënte marrëveshje tregtare me asnjërin vend nëse konflikti vdekjeprurës kufitar vazhdon.
Kryeministri në detyrë i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, tha të dielën se vendi i tij nuk dëshiron që një vend i tretë të ndërmjetësojë, por ishte “mirënjohës” për “shqetësimin” e Trumpit.
“Ne kemi propozuar një takim dypalësh midis ministrave tanë të jashtëm, për të arritur në përfundimin se cilat do të ishin kushtet për armëpushim dhe tërheqjen e trupave dhe armëve me rreze të gjatë veprimi”, tha Phumtham në një konferencë për shtyp, duke shtuar se “ushtarët do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre” derisa të mos ketë rrezik për civilët.
Tajlanda goditi me dronë disa vende në Kamboxhia, zjarr tankesh, bomba thërrmuese dhe ajrore herët të dielën në mëngjes sipas kohës lokale, u tha gazetarëve një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias.
Disa nga predhat ranë pranë tempullit të lashtë Preah Vihear, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s në provincën veriore të Kamboxhias me të njëjtin emër, sipas gjenerallejtënant Maly Socheata. Kompleksi i tempullit ka qenë në qendër të përleshjeve të mëparshme midis dy kombeve.
Kamboxhia kritikoi ato që i quajti "akte agresioni të qëllimshme dhe të paramenduara" të Tajlandës.
Këto akte "kanë ndodhur pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të udhëhequra nga presidenti Donald Trump i cili kërkoi një armëpushim, përpjekje që janë mbështetur publikisht dhe qartë nga Hun Manet - kryeministri i Mbretërisë së Kamboxhias", tha gjenerallejtënant Maly Socheata.
"Forcat tona ende po kundërsulmojnë në mënyrë aktive dhe nuk kanë frikë të mbrojnë territorin", tha Maly Socheata.
Shërbimet shtetërore Kombëtare të Transmetimit të Tajlandës raportuan se forcat kamboxhiane kishin qëlluar me artileri në provincën kufitare tajlandeze të Surin, në perëndim të Preah Vihear, duke dëmtuar shtëpi banimi. Forcat tajlandeze po kundërpërgjigjeshin, raportuan shërbimet.
Tajlanda të dielën tha se 19 persona janë vrarë që kur filluan armiqësitë, kryesisht civilë. Sipas Ministrisë së Shëndetit Publik, më shumë se 138.000 persona nga gjashtë provinca janë zhvendosur dhe po qëndrojnë në strehimore qeveritare.
Kamboxhia tha të shtunën se në provincën Oddar Meanchey, e cila kufizohet me Surin të Tajlandës, 13 persona u vranë, përfshirë tetë civilë, dhe 50 u plagosën. Të paktën 80.000 njerëz në Kamboxhia janë zhvendosur nga luftimet, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
Presidenti Trump tha të shtunën se kishte folur me kryeministrin kamboxhian Hun Manet dhe kryeministrin në detyrë të Tajlandës në përpjekjet e tij për të rivendosur paqen.
"Ata kanë rënë dakord të takohen menjëherë dhe të punojnë shpejt për një armëpushim dhe, në fund të fundit, PAQE!" shkroi Trump në Truth Social në një seri postimesh duke përshkruar përpjekjet e tij diplomatike, por pa ofruar detaje mbi negociatat.
"Ata gjithashtu po kërkojnë të kthehen në "Tryezën e Tregtisë" me Shtetet e Bashkuara, gjë që ne mendojmë se është e papërshtatshme të bëhet derisa të ndalen luftimet", shkroi Trump.
Më parë këtë muaj, Trump i shkroi letra Tajlandës dhe Kamboxhias duke kërcënuar me një tarifë prej 36% për shumicën e eksporteve të tyre në SHBA, duke filluar nga 1 gushti. Kamboxhia dhe Tajlanda u dhanë oferta të konsiderueshme homologëve të tyre amerikanë në një përpjekje për të kaluar në vijën e parë për një marrëveshje tregtare, thanë zyrtarët në atë kohë.
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Hun Manet falënderoi Trumpin dhe tha se Kamboxhia ishte dakord me "propozimin për një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar midis dy forcave të armatosura". Ai shtoi se më parë kishte rënë dakord për një propozim për armëpushim nga kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim.
Një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Tajlandës ishte më e matur, duke thënë se dëshironte të shihte "qëllim të sinqertë nga pala kamboxhiane" - por se Phumtham gjithashtu "i kishte kërkuar presidentit Trump të përcjellë ... se Tajlanda dëshiron të thërrasë një dialog dypalësh sa më shpejt të jetë e mundur për të sjellë masa dhe procedura për armëpushimin dhe zgjidhjen përfundimtare paqësore të konfliktit".
Bangkoku dhe Phnom Penhi kanë luftuar për territorin e kontestuar që kur fuqia koloniale Franca vendosi kufirin midis tyre më shumë se një shekull më parë. Konflikti i përtërirë vdekjeprurës vë përballë aleatin e hershëm të SHBA-së, Tajlandën, me dekada përvojë, kundër forcës relativisht të re të armatosur të Kamboxhias, e cila ka lidhje të ngushta me Kinën.
Kombet e Bashkuara e kanë dënuar dhunën, me Sekretarin e Përgjithshëm Antonio Guterres i cili kërkoi, përmes postimi në X, që "të dyja palët të bien dakord menjëherë për një armëpushim dhe të adresojnë çdo çështje përmes dialogut".