Çfarë lëshimesh mund të bëjë Zvicra për ta zbutur presidentin amerikan?

Bota

Çfarë lëshimesh mund të bëjë Zvicra për ta zbutur presidentin amerikan?

Më: 2 gusht 2025 Në ora: 13:28
Ide të rrezikshme për të shmangur ‘çekiçin doganor’ të Trumpit

Nga data 7 gusht, SHBA-të do të vendosin tarifa ndëshkuese prej 39 për qind ndaj produkteve të importuara nga Zvicra. Vendit alpin i kanë mbetur edhe pak ditë për të shmangur këtë masë përmes negociatave – ashtu siç ia doli edhe Bashkimi Evropian. Për diplomatët në Bernë pritet një javë pa gjumë.

Por si mund ta bindë Zvicra presidentin amerikan Donald Trump (79) që të tërhiqet? Deri më tani, strategjia negociuese e Këshillit Federal nuk ka funksionuar. Tani po shtohen zërat për një ndryshim qasjeje – për masa të kundërta, për lëshime, e madje edhe për ndërhyrje simbolike në sektorë të ndjeshëm. Ndërkohë, ka edhe zëra të fuqishëm kundër veprimeve hakmarrëse – si ish-këshilltarja federale Micheline Calmy-Rey (80).

1. Kërkesa më të rrepta për kompanitë amerikane

Deputeti liberal Hans-Peter Portmann (62) ka dorëzuar në Komisionin për Politikë të Jashtme propozime për masa hakmarrëse. Ai thotë se duhet shqyrtuar seriozisht nëse Zvicra duhet t’u vendosë kriteret më të rrepta të kontrollit të cilësisë dhe certifikimit shteteve pa marrëveshje tregtare me Zvicrën, përfshirë SHBA-në.

Kjo do të përfshinte edhe detyrimin që kompanitë të kenë një ent juridik në Zvicër dhe një person përgjegjës, i cili mund të mbahet ligjërisht përgjegjës në rast shkeljesh.

2. Lëshime në tarifat bujqësore

Një opsion tjetër për të shmangur përplasjen është që Zvicra t’i vijë në ndihmë Trump-it me lëshime doganore në produkte bujqësore. FDP-ja dhe të rinjtë liberalë propozojnë që Zvicra të ulë gradualisht tarifat për mishin amerikan apo për portokallet, meqë këto janë mallra të rëndësishme për SHBA-në por më pak të ndjeshme për tregun zviceran. Tarifat bujqësore konsiderohen një nga barrierat më të kritikuara nga Uashingtoni.

3. Vendosja e tarifave të kundërta

Philipp Matthias Bregy, kreu i partisë së Qendrës, ka propozuar tarifa hakmarrëse, por vetëm në sektorë ku Zvicra prodhon mjaftueshëm ose ka alternativa nga vende të tjera. Sipas tij, kështu nuk do të paguajë popullata e Zvicrës çmimin për konfliktin tregtar.

4. Masa në tregtinë e arit

Trump ka deklaruar se arsyeja për rritjen e tarifave është deficiti tregtar me Zvicrën, i cili kap shumën prej 40 miliardë dollarësh. Një pjesë e madhe e këtij deficiti lidhet me tregtinë e arit – pasi Zvicra importon dhe rafinon sasi të mëdha ari për eksport në SHBA.

Një ide është që ky transit i arit të tatimohet me një taksë për qëndrueshmëri. Po ashtu, mund të ndalohet përkohësisht rafinimi i arit për vende pa marrëveshje tregtare ose të tatohet më shumë fitimi. Kështu, SHBA-së do t’i bëhej e qartë se problemi nuk qëndron te diskriminimi, por te mënyra se si ajo e menaxhon këtë treg.

5. Lëshime në çmimet e barnave

Një tjetër kritikë amerikane ka të bëjë me eksportin masiv të barnave nga Zvicra. Përfaqësuesi amerikan për tregti, Jamieson Greer, ka përmendur se kjo përbën një pjesë të madhe të deficitit tregtar. Ekonomistë zviceranë propozojnë që të shqyrtohet ulja e çmimeve të barnave të eksportuara, për të zbutur konfliktin dhe për të mbrojtur industrinë farmaceutike.

6. Anulimi i kontratës për avionët F-35

Zvicra mund të anulojë blerjen e avionëve luftarakë amerikanë F-35, për të kursyer deri në 1.3 miliardë dollarë shtesë të papritura. Edhe përkundër mbështetjes tradicionale të FDP-së për këtë blerje, Portmann tani e vë në pikëpyetje vazhdimin e saj.

Sipas tij, mund të zgjidhen dy rrugë: ose anulohet kontrata, ose merren vetëm mjetet që janë paguar dhe pjesa tjetër zëvendësohet me pajisje evropiane.

7. Padi në Organizatën Botërore të Tregtisë (WTO)

Profesori Thomas Cottier thotë se tarifat e reja janë të paligjshme sipas rregullave të WTO-së dhe Zvicra duhet të padisë SHBA-në. Por një vendim i WTO-së kërkon kohë dhe SHBA-të prej vitesh bllokojnë emërimin e gjyqtarëve të rinj në këtë organizatë – çka e bën efektin më shumë simbolik se praktik.

8. Çfarë mund të bëjë më shumë Zvicra?

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ndonjë nga këto masa do ta bindë Trump-in të heqë dorë. Edhe Bashkimi Evropian ka paguar shtrenjtë për të arritur një marrëveshje – ka premtuar investime prej 600 miliardë dollarësh në SHBA, blerje të energjisë amerikane me vlerë 750 miliardë dhe heqje të shumë tarifave ndaj produkteve amerikane.

Ish-këshilltarja federale Micheline Calmy-Rey paralajmëron kundër masave hakmarrëse: “Zvicra është thjesht shumë e vogël për t’i bërë ballë SHBA-së me masa të tilla,” tha ajo. “Në marrëdhënie asimetrike si kjo mes Zvicrës dhe Amerikës, rruga e vetme është negociata.”

Nga ana e tij, përfaqësuesi amerikan Greer nuk ka lënë shpresë për një marrëveshje të afërt: “Kjo nuk është në fokusin tonë,” tha ai. “Sigurisht që çdo vend mund të flasë me ne, por ne tani jemi të përqendruar në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.” / Blic

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat