Avionë rusë shkelin hapësirën ajrore në Letoni e Alaskë, Moska: Nëse rrëzohen, do ketë luftë

Bota

Avionë rusë shkelin hapësirën ajrore në Letoni e Alaskë, Moska: Nëse rrëzohen, do ketë luftë

Më: 26 shtator 2025 Në ora: 10:24
Foto ilustrim

NORAD (Komanda e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut) ka deklaruar se katër avionë luftarakë F-16 amerikanë, një avion vëzhgues dhe katër avionë cisternë “kanë kapur” katër avionë ushtarakë rusë (2 Tupolev Tu-95 dhe 2 Sukhoi Su-35), që po hynin në zonën e mbrojtjes ajrore të Alaskës.

Një nga avionët rusë qëndroi në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe nuk hyri në hapësirën ajrore sovrane të SHBA-ve apo Kanadasë, theksoi NORAD. Megjithatë, zona e identifikimit ajror të Alaskës është një hapësirë ndërkombëtare, që kërkon identifikim të menjëhershëm të çdo avioni për arsye sigurie kombëtare. NORAD tha gjithashtu se aktiviteti rus në këtë zonë ndodh rregullisht dhe nuk konsiderohet kërcënim.

Shkelja e hapësirës ajrore në Letoni

“Dy avionë luftarakë Gripen hungarezë nga misioni i NATO-s për patrullimin ajror të Balltikut u ngritën nga baza e Siauliai, në Lituani, për të reaguar ndaj pranisë së një Su-30, një Su-35 dhe tre MiG-31 rusë që po fluturonin afër hapësirës ajrore të Letonisë”. Këtë e bëri me dije Komanda Ajrore Aleate në një mesazh në X.

NATO theksoi se kjo tregon angazhimin për të mbrojtur vendet baltike dhe krahun lindor të Aleancës.

Rastet e mëparshme

Më 19 shtator, tre avionë rusë hynë pa autorizim në hapësirën ajrore të Estonisë, ku qëndruan për 12 minuta, sipas Ministrisë së Jashtme estoneze. Kjo ndodhi vetëm pak më shumë se një javë, pasi avionët e NATO-s kishin rrëzuar dronë rusë mbi Poloni, duke rritur frikën për përhapjen e luftës në Ukrainë.

Avionë Gripen suedezë dhe Eurofighter gjermanë u ngritën për të identifikuar dhe ndjekur një avion rus të vëzhgimit IL-20 në hapësirën ajrore ndërkombëtare, siç deklaroi Forca Ajrore Suedeze. Më pas, monitorimi iu transferua aleatit suedez dhe gjermanët u kthyen në bazën e tyre në Rostock-Laage.

Kjo ishte shkelja e tretë në hapësirën ajrore të Estonisë për muajin shtator. Shkelje të ngjashme janë raportuar edhe në Poloni dhe Rumani.

Rritja e tensioneve

Që prej 9 shtatorit, kur disa dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake, forcat polake dhe aleate i rrëzuan. Moska tha se dronët nuk kishin objektiv Poloninë, por liderët evropianë i konsideruan veprimet si provokim të qëllimshëm.

Më 14 shtator, Rumania ngriti avionët e saj luftarakë pas identifikimit të një droni rus në hapësirën e saj ajrore. Dy F-16 dhe më pas dy Eurofighter gjermanë u mobilizuan. Droni u tërhoq në drejtim të Ukrainës, përpara se të rrëzohej.

Një avion ushtarak rus ka fluturuar mbi një fregatë të Marinës gjermane në Detin Baltik. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e cilësoi incidentin si një tjetër provokim rus, duke thënë se “Rusia me frekuencë dhe intensitet në rritje teston kufijtë e NATO-s”.

Qëndrimet e BE-së, Trump dhe NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha në një intervistë për Fox News se ushtritë e NATO-s mund të rrëzojnë avionët rusë, nëse hyjnë në territorin e vendeve aleate. “Jam dakord me Presidentin Trump: nëse është e nevojshme, ne do të ndërhyjmë. Ushtritë tona janë të trajnuara për këtë”, tha ai.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha për CNN. “Ne duhet të mbrojmë çdo centimetër të territorit. Nëse ndodh një shkelje, dhe pasi të jepet paralajmërim, opsioni i rrëzimit të një avioni që shkel hapësirën tonë ajrore është mbi tryezë”.

Përgjigja e Moskës

Ambasadori rus në Francë, Alexey Meshkov, paralajmëroi se rrëzimi i një avioni rus nga NATO në hapësirën e saj ajrore, do të nënkuptonte luftë. “Ka shumë avionë të NATO-s që shkelin hapësirën ajrore ruse, qëllimisht ose jo dhe ne nuk i rrëzojmë ata”.

Dronë mbi Danimarkë, Suedi dhe Francë

Autoritetet daneze denoncuan një “sulm serioz” ndaj infrastrukturës së vendit, pasi dronë të paidentifikuar fluturuan mbi aeroportet e Kopenhagenit dhe Aalborgut, duke bllokuar trafikun ajror për katër orë. Ngjarje të ngjashme ndodhën edhe në Oslo më 22 shtator.

Po hetohet mundësia e përfshirjes së anijeve ruse, si p.sh. Astrol-1, apo të tjerave të përdorura për eksportin e naftës ruse, në organizimin e sulmeve me dronë.

Në Francë, dronë të vegjël të paidentifikuar fluturuan mbi bazën ushtarake Mourmelon-le-Grand, në verilindje të vendit. Sipas ushtrisë franceze, nuk ishin dronë ushtarakë dhe për këtë, është ngritur padi pranë xhandarmërisë./La Stampa/

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat