​Imazhi i krijuar në ChatGPT çon në arrestimin e të dyshuarit për zjarrin vdekjeprurës në Palisades

Bota

​Imazhi i krijuar në ChatGPT çon në arrestimin e të dyshuarit për zjarrin vdekjeprurës në Palisades

Më: 9 tetor 2025 Në ora: 10:55
Foto ilustrim

Një 29-vjeçar, Jonathan Rinderknecht, është arrestuar nën dyshimin se ka shkaktuar zjarrin shkatërrimtar në Palisades të Los Anxhelosit, ku humbën jetën 12 persona dhe u dogjën mbi 6.000 shtëpi në janar.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, raporton BBC, në pajisjet e tij digjitale u gjetën prova, përfshirë një imazh të gjeneruar në ChatGPT që tregonte një qytet në flakë.

Zjarri, një nga më shkatërrimtarët në historinë e Los Angjelosit, shpërtheu më 7 janar pranë një shtigje ecjeje që shikon lagjen e pasur bregdetare të Palisades. Ai dogji mbi 23.000 hektarë dhe shkaktoi rreth 150 miliardë dollarë dëme, duke përfshirë edhe zona të Topanga dhe Malibu.

Hetuesit thonë se zjarri fillimisht ishte ndezur më 1 janar nga Rinderknecht, i cili e kishte ndezur me flakë të hapur pas një udhëtimi si shofer i Uberit. Ai banonte afër vendit ku dyshohet se e nisi zjarrin dhe kishte jetuar dikur në Palisades të Paqësorit.

Në telefonin e tij u gjetën video të zjarrfikësve, thirrje të përsëritura në 911 dhe një incizim i ekranit i përpjekjeve për të raportuar zjarrin - që hetuesit besojnë se u bënë për të krijuar një “alibi të pafajshme”. Ai gjithashtu i kishte shkruar ChatGPT-së: “A je fajtor nëse një zjarr ndizet për shkak të cigareve të tua?”

Hetuesit gjetën edhe kërkesa të tjera të çuditshme në ChatGPT, si dhe një tekst ku ai shkruante: “Dogja Biblën që kisha. U ndjeva i lirë”.

Sipas autoriteteve, ai dukej i shqetësuar gjatë marrjes në pyetje, dhe reagonte fizikisht kur pyetej për zjarrin.

Guvernatori Gavin Newsom, e quajti arrestimin “një hap drejt drejtësisë dhe mbylljes për mijëra kalifornianë që humbën gjithçka”.

Një raport i ri i LAFD-së theksoi se mungesa e burimeve, erërat e forta dhe komunikimet e dobëta e përkeqësuan situatën. Zjarrfikësit punuan deri në 48 orë pa pushim, ndërsa evakuimet u vonuan për shkak të politikave të vjetruara.

Shefi i përkohshëm i zjarrfikësve, Ronnie Villanueva, tha se raporti synon të “forcojë besimin publik” dhe se tashmë janë ndërmarrë masa të reja teknologjike dhe organizative për të përmirësuar reagimin ndaj zjarreve të ardhshme.

Zyra e guvernatorit ka kërkuar gjithashtu një rishikim nga ekspertët kombëtarë të sigurisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat