​Trupat e viktimave vendosen në një shesh pas bastisjes së policisë në Rio de Zhaneiro

Bota

​Trupat e viktimave vendosen në një shesh pas bastisjes së policisë në Rio de Zhaneiro

Më: 29 tetor 2025 Në ora: 16:19
Foto ilustrim

Të paktën 64 persona, mes tyre katër oficerë policie, janë vrarë gjatë një bastisjeje masive në Rio de Zhaneiro kundër anëtarëve të dyshuar të bandës kriminale “Komanda e Kuqe”.

Trupat e mbi 40 viktimave u vendosën në një shesh të një lagjeje të varfër, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri mund të rritet me zbulimin e trupave të tjerë.

Sipas BBC, banorët përshkruan përleshjet në Alemão dhe Penha si “të ngjashme me luftën”, me shkëmbime të ashpra zjarri midis policisë dhe bandave, ndërsa autobusë u vunë në zjarr për të krijuar barrikada.

Sipas policisë, anëtarët e bandës përdorën dronë për të hedhur eksplozivë mbi oficerët. Guvernatori i shtetit të Rios, Cláudio Castro, tha se operacioni kishte për qëllim “të godiste në zemër narkoterrorizmin” dhe e përshkroi ditën si “historike” për forcat e rendit.

Operacioni ishte planifikuar për dy muaj dhe u bazua në një hetim të gjerë. Një nga të arrestuarit është i dyshuar si furnizues i madh droge “Komandës së Kuqe”. Bastisja ndodhi vetëm pak ditë para Samitit Botëror të Kryetarëve të Bashkive C40 dhe ndarjes së Çmimit Earthshot nga Princi William, ngjarje që pritet të mbahen në Rio.

Zyra e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara e dënoi numrin e lartë të viktimave, duke e cilësuar operacionin “tronditës”.

Ministri i Sigurisë Publike i Rio de Zhaneiro, Victor Santos, tha se 280 mijë njerëz jetojnë në zonat ku u zhvilluan bastisjet, duke shtuar se “kjo është një luftë që po ndodh në Rio për shkak të dekadave të mosveprimit institucional”, transmeton KosovaPress.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat