“Ishte një akt i mahnitshëm ushtarak”, Trump flet për detajet e arrestimit të Maduros

Bota

“Ishte një akt i mahnitshëm ushtarak”, Trump flet për detajet e arrestimit të Maduros

Nga: Bota sot Më: 3 janar 2026 Në ora: 10:50 Përditësuar në ora: 11:11 më 03.01.2026
Donald Trump

Detajet e kapjes së Maduros mbeten të paqarta

Nga: A.M.

SHBA-ja prej kohësh e ka akuzuar Nicolás Maduron se drejton një organizatë ndërkombëtare të trafikut të drogës, diçka që Maduro e mohon.

Trump nuk dha më shumë detaje se si u kap Maduro apo se ku është dërguar.

Qeveria venezueliane ende nuk e ka konfirmuar këtë, shkruan BBC, transmeton "Bota sot".

SHBA-ja kishte ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacion që çonte në arrestimin e Maduros.

Kjo, së bashku me grumbullimin e madh ushtarak në rajon gjatë muajve të fundit, u interpretua në rajon si një nxitje që dikush brenda vendit të kthehej kundër tij.

Donald Trump shton në Truth Social se do të ketë një konferencë për shtyp në orën 11:00 EST (16:00 BST), në rezidencën e presidentit në Florida, Mar-a-Lago.

Trump: Maduro është kapur dhe është nxjerrë nga Venezuela

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë kapur dhe janë transportuar jashtë Venezuelës, pas sulmeve ushtarake të SHBA-së në këtë vend.

Në një postim në platformën Truth Social, të publikuar herët të shtunën në mëngjes, Trump konfirmoi se ushtria amerikane ka kryer sulme në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqjes së saj.

““Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit. Ky operacion është realizuar në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Detaje të tjera do të ndahen më vonë”, ka shkruar Trump, duke shtuar se në operacion janë përfshirë edhe agjenci amerikane të zbatimit të ligjit, pa specifikuar se cilat prej tyre apo rolin e saktë të tyre në këtë veprim.

Trump kujtoi gjithashtu se Nicolás Maduro ishte akuzuar në vitin 2020 nga një gjykatë amerikane për narcoterrorizëm, akuza që qeveria venezuelane i ka mohuar vazhdimisht, raporton cbsnews.

Presidenti amerikan njoftoi se më shumë detaje do të bëhen publike gjatë një konference për media, e cila pritet të mbahet sot në orën 11:00 sipas kohës lindore (ET), në Mar-a-Lago, Florida.

"Sot do të mbahet një konferencë për media në orën 11:00, në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!", ka shkruar ai.

Deri tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga autoritetet venezuelane lidhur me këto pretendime, ndërsa situata mbetet në zhvillim.

SHBA-ja e sulmon Venezuelën pas kërcënimeve të Trumpit ndaj Maduros

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme brenda Venezuelës të shtunën, tha një zyrtar amerikan.

Kryeqyteti Karakas u trondit nga disa shpërthime mëngjesin e hershëm, të cilat ndodhën pas kërcënimeve të vazhdueshme nga presidenti amerikan, Donald Trump, kundër presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Qeveria venezuelase theksoi se sulme kanë ndodhur edhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira, duke e shtyrë Maduron të shpallë gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe t’i mobilizojë forcat e mbrojtjes.

Shpërthime, avionë dhe tym i zi u panë në të gjithë Karakasin duke filluar rreth orës 2:00 të mëngjesit për afërsisht 90 minuta, sipas dëshmitarëve dhe pamjeve që qarkullonin në rrjetet sociale, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Në pjesën jugore të qytetit, ku ndodhet një baze e madhe ushtarake, pati ndërprerje të rrymës, thanë dëshmitarët.

Trumpi është zotuar vazhdimisht se do të kryente operacione tokësore në Venezuelë, e cila është prodhuese e naftës në Amerikën e Jugut, dhe e cila udhëhiqet nga Maduro që nga viti 2013.

Shtetet e Bashkuara, opozita venezuelase dhe disa vende të tjera thonë se Maduro i manipuloi zgjedhjet vitin e kaluar për të qëndruar në pushtet.

Trump nuk i ka treguar në hollësi qëllimet e tij, por, sipas Reutersit, ai ka ushtruar privatisht trysni ndaj Maduros që të largohet nga vendi.

Të hënën, Trump tha se do të ishte “mençuri” për Maduron që të largohet nga pushteti.

Shtëpia e Bardhë nuk deshi të komentojë për sulmet në Venezuelë pas pyetjeve nga Reuters.

Qeveria venezuelase, në deklaratën e saj, tha se qëllimi i sulmit ishte që Shtetet e Bashkuara “t’i marrin në zotërim naftën dhe mineralet e vendit”.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara “nuk do të arrijnë” ti marrin këto burime.

SHBA-ja ka bërë një grumbullim të madh ushtarak në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe avionë të avancuar luftarakë, të vendosur në Karaibe.

Trumpi i ka zgjeruar sanksionet kundër Qeverisë së udhëhequr nga Maduro dhe ka kryer më shumë se dy duzina sulmesh ndaj anijeve që SHBA-ja pretendon se ishin të përfshira në trafikimin me drogë në Oqeanin Paqësor dhe në Detin e Karaibeve.

Javën e kaluar, Trump tha se Shtetet e Bashkuara kishin goditur një zonë në Venezuelë ku ngarkohen anije me drogë. Kjo ishte hera e parë që dihet se Uashingtoni ka kryer operacione tokësore në Venezuelë që nga fillimi i fushatës së presionit.

Ai nuk tha nëse këto sulme u kryen nga CIA apo jo. Media të tjera kanë raportuar se agjencia e spiunazhit ishte përgjegjëse.

Trumpi e ka akuzuar Venezuelën se po e mbush SHBA-në me drogë, dhe administrata e tij prej muajsh ka bombarduar anije që vijnë nga Amerika e Jugut, të cilat pretendon se transportonin drogë. Shumë vende i kanë dënuar këto sulme si vrasje jashtëgjyqësore, ndërsa Qeveria e Maduros e ka mohuar gjithmonë çdo përfshirje në trafikim me drogë. / REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat