Votimi në zgjedhjet njëmujore të organizuara nga junta ushtarake në Mianmar u mbyll të dielën, me partinë kryesore pro-ushtrisë në rrugë drejt një fitoreje dërrmuese. Kritikët thonë se procesi zgjedhor vetëm sa do të zgjasë kontrollin e ushtrisë mbi pushtetin.
Vendi i Azisë Juglindore ka një histori të gjatë sundimi ushtarak, por gjeneralët u tërhoqën për rreth një dekadë gjatë reformave të udhëhequra nga civilët. Kjo periudhë përfundoi me grushtin e shtetit të vitit 2021, kur figura simbol e demokracisë, Aung San Suu Kyi, u arrestua, shpërtheu lufta civile dhe vendi u zhyt në një krizë të thellë humanitare.
Faza e tretë dhe e fundit e zgjedhjeve u zhvillua në dhjetëra zona të vendit, vetëm pak ditë para përvjetorit të pestë të grushtit të shtetit. Ushtria pretendon se zgjedhjet do t’ua kthejnë pushtetin qytetarëve, por me Suu Kyi-n të përjashtuar dhe partinë e saj të shpërbërë, mbështetësit e demokracisë thonë se gara është e manipuluar në favor të aleatëve të ushtrisë.
Kreu i juntës, Min Aung Hlaing, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë të bëhet president pas zgjedhjeve, vizitoi qendrat e votimit në Mandalay, i veshur me rroba civile.
“Kjo është rruga e zgjedhur nga populli”, deklaroi ai për AFP, duke shtuar se qytetarët janë të lirë të mbështesin kë të duan.
Votimi nuk u mbajt në zonat e kontrolluara nga rebelët, ndërsa në territoret nën kontrollin e juntës, vëzhguesit e të drejtave të njeriut raportojnë për presione dhe shtypje të kundërshtimit. Një mësues 53-vjeçar në Mandalay tha se kishte votuar me shpresën për një vend më të mirë, edhe pse nuk priste shumë ndryshime.
Partia e Solidaritetit dhe Zhvillimit të Unionit (USDP), e mbushur me ish-oficerë dhe e cilësuar nga analistët si një “kukull” e ushtrisë, ka fituar mbi 85 për qind të vendeve të zgjedhura në dhomën e ulët dhe rreth dy të tretat në dhomën e lartë gjatë dy fazave të para të votimit. Eksperti i OKB-së për të drejtat e njeriut, Tom Andreës, paralajmëroi se shtetet që pranojnë rezultatet do të bëhen bashkëfajtorë në përpjekjen e juntës për të legjitimuar sundimin ushtarak përmes një “vote të fabrikuar”.
Rezultatet zyrtare pritet të shpallen në fund të kësaj jave. Ndërkohë, kushtetuta e hartuar nga ushtria u garanton forcave të armatosura një të katërtën e vendeve në parlament, i cili më pas zgjedh presidentin.
Suu Kyi, fituese e çmimit Nobel për Paqen, mbetet e ndaluar në izolim në një vend të panjohur, mbi akuza që organizatat e të drejtave të njeriut i konsiderojnë të motivuara politikisht. Konflikti civil vazhdon në shumë zona të vendit, me sulme ajrore, bllokada dhe rrezik urie. Sipas vlerësimeve, mbi 90 mijë persona janë vrarë që nga fillimi i luftës, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitin 2020.