Arabia Saudite po përdor rezervat e naftës të magazinuara për të vazhduar furnizimin e tregjeve ndërkombëtare, pasi sulmet me dronë detyruan mbylljen e tubacionit strategjik East-West, duke rrezikuar eksportet drejt Evropës dhe Azisë.
Ministria saudite e Energjisë njoftoi të premten pezullimin e përkohshëm të pompimit në tubacion, si masë paraprake, pasi ai u sulmua me dronë të enjten në rajonet e Riadit dhe Medinës.
Sipas autoriteteve saudite dhe irakiane, sulmi e kishte origjinën nga Iraku. Ministria saudite tha se ekipet emergjente dhe teknike po punojnë për sigurimin e tubacionit dhe kontrollimin e gjendjes së tij, por nuk bëri të ditur se kur do të rifillojë pompimi dhe as nuk dha detaje të plota mbi dëmet.
Tregtarë dhe blerës të naftës saudite, të cituar në raportet e publikuara të dielën, vlerësojnë se një ndërprerje e zgjatur mund të vërë në rrezik rreth 4 milionë fuçi naftë në ditë, ose afërsisht 4 për qind të furnizimit global.
Megjithatë, autoritetet saudite nuk i kanë konfirmuar këto shifra.
Sipas vlerësimeve të tregtarëve, rezervat e naftës të magazinuara në portin e Detit të Kuq, Yanbu, mund të mjaftojnë për të vazhduar eksportet për rreth pesë deri në shtatë ditë.
Ndikimi real në furnizimet ndërkombëtare do të varet nga shpejtësia me të cilën rifillon pompimi dhe nga sasia e naftës që Arabia Saudite ka në rezervë.
Tregjet reaguan menjëherë ndaj zhvillimeve të reja. Kontratat e së ardhmes për naftën Brent u rritën me rreth 3 për qind në fillim të tregtimit të së hënës, pas sulmeve të tjera ndaj objekteve energjetike dhe transportit detar në Lindjen e Mesme.
Tubacioni East-West është rreth 1,200 kilometra i gjatë dhe transporton naftë nga pjesa lindore e Arabisë Saudite drejt Yanbu-së, në bregun perëndimor të vendit.
Rëndësia e tij strategjike është e madhe, pasi i mundëson Arabisë Saudite të eksportojë naftë përmes Detit të Kuq pa pasur nevojë që cisternat të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.