Mbi 1.200 persona janë akuzuar dhe qindra kilogramë drogë janë sekuestruar gjatë një operacioni të përbashkët në Australi dhe Zelandë të Re. Operacioni kishte në shënjestër trafikimin e drogës dhe krimin e organizuar, njoftuan autoritetet të martën.
Sipas Policisë së Australisë Jugore, operacioni 5-ditor u zhvillua nga 14 deri më 18 shtator. Pas ekzekutimit të 560 urdhërkontrolleve dhe ndërhyrjeve përkatëse taktike, ndaj 1.203 personave u ngritën akuza për 3.339 vepra penale.
Autoritetet sekuestruan 254 kilogramë metamfetaminë, 16 kilogramë heroinë, 11,7 kilogramë kokainë, 10 kilogramë ketaminë dhe 4,6 kilogramë MDMA. Gjithashtu, u sekuestruan 716 kilogramë kanabis dhe 8.701 bimë kanabisi.
U konfiskuan edhe mbi 2,05 milionë dollarë para të gatshme, 71 armë zjarri dhe 17 automjete.
Në operacion morën pjesë agjencitë federale, shtetërore dhe territoriale të zbatimit të ligjit në Australi. U përfshinë gjithashtu Policia dhe Dogana e Zelandës së Re.
“Kjo javë veprimesh dëshmon fuqinë e partneriteteve ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit për të identifikuar, vënë në shënjestër dhe goditur krimin e rëndë të organizuar, kudo që vepron”, tha Jim Rowe, superintendent i Policisë Federale Australiane, raporton AA, transmeton KosovaPress.
Operacioni vjen në një kohë kur rajoni përballet me konsum të lartë të drogës.
Australia dhe Zelanda e Re kanë përhapjen më të lartë në botë të përdorimit të kokainës. Kështu thuhet në Raportin më të fundit Botëror për Drogat të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin. Të dyja vendet regjistruan gjithashtu normat më të larta të përdorimit të ekstazisë.
Në qershor, policia australiane njoftoi sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë e vendit. Në bunkerë nëntokësorë, në një pronë në perëndim të Sidneit, ishin gjetur 2,7 tonë kokainë.