Deputetja australiane Helen Haines ka dalë nga spitali të hënën, rreth katër javë pas një sulmi të rëndë me veturë, si pasojë e të cilit humbi të dyja këmbët.
Politikania e pavarur, 65-vjeçare, u shpreh se është “plot mirënjohje” për kujdesin mjekësor që ka marrë, ndërsa bëri të ditur se tashmë ka hyrë në fazën e rehabilitimit.
Haines u godit nga një veturë jashtë zyrës së saj, në qytetin rural Wangaratta të Australisë, më 19 tetor. Ajo pësoi lëndime të rënda, të cilat përfundimisht çuan në amputimin e të dyja këmbëve, shkruan Euronews, transmeton "Bota sot".
“Jam shumë e kënaqur të konfirmoj se kam kaluar në fazën e rehabilitimit, e cila për momentin do të vazhdojë në Melburn. Ky është një moment shumë pozitiv dhe jam plot mirënjohje për kujdesin profesional dhe të përkushtuar që kam marrë në spital dhe që po vazhdoj ta marr në këtë fazë të rikuperimit”, deklaroi ajo.
Spitali Alfred në Melburn konfirmoi se deputetja ishte liruar nga trajtimi spitalor, katër javë pasi ishte transportuar me helikopter për ndihmë urgjente.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Haines dhe familjen e saj, duke i uruar asaj shërim të shpejtë.
“Ne vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për Helen, familjen e saj, komunitetin dhe stafin e saj, ndërsa ajo i nënshtrohet rehabilitimit”, u shpreh Albanese.
Për rastin, policia ka ngritur akuza ndaj 43-vjeçarit Brendan Nugent, për drejtim të rrezikshëm të automjetit që ka shkaktuar lëndime të rënda, shkaktim të qëllimshëm të lëndimeve të rënda, si dhe për veprën penale federale të sulmit ndaj një zyrtari publik.
Ngjarja ka nxitur debat në Australi për rritjen e kërcënimeve ndaj përfaqësuesve politikë. Edhe pse dhuna politike është e rrallë në këtë vend, policia ka dokumentuar një rritje të vazhdueshme të kërcënimeve ndaj zyrtarëve të zgjedhur.
Helen Haines hyri në Parlamentin australian në vitin 2019, pas një karriere si infermiere dhe mami. Ajo është bërë e njohur për qëndrimet e saj kundër korrupsionit dhe për mbështetjen e masave më të forta në luftën kundër ndryshimeve klimatike.