Papa Leo XIV ka kërkuar drejtësi për mbrojtësit e mjedisit të vrarë gjatë përpjekjeve për të mbrojtur pyjet e Amazonës, duke shprehur mbështetje për komunitetet indigjene që po luftojnë kundër shkatërrimit të tokave të tyre nga prerjet e paligjshme të pyjeve, minierat ilegale dhe shfrytëzimi i pakontrolluar i pasurive natyrore.
Gjatë vizitës në pyjet tropikale të Perusë, në ditën e parafundit të turneut të tij në Amerikën e Jugut, Papa Leo XIV përcolli një mesazh të fortë për mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtave të komuniteteve më të cenueshme.
“Gjaku i këtyre vëllezërve i drejtohet Zotit dhe kërkon drejtësi”, deklaroi Papa, duke marrë duartrokitjet e të pranishmëve, shumë prej të cilëve mbanin veshje tradicionale me pupla dhe shenja karakteristike të komuniteteve të rajonit.
Gjatë takimit me përfaqësuesit indigjenë dhe misionarët në lumin Ucayali, në qytetin Pucallpa, në verilindje të Perusë, ai theksoi se mbrojtja e natyrës dhe kujdesi për njerëzit më të varfër janë të pandashëm, shkruan Euronews, transmeton "Bota sot".
“Thirrja e tokës dhe thirrja e të varfërve janë të pandashme”, u shpreh ai.
Papa tha se kishte ardhur për të mbështetur përpjekjet e këtyre komuniteteve për drejtësi dhe paqe, duke iu referuar 57 vrasjeve të mbrojtësve të mjedisit, të cilat organizatat aktiviste vlerësojnë se kanë ndodhur në Peru gjatë periudhës 2010–2024.
Papa kërkon një model tjetër zhvillimi
Duke u mbështetur edhe në përvojën e tij si ipeshkëv në Peru, si dhe në thirrjet e vazhdueshme të paraardhësit të tij, Papa Françesku, për mbrojtjen e mjedisit dhe popujve indigjenë, Leo kërkoi një model ekonomik që respekton natyrën dhe njerëzit që e mbrojnë atë.
Gjatë meshës që pasoi takimin, ai kritikoi shfrytëzimin e papërgjegjshëm të pasurive natyrore nga aktorë të jashtëm.
“Është bërë shumë pak, madje edhe me ritëm shumë të ngadaltë, ndërsa mjetet për të shfrytëzuar dhe ndotur krijimin janë zhvilluar me shpejtësi”, deklaroi ai.
Ai u bëri thirrje të pranishmëve që të mos lejojnë shkatërrimin e natyrës dhe të angazhohen për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga ajo që e cilësoi si “etje të pangopur për dominim”.
Minierat ilegale dhe kultivimi i kokainës janë gjithashtu ndër faktorët që po përshpejtojnë shpyllëzimin dhe po cenojnë territoret indigjene, duke rrezikuar tokat e trashëguara ndër breza dhe duke i ekspozuar komunitetet ndaj dhunës dhe krimit të organizuar.
Vetëm të shtunën, policia peruane njoftoi për tri operacione kundër minierave të paligjshme në rajonin Madre de Dios, një prej zonave me biodiversitetin më të pasur në vend. Gjatë aksioneve u shkatërruan pajisje, gomone dhe motorë me vlerë rreth 3.8 milionë euro.
Në Peru, shumica e vrasjeve të mbrojtësve të mjedisit mbeten pa u ndëshkuar, ndërsa dënimet janë të rralla.
Në vitin 2025, gjykatat konfirmuan dënimet me 28 vjet burg për katër tregtarë druri, të shpallur fajtorë për vrasjen e katër personave indigjenë që kundërshtonin prerjen e pyjeve. Procesi gjyqësor kishte zgjatur një dekadë.
Një tjetër rast i rëndësishëm ishte vrasja e liderit të komunitetit Kichwa, Quinto Inuma Alvarado, i cili u vra në vitin 2023 në një pritë të organizuar nga persona të armatosur në një lumë të rajonit San Martín.
Në gusht, katër persona u dënuan me deri në 35 vjet burg. Gjykata konstatoi se Inuma kishte paraqitur ankesa kundër tyre për ndalimin e shpyllëzimit dhe krimeve të tjera, përfshirë trafikimin e drogës, ndërsa autorët kishin planifikuar vrasjen e tij për shkak të denoncimeve.
Papa dënon edhe dhunën seksuale ndaj vajzave indigjene
Gjatë vizitës së tij, Papa Leo XIV ngriti shqetësimin edhe për rritjen e ndjeshme të rasteve të dhunës seksuale ndaj nxënëseve nga komunitetet indigjene Awajún dhe Wampis, në provincën Condorcanqui, në veri të Amazonës.
Ai dënoi bashkëfajësinë, pandëshkueshmërinë dhe korrupsionin që, sipas tij, po e shoqërojnë këtë fenomen.
Këshilli i Grave Awajún dhe Wampis, Comuawuy, ka regjistruar 370 raste të dhunës seksuale në këtë provincë vetëm gjatë periudhës janar-korrik.
Pas kërkesave të vazhdueshme nga organizatat e grave, janë krijuar prokurori të specializuara dhe qeveria ka nisur një plan për parandalimin e këtyre rasteve.
Në janar, Ministria e Grave dhe Popullsisë së Cenueshme njoftoi për një dënim me 32 vjet burg ndaj një burri të akuzuar për abuzim seksual ndaj një vajze 14-vjeçare.
Papa 71-vjeçar, i cili po zhvillon udhëtimin më të gjatë që nga fillimi i pontifikatit të tij më 6 nëntor, deri më tani është paraqitur në gjendje të mirë fizike.
Pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale në mushkëri muajin e kaluar dhe shqetësimeve për shëndetin e tij, ai nuk ka shfaqur shenja të dukshme lodhjeje gjatë vizitës treditore në Amerikën e Jugut.
Gjatë një pjese të vizitës në Cusco, qytet që ndodhet rreth 3.400 metra mbi nivelin e detit, Papa qëndroi ulur në veturën e tij gjatë lëvizjes nëpër rrugët e qytetit. Nuk u bë e qartë nëse kjo ishte për të ruajtur energjitë apo për shkak të rrugëve të vështira.