SHBA-ja dhe Irani drejt një lufte të re të gjithanshme, shkëmbimi i sulmeve rrit tensionet

Bota

SHBA-ja dhe Irani drejt një lufte të re të gjithanshme, shkëmbimi i sulmeve rrit tensionet

Nga: A.M. Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 14:14
Avionë ushtarakë

Sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit janë shtuar, ndërsa SHBA-ja ka goditur objektiva raketore në jug të Iranit. Në rajon ka mbërritur edhe aeroplanmbajtësja e tretë amerikane, duke shtuar praninë ushtarake të Uashingtonit.

SHBA-ja dhe Irani po përfshihen në një cikël gjithnjë e më të gjerë sulmesh ajrore dhe kundërpërgjigjesh ushtarake, duke e afruar Lindjen e Mesme drejt një përballjeje të re të gjithanshme. Përshkallëzimi është intensifikuar që nga e diela, ndërsa Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se edhe dy cisterna të tjera nafte kanë shpërthyer në Ngushticën e Hormuzit të hënën.

Sipas njoftimeve iraniane, numri i cisternave që kanë marrë flakë në këtë rrugë ujore që nga e diela ka arritur në gjashtë. Ndërkohë, ushtria amerikane ka ndërmarrë sulme të reja ajrore ndaj lëshuesve të raketave iraniane në jug të vendit, pas sulmit iranian ndaj një baze amerikane në Bahrein dhe goditjeve ndaj cisternave në Ngushticën e Hormuzit, shkruan Euronews, transmeton "Bota sot".

Tensionet u shtuan edhe pas një sulmi me dron të Iranit ndaj një radari në bazën ajrore amerikane Al Riffa, të dielën. Ky veprim pasoi sulme të tjera ndaj objekteve amerikane në Bahrein një ditë më parë dhe u interpretua si demonstrim force përballë shtimit të pranisë ushtarake amerikane në rajon.

Në përgjigje, forcat amerikane goditën lëshues raketash iraniane në Bandar Lengeh dhe Sirik, në jug të Iranit. Sulmet përfshinë një hapësirë më të gjerë se në valët e mëparshme të përplasjeve, ndërsa të dyja palët intensifikuan veprimet ushtarake. Të dhënat e platformave të gjurmimit të fluturimeve treguan gjithashtu një prani dukshëm më të madhe të Forcave Ajrore amerikane mbi Gjirin Persik.

Më shumë cisterna nafte marrin flakë në Ngushticën e Hormuzit

Garda Revolucionare Islamike pretendoi të dielën se dy cisterna nafte, të cilat po përpiqeshin të kalonin nëpër korridorin jugor të Ngushticës së Hormuzit nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të ushtrisë amerikane, kishin hasur në mina detare. Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, shpërthimet kishin ndriçuar qiellin për disa orë.

IRGC-ja i cilësoi këto veprime si kundërpërgjigje ndaj asaj që e quajti “bllokadë të paligjshme amerikane” dhe shkelje të rregullave iraniane në Ngushticën e Hormuzit. Ajo paralajmëroi sërish kompanitë e naftës se korridori jugor i kësaj rruge ujore ishte i minuar.

Të hënën, edhe Marina iraniane njoftoi se një cisternë nafte, të cilën e cilësoi si “shkelëse”, kishte marrë flakë pas përplasjes me një minë detare në zonën e kufizuar në lindje të Ngushticës së Hormuzit dhe nuk ishte më në gjendje të lëvizte.

“Çaktivizimi i sistemeve të gjurmimit dhe hyrja e paautorizuar në zona detare të ndaluara dhe të pasigurta i ekspozon anijet shkelëse ndaj rreziqeve serioze”, thuhej në deklaratën e Marinës iraniane.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse kjo cisternë është njëra prej gjashtë anijeve për të cilat foli IRGC-ja apo nëse bëhet fjalë për një incident tjetër. Pretendimet e Gardës Revolucionare dhe ushtrisë iraniane lidhur me numrin e cisternave të dëmtuara dhe rrethanat e shpërthimeve nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, Autoriteti i Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) konfirmoi se kishte marrë raportime për të paktën një incident në orët e para të së hënës. Sipas këtij institucioni, një cisternë nafte ishte goditur nga një “objekt i paidentifikuar” teksa po largohej nga Ngushtica e Hormuzit.

“Përplasja shkaktoi zjarr në dhomën e motorëve”, thuhej në raport, ku shtohej se nuk kishte të lënduar dhe se të gjithë anëtarët e ekuipazhit ishin të sigurt. Megjithatë, në atë moment nuk dihej ende shkalla e dëmeve materiale dhe pasojat e mundshme për mjedisin.

Incidentet e shumta me anijet në këtë rrugë strategjike detare ndikuan edhe në tregjet ndërkombëtare, duke shkaktuar rritje të çmimeve të naftës të hënën.

Aeroplanmbajtësja e tretë amerikane mbërrin në Lindjen e Mesme

Përshkallëzimi i situatës shoqërohet edhe me shtimin e pranisë ushtarake amerikane. Aeroplanmbajtësja USS Theodore Roosevelt ka mbërritur në zonën e operacioneve të Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), duke iu bashkuar dy grupeve të tjera të aeroplanmbajtëseve, USS George Washington dhe USS George H.W. Bush.

Kjo shënon herën e parë që nga lufta në Irak që Shtetet e Bashkuara kanë tri aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme. Sipas raportimit, Uashingtoni po përfundon një përforcim të madh të kapaciteteve detare dhe ajrore në rajon, me rreth 19 anije luftarake amerikane, përfshirë shkatërrues dhe kryqëzorë të pajisur me raketa të drejtuara, si dhe forca të tjera detare.

Ndërkohë, The Wall Street Journal, duke cituar analistë të inteligjencës amerikane, raportoi se Irani mund të ketë nga 1.500 deri në 2.500 raketa, përveç dronëve të rinj dhe raketave me rreze të shkurtër veprimi. Zyrtarët ushtarakë izraelitë vlerësojnë se kapacitetet e reja iraniane përfshijnë rreth 1.500 raketa balistike.

Më 10 nëntor, Garda Revolucionare Islamike publikoi një fotografi, për të cilën pretendoi se paraqiste kreun e forcave të armatosura iraniane dhe komandantin e Forcave Hapësinore Ajrore të IRGC-së duke vizituar tunele nëntokësore me raketa dhe lëshues. Këto struktura u cilësuan nga pala iraniane si një “qytet i ri nëntokësor raketor”.

Regjimi iranian ka vazhduar kërcënimet ndaj SHBA-së në rast të sulmeve të reja në shkallë të gjerë. Zyrtarë ushtarakë iranianë i thanë të dielën agjencisë Tabnak se doktrina e re ushtarake e vendit nënkupton se Irani nuk do të kufizohet më vetëm në kundërpërgjigje të llogaritura, por do të përpiqet të thyejë ciklin e përshkallëzimit. Ata kërcënuan gjithashtu edhe bazat amerikane në Evropë.

Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kritikoi ashpër klerikët shiitë të Iranit, duke i akuzuar për ndikim destabilizues në rajon.

“Çdo problem në Lindjen e Mesme, çdo problem i madh në Lindjen e Mesme – sulmet e Houthive ndaj Arabisë Saudite, milicitë shiite që destabilizojnë Irakun, grupet luftarake që mbështetën Assadin dhe shkatërrimin e Sirisë, Hezbollahu në Liban – kudo që të shikoni, ekziston një emërues i përbashkët: klerikët shiitë të Iranit dhe mentaliteti i tyre ekspansionist”, deklaroi Rubio të dielën.

“Kjo është një rrezik i jashtëzakonshëm historik dhe nuk mund të shpërfillet”, paralajmëroi ai.

Paralajmërime për një përshkallëzim të mëtejshëm

Ndërsa të dyja palët po shtojnë presionin ushtarak për të detyruar kundërshtarin të bëjë lëshime, ish-drejtuesi i departamentit të kërkimeve të inteligjencës ushtarake izraelite, Danny Citrinowicz, paralajmëroi se situata në Ngushticën e Hormuzit është jashtëzakonisht e paqëndrueshme.

Në një reagim në platformën X, ai tha se gjendja aktuale nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe se, edhe nëse asnjëra palë nuk dëshiron një përballje më të gjerë, dinamika e zhvillimeve po i shtyn të dyja drejt përshkallëzimit.

“Për sa kohë që Shtetet e Bashkuara ruajnë bllokadën detare dhe përpiqen t'i shtyjnë cisternat drejt korridorit jugor të lundrimit, Teherani do t'i konsiderojë këto veprime si akte lufte”, deklaroi eksperti për Iranin.

Ai shtoi se Irani vështirë se do ta pranojë këtë situatë pafundësisht dhe se mund të përpiqet të rrisë koston e bllokadës përmes sulmeve të tjera ndaj cisternave dhe objektivave të mundshme, veçanërisht nëse operacionet ushtarake amerikane vazhdojnë në zonën përreth Bandar Abbasit.

Citrinowicz theksoi gjithashtu se ekziston një dallim thelbësor mes mënyrës se si Uashingtoni dhe Teherani e shohin situatën.

“Shtetet e Bashkuara mund të besojnë se mund ta mbajnë bllokadën për një periudhë të gjatë, por Irani e sheh atë si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë, sovranitetit dhe sigurisë kombëtare. Për udhëheqjen iraniane, pranimi i bllokadës pa reaguar do të nënkuptonte pranimin e një realiteti të ri strategjik të imponuar nga Uashingtoni. Kjo thjesht nuk përputhet me mënyrën se si funksionon regjimi në Teheran”, përfundoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat