Olise mungon në stërvitjen e fundit të Bayern Munihut dhe me shumë gjasë edhe në Lille

Futboll

Olise mungon në stërvitjen e fundit të Bayern Munihut dhe me shumë gjasë edhe në Lille

Nga: B.S. Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 14:27
Michael Olise ende nuk është në dispozicion për ndeshjen e së mërkurës

FC Bayern Munih pritet të vuajë mungesën e Michael Olise edhe në ndeshjen e së mërkurës në mbrëmje kundër Lille, në kuadër të Champions League.

Sulmuesi francez nuk mori pjesë në stërvitjen e fundit të bavarezëve të martën pasdite, çka e bën pothuajse të sigurt mungesën e tij në këtë përballje.

Sipas mediumit gjerman “Kicker”, Olise ishte zëvendësuar në pushimin mes pjesëve në ndeshjen kundër FC Koln (1:1), të zhvilluar të premten e kaluar. Pas ndeshjes, ai u largua nga stadiumi me paterica, duke shkaktuar shqetësim te tifozët.

Megjithatë, trajneri Vincent Kompany kishte dhënë sinjale qetësuese. Sipas Bayern Munihut, francezi kishte pësuar një kontuzion në pjesën e përparme të shputës së këmbës.

Fillimisht ekzistonte shpresa që ai të rikthehej për ndeshjen e Champions League, por mungesa në stërvitjen e fundit e bën këtë mundësi pothuajse të pamundur.

Edhe Harry Kane jashtë për disa muaj

Problemet në repartin ofensiv të Bayernit janë shtuar pas lëndimit të Harry Kane. Sulmuesi anglez ka pësuar një çarje të sindezmozës pas një ndërhyrjeje në ndeshjen kundër Kolnit dhe pritet të mungojë për disa muaj.

Lennart Karl pritet të luajë si sulmues qendror

Në këto rrethana, Vincent Kompany duhet të gjejë zgjidhje për formacionin ofensiv.

Një mundësi është që Lennart Karl të luajë si sulmues qendror, ashtu siç ndodhi pas zëvendësimit të Kane kundër Kolnit.

Pas tij mund të pozicionohen Konrad Laimer, Tom Bischof dhe Nathaniel Brown.

Ndërkohë, Luis Díaz, i cili po rikuperohet nga një dëmtim i lehtë muskulor, ende nuk pritet të jetë gati për të nisur ndeshjen nga minuta e parë.

Bayerni kërkon fitoren për t'u afruar me Top 8

Bayern Munih ka grumbulluar tetë pikë në katër ndeshjet e para të Champions League dhe aktualisht renditet në vendin e 13-të.

Objektivi i bavarezëve është përfundimi në tetë vendet e para, që sigurojnë kualifikimin direkt në fazën e 1/8 së finales, pa pasur nevojë të luajnë në fazën shtesë të playoff-it.

Për këtë arsye, fitorja ndaj Lille është veçanërisht e rëndësishme për skuadrën e trajnerit Kompanyt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat