Trajneri i Shkëndijës nga Tetova, Artim Pollozhani, ka përjetuar një periudhë jashtëzakonisht të vështirë pas ngjarjes tragjike që tronditi klubin tetovar.
Pas barazimit 1:1 ndaj Sileksit, trajneri pranoi se skuadra e kishte pasur shumë të vështirë të rikthehej psikologjikisht në normalitet.
Shkëndija dhe Sileksi u ndanë në barazim në ndeshjen e fundit të javës së 14-të të kampionatit maqedonas. Ky rezultat bëri që tetovarët të mbeten katër pikë prapa liderit Struga, që ka 32 pikë, ndërsa Sileksi renditet në vendin e pestë.
Pollozhani kishte shpresuar në fitore, të cilën skuadra dëshironte t'ia kushtonte Agron Memedit, i cili ndërroi jetë së fundmi.
“Kaluan dhjetë ditë që nuk do t’ia uroja askujt t’i përjetonte. Ishte një ngjarje që na tronditi të gjithëve dhe përballë saj nuk mund të bësh asgjë, përveçse të vazhdosh jetën.
Ishte jashtëzakonisht e vështirë nga ana psikologjike t’i ngrinim lojtarët, sepse ngjarja ndodhi në fushën e lojës dhe të gjithë mbetëm të traumatizuar.
Megjithatë, kjo nuk mund të jetë arsyetim për paraqitjen dhe rezultatin. Përkundrazi, kjo duhej të ishte forca jonë shtesë dhe pikërisht për këto arsye duhej t’i merrnim tri pikët”, deklaroi Pollozhani.