Bayerni, me mungesa të shumta, pëson humbjen e parë të sezonit!

Futboll

Bayerni, me mungesa të shumta, pëson humbjen e parë të sezonit!

Nga: B.S. Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 23:30
Tronditje kolektive: Aleksandar Pavlloviq shënon autogol

Bayern Munih ka pësuar humbjen e parë në këtë sezon, pasi u mposht 2:1 nga Lille në kuadër të Ligës së Kampionëve. Skuadra e dobësuar nga mungesat e shumta e kishte nën kontroll lojën deri në përfundim të pjesës së parë, por pas pushimit humbi tërësisht ritmin dhe kontrollin e takimit.

Sipas mediumit gjerman “Kicker”, në një periudhë të trazuar, me diskutime rreth Jamal Musialës dhe probleme të shumta me lëndimet, pothuajse u harrua se Bayern kishte edhe një ndeshje të rëndësishme për të zhvilluar.

Trajneri Vincent Kompany u detyrua të gjente zgjidhje alternative, pasi në këtë takim munguan disa futbollistë të rëndësishëm, përfshirë Harry Kane, Michael Olise, Ismael Saibari, Serge Gnabry, Alphonso Davies dhe Manuel Neuer.

Trajneri belg befasoi edhe me vendosjen e lojtarëve në fushë. Konrad Laimer, i cili zakonisht luan si mbrojtës i djathtë, u aktivizua në një rol më ofensiv, ndërsa Aleksandar Pavlloviq luajti në mesfushë. Hiroki Ito, ndërkohë, u paraqit nga minuta e parë në krahun e majtë të mbrojtjes. Lajm i mirë për bavarezët ishte rikthimi i Luis Díazit, i cili ishte në dispozicion pas rikuperimit nga lëndimi muskulor. Edhe Jamal Musiala e nisi ndeshjen nga banka rezervë.

Pavarësisht gjithë këtyre mungesave, Bayern e nisi takimin mirë dhe kaloi në epërsi në minutën e 15-të, në rastin e dytë të rrezikshëm të krijuar. Dayot Upamecano shënoi me kokë pas një harkimi nga këndi të Tom Bischofit. Pak më herët, Pavlović kishte rrezikuar portën kundërshtare me një goditje të fuqishme nga distanca, nga e cila Bayern fitoi edhe goditjen nga këndi.

Lille, e drejtuar nga Davide Ancelotti, djali i Carlo Ancelottit, u përpoq të reagonte dhe pati disa momente me posedim të topit, por në pjesën e parë nuk arriti të krijonte shumë rrezik. Rasti më i mirë i vendasve erdhi në minutën e 23-të, kur Ayase Ueda goditi drejt portës, por portieri Jonas Urbig reagoi shkëlqyeshëm.

Bayerni vazhdoi të kontrollonte situatën dhe pati mundësi ta thellonte epërsinë para pushimit, përfshirë një rast të Konrad Laimerit në minutën e 26-të.

Megjithatë, pas pushimit gjithçka ndryshoi. Bayern u bë shumë pasiv, ndërsa Lille mori iniciativën dhe filloi të ushtronte presion më të madh.

Në minutën e 47-të, Ayase Ueda arriti ta dërgonte topin në rrjetë, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, pasi sulmuesi kishte shkaktuar faull ndaj Joshua Kimmichut në aksionin paraprak.

Ky sinjal paralajmërues nuk mjaftoi për t'i zgjuar bavarezët. Lille vazhdoi të ishte më kërkuese dhe në minutën e 54-të pati një tjetër rast të rrezikshëm, kur Mukau goditi pranë portës.

Barazimi erdhi në minutën e 62-të. Nathan Ngoy dërgoi një pasim të shkëlqyer drejt Ayase Uedës, i cili u gjend në pozitë të mirë brenda zonës dhe realizoi për 1:1. Portieri Urbig nuk kishte mundësi të reagonte.

Vetëm tri minuta më vonë, Lille përmbysi rezultatin. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Ethan Mbappe u gjend përballë portierit Urbig dhe goditi drejt portës. Topi u kthye nga shtylla e majtë, ndërsa Aleksandar Pavlloviq, në përpjekje për ta larguar, e dërgoi gabimisht në rrjetën e portës së tij, 2:1 në minutën e 65-të.

Për Bayern Munihun, humbja e parë e sezonit tashmë ishte shumë pranë. Kompany provoi të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes duke aktivizuar Luis Diazin, Jamal Musialën, si dhe debutuesit në Ligën e Kampionëve, Tim Binder dhe Noah Codjo-Evora.

Megjithatë, ndryshimet nuk sollën efektin e dëshiruar.

Përkundrazi, Lille ishte më afër golit të tretë sesa Bayern barazimit. Në minutën e 86-të, Soriba Diaoune pati një mundësi të mirë, por goditja e tij me volej përfundoi jashtë portës.

Rasti i fundit i rrezikshëm i bavarezëve erdhi në minutën 90+1, kur Jamal Musiala goditi me të majtën, por nuk arriti ta gjente kuadratin.

Kështu, ndeshja përfundoi me fitoren 2:1 të Lille, e cila i shkaktoi Bayern Munihut humbjen e parë të sezonit dhe shfrytëzoi në mënyrën më të mirë rënien e kundërshtarit në pjesën e dytë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat