Milani kërkon fitoren në Europë

Futboll

Milani kërkon fitoren në Europë

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 12:37
Trajneri i Milanit, Ruben Amorim

Trajneri i Milanit, Ruben Amorim, ka kërkuar përmirësim nga skuadra e tij në prag të sfidës kundër Olimpiakosit në Ligën e Europës.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes në Athinë, tekniku portugez u ndal te problemet në fazën sulmuese, por edhe te vështirësitë në mbrojtje, duke theksuar se kuqezinjtë duhet të jenë më të përqendruar në të dyja repartet.

Milani vjen në këtë përballje me nëntë mungesa, por Amorim nuk kërkon justifikime dhe e konsideron fitoren një detyrim.

SULMI – Një nga çështjet kryesore të konferencës ishte mënyra se si Milani mund të mbështesë Gonçalo Ramosin në repartin ofensiv. Amorim sqaroi se përgjegjësia nuk lidhet vetëm me sulmuesin portugez, por me të gjithë lojtarët që aktivizohen në vijën e parë. “Nuk bëhet fjalë vetëm për të ndihmuar Ramosin, por edhe Kamardën dhe të gjithë ata që luajnë përpara.

Është e qartë se duhet të përmirësohemi në 1/3 e fundit të fushës. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të përmirësojmë parimet tona të lojës. Duhet të punojmë për këto detaje të vogla, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i ndihmoj lojtarët e mi”, u shpreh trajneri. Ai theksoi gjithashtu se skuadra duhet të përmirësohet në fazën mbrojtëse, pasi në shumicën e ndeshjeve ka pësuar të paktën një gol.

OBJEKTIVI – Për Amorimin, një skuadër e madhe duhet të jetë konkurruese si në kampionat, ashtu edhe në Europë. Trajneri u shpreh se Milani është në fillim të një procesi ndërtimi dhe se të gjithë futbollistët duhet të jenë gati për të përballuar ngarkesën, pavarësisht mungesave. “Nuk mund të besoj se i kemi humbur të gjitha ato ndeshje në Europë vetëm sepse kemi bërë rotacion.

Në klubet e mëdha nuk ka justifikime. Duhet të jemi gjithmonë gati dhe t’i përballojmë ndeshjet si ato kundër Interit, Frozinones apo Xhenoas. Po ndërtojmë shumë gjëra dhe nesër kemi një tjetër provë”, tha ai.

Sa i përket titullit kampion, Amorim nuk ndryshoi qëndrim, duke pranuar se këtë sezon do të jetë e vështirë, por se Milani do të luftojë nëse i jepet mundësia. Në fund, trajneri ishte i prerë për objektivin në Athinë: “Nesër duhet të fitojmë, sepse nëse nuk e bëjmë këtë… Jam gati edhe për këtë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat