Tashmë jo vetëm te Trabzonspor, por edhe te Kombëtarja, Ernest Muçi po jep “sinjale” të qarta se mund të bëhet sulmuesi më i madh në historinë e Shqipërisë, dhe jo thjesht me fjalë, por me statistika.
Gjatë kohës kur trajner ishte Sylvinho te kuqezinjtë, Muçi zhvilloi 15 paraqitje, por shumë pak minuta, vetëm 337, ose mesatarisht 22.5 minuta për ndeshje. Në këtë segment takimesh, ai shënoi 3 gola.
Në “epokën” Maran, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht për ish-sulmuesin e Tiranës. Bomberi 25-vjeçar numëron 5 paraqitje, 332 minuta lojë (66.4 minuta për ndeshje) dhe 2 gola, si dhe është titullar i padiskutueshëm.
Lojtari i Trabzonspor po e dëshmon se ai, bashkë me Manajn, janë kthyer në “kërcënim” për çdo kombëtare rivale, si dhe është i aftë për të shënuar gola “anormalë”.
Me potencialin që zotëron dhe zhdërvjelltësinë me topin në këmbë, Ernest Muçi i ka të gjitha “kartat” për të shkruar historinë me Kombëtaren.
Po ashtu, ky nivel i treguar te Shqipëria është “shuplakë” për Sylvinhon, i cili nuk i dha hapësirën e nevojshme futbollistit ofensiv që të “shpaloste” vlerat.