Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që plagosi tre persona në Pejë

Kronikë e zezë

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që plagosi tre persona në Pejë

Më: 4 janar 2021 Në ora: 17:06
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë e ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me inicialet M.RR, i cili më 2 janar rreth orës 21:00 i ka plagosur tre persona.

“Me datë 02.01.2021, rreth orës 21:02 minuta, në Pejë, mu para shtëpisë së të dëmtuarve, me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe të atëçastshme mes të pandehurit dhe të dëmtuarve SH.D, A.D dhe F.D, i pandehuri ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin A.D, në atë mënyrë që pasi që vjen deri te fjalosja dhe përleshja mes të pandehurit dhe të dëmtuarve, i pandehuri në një moment nxjerr pistoletën nga brezi dhe shtie në drejtim të dëmtuarve duke iu shkaktuar lëndime trupore të rrezikshme për jetën, e pastaj largohet nga vendi i ngjarjes”.

I dyshuari M.RR, dyshohet se ka kryer veprat penale vrasje e mbetur në tentativë “lëndim i rëndë trupor” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

“Me këto veprime i pandehuri M.RR dyshohet se ka kryer veprat penale vrasje e mbetur në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, lëndim i rëndë trupor nga neni 186 par.3 lidhur me par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së”.

“Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti i ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do të dëgjohen tre të dëmtuarit e pas shikimit të video incizimit eventualisht mund të dëgjohet edhe ndonjë dëshmitar që ka qenë prezent në vendin e ngjarjes, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në drejtim të ndryshimit të deklaratave të tyre, e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës. Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe me faktin se me gjetjen e të pandehurit në liri, ka arsye për të besuar se i njëjti mund të asgjësojë, fshehë apo të ndryshojë provat e veprës penale. Gjithashtu, pesha e veprave të kryera penale, mënyra dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale në qendër të qytetit ku frekuentohet nga një numër i madh i njerëzve si dhe raportet e acaruara mes të pandehurit dhe të dëmtuarve, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përfundoj veprën e tentuar penale apo të kryej ndonjë vepër të natyrës së njëjtë”.

“Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat