“Kopsht malësori”, Vëllim poetik i para një shekulli

Kultura

“Kopsht malësori”, Vëllim poetik i para një shekulli

Nga: Sinan Gashi Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 20:55
Josif Jovan Bageri

Fjala poetike shqipe, krahas frymimit tonë, ka pasur fatin të krijohet në vise të largëta nga trungu shqiptar, atje ku e shpuri fati i lig autorin e asaj krijimtarie. Kështu ndodhi që të botohet në Sofje të Bullgarisë më 1910, edhe vëllimi “Kopësht malësori” i poetit Josif Jovan Bageri nga Nistrova e Dibrës.

Për vëllimin poetik “Kopësht malsori” e Josif Jovan Bagerit

Në krijimtari letrare poeti Josif J. Bageri ishte marrë vonë, pas moshës 20 vjeçare dhe atë nis,më e kishte bërë në një truall të huaj për gjuhën e tij amtare, shqipen.

Madje ai vargjet e tija i kishte lexuar fillimisht në një han të Sofjes, ku shqiptarët e migruar për shkaqe ekonomike, tuboheshin për t’u çmallur por edhe mësuan shkrimleximin shqip nga pronari i atij lokali, Dhimitër Molës, i cili ishte mbaruar Normalen e Rumanisë.

Kështu mund të thuhet se ai krijimet e tija të para poetike i kishte përmbledhur në një vëllim më vete dhe i kishte emërtuar “Sqohi Shqyptarë”, që në vitin 1904, por që i kishin mbetur në dorëshkrim në mungesë mjetesh financiare. Po ashtu në dorëshkrim i kishin ngelur edhe vepra tjetër publicistike “Armiqtë e Shqipërisë dhe veprat e tradhtarëve shqiptarë”. Në rrethana tepër të vështira arriti ta nxjerrë në Sofje vëllimin poetik më 1910, me titullin “Kopësht malsori, mësime të shqyptarueta dhe vjersha”.

Kështu krijohet që në fillim një pikëpyetje: a fati i autorit e kushtëzoi të krijoi poezi apo poezia ishte rrëfimtare e fatit të tij. Kjo mund të thuhet pasi të jetë lexuar përshkrimi i jetës së tij dhe po ashtu, pasi të jetë lexuar vepra në fjalë.

Duke mos qenë i përgatitur për poet, por atë pak dhunti krijuesi Bageri e mbrujti tërësisht me temat e aktualitetit të kohës së tij, fatit të popullit të tij, krajatat, fatkeqësitë, kacafytjet për ta ruajtur të gjallë elementet shqiptare, ngase ishin në rrezik nga asimilimi i shovinistëve fqinjë, turq, serbë e grekë.

Nëse është dikush që jetën e tij e barazon tërësisht me atë të fatit të popullit të tij, duke e harruar krejt edhe familjen dhe gjendjen e tyre të mjeruar sociale, është Josif Bageri. Kështu, që në parathënien e këtij vëllimi, ai ndër të tjera, shquan: “Përande zotëni leçitës, uni s’kom turp të emënohem bir i keti kombi, por me madhështi thom, se jon shqypëtar dhe gjith nja po orvatem me kjon një mburonjës i rrepat për me mpruejt të drejtat ë këti kombi të ndëgjuet, cilën dëshnoj ta sho më një shkall shum të nalt të ditunis dhe të kjytetnimit, si shum kombe të tjer, cilët kan mjaft përparue në çdo msim dhe dituni.”

Vepra në të vërtetë është një përzierje e prozave poetike me ngjyrime dokumentare dhe poezive, që në të vërtetë të gjitha kanë një kahe, atë të ruajtjes dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare. Duke qenë brenda një vorbulle të fatkeqësisë kombëtare në ato vite të errëta dhe, njëkohësisht, duke qenë ky me një vetëdijesim tepër të qatë, shprehjet e atyre problemeve, qoftë edhe përmes vjershave, ishin mjaft domethënëse në fahun e propagimit dhe lirimit nga ngarkesa emocionale përkohësisht edhe e autorit të tyre.

Vepra përmban 38 proza të shkurtra dhe 42 poezi, ku e pranishme në çdo fjalë apo në çdo varg është Shqipëria, gjuha shqipe, kombi, ruajtja nga grabitqarët e të tjerë.

Ia nis me Shqipen, që është simbol i shqiptarit, duke e përshkruar me pamjen e saj, jetën në shkrepa dhe fortësinë e saj edhe në furtuna. E, pastaj, vijon me poezinë “Fjal të vërteta”, që është vijimësi e temës se atdhedashurisë, e cila për autorin ishte gjithçka në këtë jetë. Edhe pse poezia edhe nga ana formale dallon nga proza, boshti i frymëzimeve të Bagerit është I njëjti.

Ja një strofë e poezisë që e përmendem:

Njësia bon forcin…

Dhe bashgkimi kâ fuqin!

Cili komb kta i kâ -

Kurri s’vritetvlla me vlla …

Duke qenë edhe vetë tip idealisti, ai në një vjershë me titullin e tillë, të cilën e kishte shkruar ë Shkup më 12 shkurt 1909, veçsa e përshkruan sakrificën e tij, për të qenë ajo universalja e asaj rruge jo të vetme në historinë e njerëzimit.

Idealizëm në do me ndjek –

Ngushëllon shpirtin, kënaqesh ne jet,

Por vetëm dije se jet pa drej!

Unët shum here, kie me mbet!...

Shqetësimet e mëdha i përjetonte ngase kishte nga ata shqiptarë që, për interesa banale kryesisht materiale, harronin përkatësinë kombëtare dhe nuk i rëndonte në ndërgjegje që të pranojnë asimilimin. Kështu, në një vjershë të botuar në “Shqipëria” të Bukureshtit, v.II, nr. 60, më 16 prill 1899, shkruan:

-Nji pal, - thon,- jemi bullgarë,

Tjerët, - thon, - serbi t’na marrë,

Disa mbahen shum t’mençem,

Si doj fmij t’përkëdhelçem.

Edhe po të shikohen titujt e këtyre krijimeve, “Shtëpia ime”, “Mâlli imë”, “Sende të vërteta”, “Prej gjith anësh mblidhen tôk, po shqyptari a kâ kôk?”, “Eni të gjith në msimtore”, “Shqyptarët e Shkupit”, Nja [iramidë dëshmorvet”, “Protestuem dhe dot protestojm! vetëm shkronjat të mbrojm”, “Vajtim e mallkim!”, “Cilët jemi na?” e tjerë, ato rrëfejnë për satenin e etnisë sonë, në kuptimin tërësor të saj. Ato lidhen edhe kushtimisht me datat që janë njëkohësisht shenja të një veprimi luftarak kundër armiqve të ndryshëm, kur ende as që ishte shpallur shteti shqiptar. Shkapërderdhja e tyre, analfabetizmi dhe gjendja e rëndë ekonomike ishin gjendje e lehët për dashakëqijtë që të veprojnë kundër gjenit tonë. Kushtimisht nga këto situata, Bageri me veprimin e vet organizativ, sa në një cep sa në tjetrin e atdheut, aq edhe me vargje dëshiron ta mobilizoj, forcoj dhe ta orientoj drejt shqiptarin e lodhur dhe të paqartë në shuam koncepte.

Nturri vllahen! t’u ndihim

Së atdheu na therret

Me e shpëtue prej robiet

Besa ne na pret

Me madhshti flamurin shtallun

E hedhniu n’Shqypni

Edhe armët n’dorë i kemi

Mjaft ma n’robni.

Ky lloj vjershërimi dihet se anës estetike nuk i kushton fort interesim, por megjithatë autori dëshmon për një talent të cilit nuk i kushtoi kujdes, vetëm sa dëshmoi se në rrethana të tjera do të bëhej krijues i lakmuar. Strofat e ndryshme, vargjet rrokje ndryshme, pastaj rimat e larmishme rrëfejnë diçka nga ajo mjeshtri.

E, cili është autori i veprës?

Josif Jovan Bagëri (1870-1 është i lindur në Nistrovë të Dibrës. Si i ri, nuk pat mundësi t’i ndjek mësimet fillore, por veç kur fati i kurbetçarit e hodhi në Sofje të Bullgarisë më 1887, ai kreu një shkollë nate. Punoi këpucar gjatë gjithë jetës, por përherë duke lëvizur e vepruar për çështjen kombëtare. Një kohë, më 1901, kishte punuar në të njëjtin profesion edhe në Pirot të Serbisë.

Aq ishte i përkushtuar, sa djali i tij vetëm 16 vjeçar me pushkë u vra në çetat shqiptare në Manastir të Maqedonisë, për lirimin nga hordhitë turke më 1906.

Kur formohet shoqëria atdhetare “Dëshira” e Bullgarisë, ai ishte në kryesinë e saj dhe mjaft aktiv. Bashkëpunoi më shumë të përkohshme, qoftë me shkrime publicistike apo edhe letrare, si “Kalendari kombiar” e Sofjes,”Shqipëria” e Bukureshtit, “Shpnesa e Shqypënies” e Raguzës, “Lirija” ë Selanikut, “Besa” e Konstantiopolit, “Vetëtima” e Sofjes e tjerë.

Po ashtu kishte bashkëpunuar me shumë personalitete kombëtare, si me Sh. Kolonjën. N. Ivanajn, L. Gurakuqin, J. Vreton, J, Vruhon, J. Erëbarën. I. Shytin e tjerë, me të cilat edhe korrespondonte në vijimësi. Është me interes të paraqesim edhe një korrespondencë që e kishte mbajtur me “vëllezërit kosovarë”, të cilët i rrëfenin për dhunën serbe mbi ta, me të cilën ai veç ishte i njohur edhe nga afër. Madje, si përgjigje për hegjemoninë e tyre, ai i ishte përgjigjur atyre në gazetën “Drita” Sofje, nr. 6, 18-31 janar 1902, ku shkruan: “Ju doni të ndreqni një Serbi të re në tokat e Shqipnisë së vjetër.”

Për ta aktualizuar çështjen shqiptare, ai me mjete modeste financiare dhe duke kërkuar nëpër grupimet shqiptare në Bullgari, Rumani e Rusi, kishte arritur që ta nxjerr një të përkohshme në Sofje, me titullin “Shqypéja e Shqypënis” (1909-1911).

Po për çështjet kombëtare ai bëri lëvizje të shumta, duke menduar në organizimin e formave të ndryshme, vetëm që qenia kombëtare të mbetet e gjallë, qoftë me hapjen e shkollave, botimet e ndryshme shqipe, qoftë edhe me organizimet luftarake. Ai kishte qenë në Kosovë, në Shkup, në Dibër, në Tetovë, në Durrës, duke vënë kontakte me personalitete të përkushtuar dhe realisht duke e parë gjendjen e padrejtësive, injorancës dhe varfërisë që e kishte pllakosur shqiptarin.

Edhe pse në jetë shoqërues e pati edhe një sëmundje e cila nuk i shqitej si hije, ai deri në momentet e fundit e injoronte me kokëfortësi. Duke u kthyer nga Durrës në këmbë për tek familja në Sofje, i sfilitur nga gjendja e përgjithshme shqiptare, nga varfëria e tij personale, dhe nga sëmundja e forcuar së fundi, vdekja ia ndalon hapërimin në Prishtinë në vitin 1915, ku edhe prehet në varrezat orthodokse, i mbetur pa shenjë e pa nishan, as sa për një nderim varrit të tij të humbur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat