Preng Llesh Doçin, do ta mbajë mend gjithmonë të qeshur e të çlirët, me një humor të zgjuar e të zhdërvjellët, që të bënte për vete, të ndiheshe mirë dhe i sajdisur, cilësi kjo e njerëzve me intelekt, largpamës e vizionarë. Dy muaj para se të ndërronte jetë, e takuam së bashku me Inxhinier Irakli Premtin, ish drejtor i Përgjithëshm i Minerave të Shqipërisë, me të cilin e lidhte një miqësi e vjetër, që nga koha kur ishin gjeologë të rinj dhe bridhnin maleve të veriut shqiptar në kërkim të mineralit. Na çoi në një restorant italian, diku afër Rrugës së Elbasanit, ku qëndruam rreth tre orë, në një bisedë të gjallë, të cilën ai e ushqente me dijet e tij të shumta dhe kulturën e një komunikimi të ngrohtë e të thellë, ku binte në sy elokuenca e frazave dhe njohja me themel e gjërave që trajtonte, me lehtësinë e dikujt që njeh rrënjët e atij kërkimi filozofik impresionues, të clin e mbante gjithëherë të gjallë me anë të librit, që nuk e ndau kurrë nga dora dhe që e konsideronte kryemik të tij.
Folëm për xeherorët, kërkimet e mbetura në udhë të naftës shqiptare, Vatikanin dhe pesë papët që, sipas Prengës, kishin qenë me origjinë shqiptare, politikën e kapur, të cilën ai me të drejtë e paragjykonte, duke qenë vetë një demkrat me gen e rrënjë, pinjoll i një familje historike, që i kishte udhqyer rrënjët e demokracisë në male me gjak të dredhur ndër breza, që nga koha e Llesh Doçit të Parë e deri në ditët tona. Pastaj nisi të recitonte vargje të tërë, qindra vargje dhe episode poetike nga vepra madhore e At Gjergj Fishtës “Lahuta e Malësisë”, të cilën e dinte përmendësh dhe i deklamonte me nervin dhe sharmin e një aktori të lindur. Fishtën e kishte kryeidhull dhe në çdo bisedë, me vargjet e tij brilante ilustronte të vërtetat e shqiptarisë në kohën tonë, duke vënë theksin tek nevoja e ngutshme e shoqërisë panshqiptare për të ndërtuar ura bashkimi ndër veti e mes vetit.
Dukej pak i zbehtë dhe disi i lodhur, me sa duket, për shkak të sëmundjes, për të cilën nuk na tha asgjë dhe nuk donte ta pranonte, si diçka krejt të huaj, që nuk kishte vend në trupin dhe shpirtin e tij, të etur për diellin dhe mirësinë e një jete të jetuar me shumë dinjitet dhe në harmoni me të gjithë ata që e rrethonin.
Prenga u nda nga jeta në moshën 67 vjeçare, kur kishte ende energji për të ecur përpara në jetë, në frontin e dijeve, ku angazhonte një pjesë të konsiderueshme të kohës së tij, në fushën e biznesit, ku me vëllezërit e tij ngritën dhe vunë në efiçensë firmën “Lura”, e cila falë dhe kontributit të tij, u bë një mesazhiere e biznesit që konkuron mbi bazën e vlerave dhe të shërbimit cilësor. Do t’iu mungojë shumë jo vetëm familjarëve, bashkëpunëtorëve të biznesit, lurianëve që i donte dhe e deshën aq shumë, por dhe miqve dhe shokëve, që e rrethonin gjithmonë dhe që ishin bashkëudhëtarë të tij…
Preng Llesh Doçi lindi më 5 dhjetor 1949, në Lurë, ku kreu shkollën fillore, kurse shtatëvjeçaren, në shkollën “Demir Gashi” në Peshkopi, për të vijuar më tej të mesmen në Prrenjas të Librazhdit për gjeologji-miniera, ku doli me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, Fakultetit të Gjeologjisë, punoi në ndërmarrjen gjeologjike të Tiranës – në sektorin e mineraleve të rralla, në Gjazuj të Mirditës e në vende të tjera, ku me pasion e përkushtim, u tregua në lartësinë e një specilasti dhe intelektuali të formuar dhe të një luriani krenar për origjinën dhe historinë e rrënjëve dhe degëve të tij.
Era e ndryshimeve historike që fryu në Shqipëri, duke i hapur rrugë shoqërisë së hapur, ekonomisë së tregut dhe fjalës së lirë, bënë që Prenga të pozicionohej djathtas, duke respektuar vuajtjen dhe kontributet e të parëve të tij dhe nevojën e ngutshme të shoqërisë për t’u ndarë sa më shpejt nga e kaluara e trishtë diktatoriale, çfarë mund ta bënte vetëm një forcë politike djathtiste.
Prenga ishte një nga themeluesit e të parës parti opozitare në Shqipëri, që dilte në skenën e pluralizmit pas një gjysëmshekulli monizëm dhe izolim, demokrat me vizion, dishepull i fjalës së lirë dhe qëndrestar aktiv në emër të të drejtave njerëzore, të cilat, sipas tij, përbënin shtyllën kurrizore të një shoqërie të lirë.
Preng Llesh Doçi ishte i lidhur me vendlindjen e tij, Lurën, e cila ishte Itaka e tij, Edeni i tij, malli, përkushtimi, dashuria, dhimbja, emblema që e mbarte me vete kudo që shkonte, qoftë si mesazhim, qoftë si kujtesë, për të cilën së bashku me vëllezërit e tij luftuan që ta bënin më të lakmueshme për syrin e turistit dhe vizitorit, më të bukur, më bashkëkohore, duke ndërtuar me konçesion tre hidrocentrale, që janë pjesë e krenarisë luriane. Janë të shumtë lurianët që Prenga dhe vëllezërit e tij kanë ndihmuar në raste fatkeqësishë e përballjesh me sfida të jetës, duke u ngritur në lartësinë e kullës historike të Doçit, që ka qenë dhe mbetet një kullë e shtruar buke dhe bese, përkrahjeje për të dobëtit e të pamundurit, kullë trimërie dhe atdhetarie.
ishte jo vetëm fusha ku kishte studiuar me themel, duke qenë një nga studentët më të mirë të kohës së tij, por dhe pasioni i tij, ku lidhjet me kolegët, njerëzit e thjeshtë të punës, shkencëtarët, i mbajti deri në frymën e fundit të jetës dhe i ushqeu me përkushtimin e tij gjithmonë rinor dhe të pathyeshëm. Edhe pse biznesi kërkonte shumë punë e angazhim dhe sigurisht dhe përballje me shumë pengesa e vështirësi, ai nuk i shkëputi kurrë lidhjet me shokët dhe miqtë e tij gjeologë, me inxhinerët e talentuar, pedagogët, shkencëtarët e nëntokës, të cilët shikonin te Prenga një personalitet model të përcjelljes së vlerave njerëzore e diturore, të një intelektuali të angazuar me problematikat më të mprehta të kohës. Që në krye të herës, duke qenë kryetar i Sindikatave të Pavarura në Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës, u dallua si qëndrestar në mbrojtjen e të drejtave të punonjësve, duke u përballur me ingranazhet e burokracisë shtetërore, në përpjekje për të bërë më të mirën e mundshme për këtë shtresë të shoqërisë shqiptare, e cila ende nuk e ka gjetur vetveten në këtë tranzicion të trishtë, të gjatë përtej çdo limiti të parashikuar.
Duke dhënë shembullin e tij si demokrat i vendosur, i palodhur, i përgatitur, me qëndrimet e veprimet e tij progresive për reformat e zhvillimet ekonomike të ditës e të perspektivës, Prenga gjatë gjithë jetës së vet, luftoi i motivuar e pa ndaluar për Liritë e të Drejtat e Njeriut, pasi ky ishte ideali e principi i tij, bota e tij njerëzore, psikolgjia dhe mendësia e tij, të cilat i ushqeu deri në ditët e fundit të jetës me lexime të shumta, me njohje të thellë të filozofisë, fesë, etnopsikës kolektive të popullit.
Si besimtar katolik, me njohuri shteruese teorike dhe praktikant i këtij religjioni, Prenga zotëronte një njohje të thellë dhe dituri të thella të mistereve të këtij besimi, i aftë e i hapur në debate edhe të nivelit të lartë me klerikë të njohur për të Drejtat e Liritë Fetare të Njeriut, duke mbajtur lidhje të veçanta shoqërore me mjaft dioqeza shqiptare, me priftërinj të njohur Brenda e jashtë kufijve administrativë të Republiës sonë, teksa ishte adhurues, mik e dishepull i At Zef Pllumbit, françeskanit të përjetshëm.
Preng Llesh Doçi ishte një familjar i përkushtuar, model në gjithçka, një bashkëshort xhentil dhe sharmant, një baba i mrekullueshëm, baba i dy djemve, Ervinit e Davidit dhe i një vajze, Teutës, ishte bashkëshorti i zonjë fisnike Leze Doçi.
Kur kërkon gjurmët e disa njerëzve, të cilët i ke njohur dhe me të cilat ke ndarë një pjesë të kohës dhe ëndrrave, shpesh gjurmët e kujtesës humbasin në shtjella emocionesh, pasi bashkë me këto gjurmë vijnë e të përmbytyn nga brenda emocionet e një caku kohor të ikur me vrull e ngut në një kohë të pakthyeshme. Kështu po më ndodh teksa hedh në letër këto radhë për Preng Llesh Doçin, mikun tim të mirë, lurianin e karareve të dheut, biznesmenin human, intelektualin erudit, njeriun me një botë të madhe drejtësie e dashurie njerëzore.
Jeta e tij ishte një uragan lirie e drejtësie, dashurie për jetën dhe vlerat njerëzore e religjioze, një mesazhim i gjithëkohshëm për të mbrojtur identitein dhe rrënjët luriane, dibrane e shqiptare, në përballje me çdo lloj agresioni nga jashtë e nga brenda, që kërkon të rrafshojë gurët kilometrikë të kujtesës së kombit dhe të historisë.