​Sami Shabani - fitues i Çmimit Blerës të Galerisë në “Peneli i Flakës 2021”

Kultura

​Sami Shabani - fitues i Çmimit Blerës të Galerisë në “Peneli i Flakës 2021”

Më: 17 janar 2021 Në ora: 20:40
​Sami Shabani - fitues i Çmimit Blerës të Galerisë në “Peneli i Flakës 2021”

Manifestimi “Flaka e Janarit 2021”, ka vazhduar rrugëtimin me ekspozitën kolektive të arteve pamore “Peneli i Flakës”, në Galerinë e Arteve në Gjilan, ku janë ekspozuar punimet e përzgjedhura nga 37 artistë të ndryshëm nga Kosova, Shqipëria e Kosova Lindore, si në pikturë, skulpturë, grafikë e fotografi artistike, ndërsa është ndarë edhe Çmimi Blerës i Galerisë, i cili i ka takuar Sami Shabanit.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se ndihet i nderuar që është në mesin e artistëve që tani më kanë bërë emër edhe përtej Kosovës, që kanë bërë vepra në nivel kombëtar duke e bërë Gjilani të krenohet.

“Ne i kemi tri çmime, apo tri vlerësime që Gjilanit i japin nder. Vlerësimi i Presidentes të Republikës për Çmimin e Lirisë, për kontribut kolektiv të Gjilanit, për rolin në vitin 1944-45 të kryengritësve të Gjilanit. Pastaj, Flamurin e Parlamentit Evropian, për Dialog dhe Tolerancë si qyteti më i zhvilluar në dialog dhe tolerancë në Evropën Juglindore dhe shpallja e këtij manifestimi - Trashëgimi Shpirtërore, që është vlerësim i jashtëzakonshëm për ne”, ka thënë Haziri.

Ai ka bërë me dije se janë duke e ndërtuar edhe muzeun e dytë të qytetit, muzeun etnologjik, ku “Flaka e Janarit” do ta ketë edhe dhomën e vet në kuadër të këtij vlerësimi që ka marrë nga Ministria e Kulturës.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi tha se vendosja e Festivalit “Flaka e Janarit” në Listën e Trashëgimisë Shpirtërore ka një domethënie të madhe dhe dimension kombëtar, teksa e ka siguruar kryetarin Haziri se do t’i qëndrojnë afër edhe me financa për këtë manifestim.

Profesori Avni Behluli, bartës kryesor i shtyllës së “Flakës së Janarit”, ka evokuar kujtime nga organizimet e para të “Penelit të Flakës”, e deri më sot, duke rikujtuar vështirësitë në të kaluarën, por edhe organizimet e tanishme në Kosovën e lirë, falë të rënëve për liri.

Komisioni Vlerësues në përbërje, Gëzim Brestovci, kryetar dhe Blerta Hyseni e Leoneta Abdyli, anëtare, kanë ndarë tri çmime të barabarta edhe atë për Demush R. Avdimetaj, Hajrush Fazliu dhe Kushtrim Rashiti, ndërkohë që Çmimi Blerës i Galerisë i ka takuar Sami Shabanit.

Me mirënjohje Post-Mortem, për kontributin e dhënë për këtë fushë, janë nderuar Demir Behluli dhe Demush Haziri, ndërsa me mirënjohje po ashtu janë nderuar edhe artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 31 janar.

“Flaka e Janarit 2021”, përmes të cilit kujtohen e nderohen heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, do të vazhdojë me një akademi përkujtimore për presidentin Ibrahim Rugova, më 21 janar, në ora 16:00, në Teatrin e Qytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat