Nxënësi im, më vuri revolen në kokë, deshi të më vriste

Kultura

Nxënësi im, më vuri revolen në kokë, deshi të më vriste

Nga: Gani Mehmeti Më: 23 prill 2021 Në ora: 08:26
Gani Mehmeti

Të martën u kthyem në Podujevë dhe u vendosëm tek Bebushët, siç kemi shkruar. Sot është dita e katërt që jemi këtu. Afër shtëpisë sonë jemi, por nuk na lënë çetnikët serbë të shkojmë nëpër shtëpitë tona.

Pas orës 13 :00 shkova deri tek motel « Besiana » për të pyetur se a mund të shkohet në shtëpinë tonë, duke u treguar se në cilin rajon e kemi atë. Më thanë se shkohet! Dhe, pa u hamendur, u ktheva tek familja, e mora atë dhe u nisëm bashkë për në shtëpi.

Rrugës kah shkonim, Podujeva ishte e shkatërruar nga barbarët serbë. U bë plot një muaj që është pa njerëz, vetëm me minjtë, macat e qentë dhe barbarët. Nuk shihje asnjë pronë shqiptari që nuk i ishin thyer xhamat. Gjithçka ishte shkatërruar! Ishte plaçkitur, çka ka qenë e mundur për të plaçkitur, pjesa tjetër ishte asgjësuar, shkyer, thyer, shkelur e djegur!

Ne i ramë rrugës kah xhamia për të dalë atje te Javori, sot Shkolla Fillore « Ibrahim Rugova ». Ndërtesa që nuk ishte prekur e dëmtuar ishte ambulanca « Nënë Tereza », e cila kishte punuar për plot dhjetë vite.

Kur ne po donim të dilnim në rrugën Podujevë - Prishtinë, po shohim një ushtar ulur në balkonin nëkatin e tretë të shtëpisë së Tahir Begollit! Nga balkoni, ushtari na pyeti se për ku ishim nisur e kah po shkonim. Kur ne i treguam, ai thirri disa ushtarë të tjerë, mbasi vetë ai nuk po e dinte se a mund të shkonim ne në shtëpinë tonë, pse ai ishte i huaj e nuk e njihte terrenin se ku gjendej shtëpia ime!

Erdhën dy ushtarë në drejtimin tonë, mbasi ishin marrë vesh se ne nuk mund të shkonim në shtëpinë tonë, sepse, sipas tyre, mungon “siguria” në shtëpinë tonë, gjoja se këta paskan ardhur për “sigurinë tonë”, se mund të vijë kushdo nga grupet serbe dhe të na vriste ose bënte çdo të keqe. Njëri syresh ishte rezervist nga Serbia, pra jo ushtar i rregullt. Këtë edhe sikur e njihja nga tregu në Podujevë, kur për çdo të shtunë vinte në treg nga Kushumlia a fshatra tjera të Serbisë. Edhe ky u deklarua se po më njihte. Madje ky u soll shumë mirë me ne. Nuk bën të mos e themi realitetin. Nuk ia dija emrin, se nuk e kisha pyetur asnjëherë për të edhe përpara, por ne njiheshim nga tregu. Ai po ecte bashkë me ne.

Nuk mund të ju lë vetëm, sepse del dikush e ju vret! Nuk ka siguri. As unë nuk jam i kënaqur me këto kushte, se më mirë e kisha kur punoja në treg se sa sot që jam kështu i veshur. Edhe ne vetë jemi në rrezik nga grupe të ndryshme paramilitarësh serbë! Nuk pajtohen me ne as ata. Ky rezervisti edhe po fliste edhe po ecte me ne. Kur shkuam tek shtëpitë e Sekiraçëve, pak pa shkuar te kthesa për në Krypimeh, përballë kafesë së Mustafë Hajdarit, ishte një berrierë (rampë) në rrugën kryesore për të mos kaluar vetura e automjete të tjera.

Eja këndej, mos i bjer kah barriera, se nuk i dihet ! – na tha rezervisti. Ne e kaluam nëpër trotuar barrierën. – Tani juve ju qoftë rruga e mbarë! Po na thot rezervisti. - Asfaltin mos e lëshoni askund se nuk ka besë! Shkoni drejt kështu rrugës kryesore deri ku e keni destinacionin tuaj. – na tha dhe u ndamë duke i dhënë edhe dorën njëri-tjetrit.

Në shitoren « Llapi », përballë « Bankkosit », morëm gjysmë kg vegetë. Vazhduam. Nuk e di pse, një ushtar leckaman, sigurisht ishte rezervist, më pyeti nëse kisha djem më të mëdhenj! Kur unë iu përgjigja, duke i thënë jo, ai eci duke sharë nëpër dhëmbë diçka, por që nuk i kuptoheshin as fjalëtë!

Keni, ju, keni! I keni çuar në UÇK! – e kuptova kur tha, por unë eca pa bërë zë, se nuk ia vlente.

Më duhet të ceku se unë kisha me vete vetëm Petritin prej djemve dhe katër vajzat e bashkëshorten. Ilazin e kisha në Gjermani, Shkumbini me të vërtetë ishte në UÇK, ndërsa Besniku nuk e di as vetë se ku është, që ishte ndarë prej nesh!

Kur ne po i afroheshim postës, një i moshuar, në anën e kundërt të rrugës, po i përcillte dy gra dhe pa u vonuar, u nda prej tyre e u kthye.

Në këtë çast, doli nga posta një i ri i uniformuar, ushtar, duke thënë me zë bukur të lartë:

Zashto shetash? (Pse po shëtit?)

Unë nuk po dija se kujt po i flet. Mendova se po i flet atij që u nda nga gratë, kur ushtari po vinte në drejtim tonin. Tek atëherë e vërejta se ai po fliste me mua. Erdhi ai në drejtimin tim, e unë po ecja në drejtimin e tij, sepse unë rrugën e kisha andej. Kur ne u afruam pranë njëri-tjetrit, më ndali, duke më dalë përpara:

Pse po shëtit? – më pyeti në serbisht.

Nuk po shëtis, deshta të shkojë në shtëpinë time, por më thanë se nuk është zona e lirë dhe u ktheva. – iu përgjigja.

Ku i ke djemtë tjerë? - më pyeti.

S’kam të tjerë: një e kam në Gjermani, një në Ulqin! – i thashë, mbasi vërtet atje kishte punuar Shkumbini deri sa ishte nisur për në luftë.

Ti i ke djemtë në UÇK! - më tha. - Tregom drejt! – tha ai, edhe po fliste, edhe po e çonte përpjetë revolen, mbasi e nxori nga fotrola dhe ma afroi drejt në lule të ballit! - Këtë moment, gruaja dhe vajzat hynë mes meje dhe tij, duke bërtitur dhe duke qajtur! Nuk ishte afër ndponjë njeri tjetër për momentin.

Apo më njeh mua! – më pyeti.

Sa e kam menduar këtë, natyrisht shpejt se kisha dëgjuar që në raste të tilla, edhe nëse e njef, nuk duhet t’i tregosh, sepse ai të likudon për të mos pasur dëshmitar, unë i kam thënë:

Jo, nuk po të njoh! – por e njihja mirë edhe pse nuk e kisha parë prej kohësh. Ky ishte nxënësi im i dikurshëm që i kisha dhënë mësim në lëndën e Gjuhës e letërsisë shqipe, nga që ishin të obliguar të mësojnë shqip! Ky ishte dhe është djali i dytë i arsimtarit tim në fillore Millan Mlladenoviqi, që më vonë edhe kishim punuar bashkë, e një kohë e kisha edhe drejtor në po këtë shkollë në Krypimeh, pra ishte biri i tij, Dragan Mlladenoviq, sa do që me babain e tij nuk kemi pasur asnjëherë asnjë problem dhe asgjë të keqe. Vërtet ka qenë shumë i sjellshëm me të gjithë.

Ai tek sa nuk e shkrepi revolen, por a mbajti ashtu në ballin tim një copë herë. Pas pak, duke biseduar, nga prapa dëgjova zhurmën e një veture që po vinte drejt postës por nuk e shihja, se e kisha prapa, kur doli përpara nesh, pashë se ishte një « FIQË »e bardhë me dy ushtarë të tjerë dhe u ndal afër postës. Këtë çast edhe ky që më kishte ndalur mua, lëshoi revolen teposhtë, liroi edhe rrugën, dhe ne vazhduam drejt tek Zeqir Haziri i Bebushëve, ku ishim të stacionuar.

Natyrisht, në ditarin e kësaj dite e kam shkruar, sepse tani tek Zequa kisha kohë të mjaftueshme. Nuk më mungonte as letra e as lapsi, por publikohet për herë të parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat