Kujtime nga fëmijëria - Letra e parë (e dashurisë)

Kultura

Kujtime nga fëmijëria - Letra e parë (e dashurisë)

Nga: Dibran Demaku Më: 9 maj 2021 Në ora: 09:22
Dibran Demaku

Ne ngadalë po rriteshim, po rriteshim. Kishim arritur në klasë të shtatë. Tjera ëndrra, dëshira e shpresa bulonin në ne. Po linim prapa kohën e rinisë dhe po fillonim kohën e moshës më të ëmbël të jetës, kohën e rinisë.

Do të fillonin edhe ato simpatitë e para për gjininë e kundërt në stilin: Sykaltra ime; sykaltri im; syzeza ime; syziu ime e deri tek zemra ime apo shpirti im.

Dhe në simpatitë e para ndodhnin edhe gabimet e para.

Ylli e Pylli i kishin shkruar Yllkës* letrën e parë të dashurisë.(Ndoshta kjo as që ishte e para letër e dashurisë në klasën tonë. Mund të jenë shkruar dhjetëra të tjera, por ato kanë mbetur sekrete për të cilat e kanë ditur vetëm shkruesja(shkruesi)dhe marrësja (marrësi).

Letra e Yllit dhe Pyllit, drejtuar Yllkës, u bë e ditur vetëm nga një rreth i ngushtë shokësh.(As sot e kësaj dite nuk dihet nëse Yllka ua kishte bërë të ditur shoqeve të saj letrën e dashurisë të Yllit dhe të Pyllit).

 Ylli dhe Pylli i ishin drejtuar me një letër dashurie shoqes sonë të klasës Yllkës. Kjo u bë e ditur vetëm pasi Ylli dhe Pylli kishin marrë përgjigjen nga Yllka. Të frikësuar nga çfarë kishte shkruar Yllka në përgjigjen e saj, Ylli dhe Pylli, kishin vendosur që sekretin apo fshehtësinë e tyre të na e tregonin një grupi të ngushtë shokësh, duke shpresuar se sekreti i tyre do të mbetej i pazbuluar.(Kanë kaluar mbi pesëdhjetë vite dhe për atë letër dashurie nuk është mësuar nga askush tjetër dhe nuk është kurrë për të. Dhe mirë që ka ndodhur kështu për shkak të rrethanave të kohës).

Në përgjigjen e saj për Yllin dhe Pyllin, Yllka kishte shkruar pak a shumë kështu: Ylli dhe Pylli ju jeni dy gomarë. Po ku keni parë e dëgjuar ,o gomarë që dy persona të kërkojnë dashuri nga e njëjta femër. Pastaj si nuk keni pasur turp për fjalët e shkruara në letër.Letrën tuaj do të ja jap mësuesit kujdestar të klasës sonë.

Ylli dhe Pylli të shastisur nga frika, në praninë e ne grupit të ngushtë do ta grisnin letrën(përgjigjen e Yllkës)në pjesë të imta duke e shpërndarë nëpër qoshet më të skajshme të oborrit të shkollës sonë.


Dhe pastaj në pothuajse në çdo pushim në mes orësh mësimore do t‘i shihje Yllin dhe Pyllin duke shikuar se athua ato grimca mikroskopike mund t‘i kishte mbledhur ndokush dhe të zbulonte fshehtësinë e tyre.

Qetësinë shpirtërore Ylli dhe Pylli do ta gjenin vetëm pas një shiu-rrebesh që kishte rënë në një nga netët e asaj pranvere, dhe grimcat e letrës së grisur të Yllkës i kishte zhdukur...

*Ylli Pylli dhe Yllka e rrëfimi tonë në realitet kishin emra të tjerë. Ndryshimi i emrave të tyre është bërë me qëllim që edhe më tutje të ruhet sekreti i tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat