Vullkani i zjarrit të fjalëve që të shenjtërojnë

Kultura

Vullkani i zjarrit të fjalëve që të shenjtërojnë

Nga: Baki Ymeri Më: 29 korrik 2021 Në ora: 22:08
Rizah Sheqiri

Duke bërë fjalë për rumunët dhe poezinë e tyre, Vasile Alecsandri, miku i madh i Mihai Eminescut, njëri nga poetët më të njohur të Rumanisë së shek.XIX, ka thënë se rumuni ka lindur poet. Poeti Aleksandri e admironte lashtësinë romake, ndërlidhjen e Rumanisë me vendet latine, dhe thoshte se Populli rumun ka një respekt të pakufishëm për drejtësi. Duke bërë fjalë për dashurinë ndaj atdheut, rumuni, sipas tij, e don dheun ku ka lindur si një parajsë, nga e cila as tiranitë më të egra nuk janë në gjendje ta dëbojnë. Një konstatim i këtillë ta përkujton Shqipërinë e Sami Frashërit dhe Kosovën e Rizah Sheqirit, atdheun e tij të parë dhe sakrificat që kanë bërë shqiptarët për mbrojten e identitetit kombëtar, për mbrojtjen e dheut dhe gjuhës, të traditave dhe shpirtit.

Rizah Sheqiri është një shpirt i birshtë me një dashuri të pakufishme ndaj gjuhës amtare, të cilën din ta bëjë të njohur edhe në përmasa ndërkombëtare. Bota e tij poetike, sipas vlerësimeve eseistike, është e përmbushur me dhembje, mall dhe kujtesë. Poezia është vullkani i llavës së fjalëve që të shenjtërojnë. Ajo është shpirti i fjalëve që shëmbëllen me fluturimin e fluturave në erë. Ftesa për dashuri është vullkani që të fton të hidhesh në llavën e një zjarri që të shenjtëron. Autori ka një respekt të jashtëzakonshëm  ndaj vendlindjes, atdheut, librit, të vërtetës dhe dashurisë. Nëse patjetër të duhet e vërteta është vëllimi i tij i parë i botuar në një gjuhë të huaj (If you really want to know the truth). E vërteta për Kosovën është një monografi që e ka parë para disa vitesh dritën në Tiranë, për  afirmimin e Kosovës në gjuhën angleze (The truth on Kosova). Kosova është simbol i qëndresës, pranverë permanente, fati i botës dhe bota e shpresave shqiptare për një jetë të bukur e të ëmbël, ku gjelat paralajmërojnë heshtjen, kur shfaqet ylberi i buzëqeshjes.

Librat e autorit me poezi, dramë dhe novela, si Hëna e do lojën (1990), Zemër krejt dashuri (1990), Merimanga e dritës (1991), Çerdhja e gëzimit (1992), Mos na e ndalni rritën (1992), Shëngjergjat e mi (1993), Peshq të vegjël (1993), Shkurt e shqip (1994), Flutura në erë (1995), Degëz e këputur (2002), If you really want to know the truth / Nëse patjetër të duhet e vërteta (2003), Flutura në kaktuse (2005), Ftesë për dashuri (2007),  të botuara në Tiranë, Prishtinë, Bukuresht dhe Suedi, janë vlera reale që e zbukurojnë thesarin e vlerave letrare të botës shqiptare. Autori e ka parë dritën e botimit në kohën kur ia vrisnin krahët zogut në fluturim, kur binte dëborë mbi lulet e zemrës së tij, kur dielli perëndonte para se të lindë: Në kohë të ligë u linda vonë, tepër vonë, kur ulërinin ujqërit, kur shqiptari merrte rrugën e mërgimit me mallin për atdheun në gji.

Rizah Sheqiri është një zemër e mbushur me dashuri ndaj botës. Ftesë për dashuri është edhe ftesa e tij që i buron nga zemra për më shumë dashuri, edhe për më shumë dashuri midis njerëzësh, midis kombesh, midis popujsh midis vendesh. Për veprimtarinë e tij letrare dhe arsimore është nderuara me një varg mirënjohjesh, ka marrë disa çmime të rëndësishme vjetore për kulturë dhe vitin 2007, në mesin e qindra gjuhëve amtare, ai në cilësinë e mësuesit të shqipes, nga  Enti Shtetror Për Zhvillimin e Shkollave të Suedisë dhe nga Grupi i gjuhëve të amtare (Tema modersmål) është nderuar me mirënjohjen Mësuesi i Vitit  për gjuhë amtare në Suedi. Autori ka marrë pjesë në një varg festivalesh dhe panairesh ndërkombëtare të librit. Duke ndjekur shembujt e shenjtë të qytetërimit perëndimor, autori ka dhuruar qindra libra për fëmijët e Kosovës në Kosovë, duke dhënë kontribute konkrete edhe për afirmimin e arsimit shqip në Skandinavi. Rizah Sheqiri është shqiptari i parë i Suedisë që ia shpalon shpirtin poetik botës letrare rumune. Në burimet elektronike të internetit, paralelisht me emrin e tij, ballafaqohemi me një spektër emrash të bukur të botës shqiptare dhe botës së huaj. Disa i ka miq, disa kanë shkruar për poezinë e tij, disa i ka njohur në festivalet e poezisë, disa kanë kontribute të ngjashme për përhapjen e kulturës shqiptare në Europë: Luan Starova, Osman Gashi, Kolë Gjon Gjergji, Luljeta Krasniqi, Agim Thaçi, Ramiz Esati, Astrit Shiroka, Artan Shabani, Veronika Shkreli, Alban Shkodra, Sadullah Zendeli, Vangjea Mihane Sterju, Jon Persson, Maria Ringberger, Kasian Maria Spiridon.

Ja pra se si duhet shkruar për shqiptarin që e nderon Kosovën tejmatanë kufinjve të Atdheut! Miqësia letrare që krijon me botën gjithandej, me botën suedeze dhe atë rumune, është një miqësi e sinqertë që përfitohet përmes besnikërisë, modestisë, vlerave dhe njerëzisë. Atdhetarë! - shkruante Naum Veqilharxhi para 150 vitesh në Brailë të Rumanisë: Duke parë përparimin e disa kombeve të sotshëm dhe gjendjen tonë të tanishme, jo vetëm që nuk duhet të humbasim shpresën, por duhet të mbushemi me hov dhe gëzim (1845). Rizah Sheqiri është shqiptari që din të respektojë vetveten dhe gjuhën e vendlindjes ku ka lindur, vlerat e atdheut dhe shpresat e njerëzve të tij, pranverën, ëndërrat, librin dhe dashurinë, diasporën shqiptare dhe vrullin djaloshar të rilindësve tanë, guximin dhe gëzimin për ta mbushur botën me gëzim. (Bukuresht, 30 korrik 2021)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat