Ferdinan Samarxhiu – gazetar i shquar dhe dalluar për çështje fetare shqiptare

Kultura

Ferdinan Samarxhiu – gazetar i shquar dhe dalluar për çështje fetare shqiptare

Nga: Don Lush GJERGJI Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 17:39
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe Gazetari Ferdinand Samarxhiu

Ferdinand Samarxhiu tashmë është i njohur, shquar dhe dalluar për trajtimin e çështjeve fetare ndërshqiptare, është një ndër figurat e njohura në botën tonë të vogël, me tematika shumë të mëdha dhe shpesh edhe gjithënjerëzore. Ai me mjeshtri të rrallë, me kujdes dhe vëmendje të veçantë, me strategji të vëmendshme, do të them kirurgjike, trajton çështje fetare ndër ne, pa u identifikuar me ndonjë bashkësi fetare, por “super partes” – mbi palët, kërkon dhe gjen gjithnjë të mirën, të drejtën, të vërtetën, jetën dhe Dashurinë për Zotin dhe për Njeriun, si në histori, ashtu edhe tani, në bashkësitë tona fetare

Një njeri i mirë, që mendon, flet, shkruan dhe vepron mirë për të gjithë, sepse në mendje e ti të ndritur është e mira e përbashkët – gjithë-shqiptare, në zemrën e tij të madhe dhe bujare, ka vend për të gjithë pa përjashtime, anime, edhe më pak mallkime.

Mu për këtë Ferdinand Samarxhiu me përkushtim të jashtëzakonshëm trajton çështje dhe figurat fetare shqiptare nga e kaluara, gjurmon dhe gjen njerëz – vizionarë, “profet” të ditëve tona dhe hap horizonte dhe perspektiva për një të ardhme më njerëzore, më fetare, më shqiptare, sipas trungut tonë të përbashkët ilir, arbëror dhe shqiptar. Ai me fjalë, shkrime dhe emisione, lartëson të mirën, virtytin, pa e sulmuar apo ngatërruar të keqen, në stilin e Shën Nënës Tereze, e cila na fton dhe frymëzon që ta japim pjesën më të mirë të vetvetes – zemrën – dashurinë.

Po të kishim më shumë njerëz, gazetarë, publicistë shqiptarë, si Ferdinand Samarxhiun, jeta jonë nuk do të ishte plot kundërshtime, anime, sulme, padi, fajësime – shfajësime, grupime dhe konfrontime të egra, por do të jetonim së vëllezër – motra me njëri tjetrin, duke i mundësuar historisë sonë të stërlashtë që të jepte filiza të reja për kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, sipas traditës dhe kulturës së mirësisë, bamirësisë, bujarisë, mbi të gjitha vëllazërisë gjithëshqiptare në dy rrafshe: kombëtare, si shqiptarë, dhe fetare, si besimtarë monoteist.

Dy çështje, për mendimin tim, e dallojnë këtë Njeri: Kosova dhe Shën Nëna Tereze, të cilat i trajnon me shumë përkushtim dhe dashuri, si tema jetësore dhe vendimtare.

Presidentit të Shqipërisë, shkëlqesisë së tij, Ilir Meta, nderime dhe falënderime për këtë përzgjedhje të qëlluar dhe të guximshme, ndërsa festuesit, Ferdinand Samarxhiut, shëndet, vullnet, lumturi dhe kënaqësi, frymëzim në jetë dhe në veprimtari, në emër të Imzot Dodë Gjergjit, Kishës Katolike në Kosovë!

Urime dhe përgëzime!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat