Malësia pa trashëgimi nuk ka ardhmëri

Kultura

Malësia pa trashëgimi nuk ka ardhmëri

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 12:10
Gjekë Gjonaj

Malësia është e pasur për nga trashëgimia kulturore e natyrore dhe ka se çka t’u ofrojë vizitorëve , por janë institucionet që duhet të punojnë për ruajtjen dhe kultivimin e saj. Institucionet vendore e qendrore që merren me studimin e këtij thesari të Malësisë , shumë pak ose aspak flasin për monumentet e trashëgimisë kulturore e natyrore të Malësisë , edhe pse ato janë të pranishme gati në çdo pjesë të sajë. Duhet të jemi të sinqertë e ta pranojmë se trajtimi i trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe mbrojtja e saj në këtë trevë ka mbetur shumë prapa sepse ka pasur shumë prioritete tjera.

Në Malësi trashëgimia kulturore dhe natyrore ka mbetur pothuaj e njëjtë, që nga periudhat e hershme e deri në periudhën e kohës së re. Kjo trashëgimi kulturore dhe natyrore e secilës prej këtyre periudhave kohore nuk është hulumtuar, identifikuar, regjistruar, studiuar, ruajtur dhe mbrojtur sa duhet. Kështu, sot kemi shumë lokalitete, objekte, vlera e pasuri të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të dëmtuara, të shkatërruara, të prishura, të paruajtura, të papërkujdesura, të pambrojtura nga të dy nivelet shtetërore. Ato me vite janë lënë pas dore, në mëshirën e natyrës , por edhe prishjes nga dora e njeriut. Gjendja dhe pozita e tyre është mjaft e vështirë me tendencë të shkatërrimit të plotë. E gjithë kjo mendojmë se ka ndodhur për shkak të mungesës së vullnetit politik, mungesës së fondeve në fushën e kulturës, mungesës së projekteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore , e cila është dëshmia më e argumentuar se malësorët janë popullsi autoktone ( vendase) në këtë krahinë shqiptare në Mal të Zi. Vështirë mund të kuptohet, e aq më pak të arsyetohet neglizhenca e institucioneve përkatëse në trajtimin e së kaluarës historike të pasurive kulturore dhe natyrore, që janë të shumta në këtë trevë.

intervenim i shpejtë , në aspektin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Malësi, është më se i domosdoshëm, nëse duam ta njohim dhe ta ruajmë këtë thesar të malësorëve. Siç mësuam jozyrtarisht Sekretariati për Kulturë i Komunës së Tuzit është duke u marrë me hartimin e Hartës arkeologjike e cila do të mundësojë evidentimin e kësaj trashëgimie kulturore. Mirëpo, nuk mjafton vetëm identifikimi i saj , por duhet me i mbrojtur dhe kultivuar atë, mbase trashëgimia dëshmon vlerat dhe traditat të cilat pasqyrojnë dhe i japin formë kulturës dhe identitetit kombëtar. Komuna e Tuzit , përmes njerëzve përgjegjës , do të ishte mirë që, brenda kompetencave ligjore, të ushtrojë ndikim pozitiv në institucionet qendrore dhe të ndajë edhe mjete nga buxheti i saj për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe zbardhjen e kësaj trashëgimie, sidomos tash kur e ka nëpër duar hartimin dhe aprovimin e Buxhetit për vitin 2022.

Ekspertët shqiptarë të kësaj fushë janë të një mendimi se deri më sot janë bërë shumë pak përpjekje për ta lidhur trashëgiminë kulturore e natyrore me zhvillimin ekonomik në Malësi. Sipas tyre në vend që trashëgimia kulturore dhe natyrore të përdoret si mundësi për të krijuar vende të qëndrueshme të punës, si : shoferë autobusi, ciceronë, arkitektë, arkeologë, punonjës në hotelieri e në biznese të vogla , më shpesh trajtohet si “ kosto” për kuletën publike dhe barrë fiskale për disa nga qytetarët e Malit të Zi. Malësorët nuk duhet lejuar që këto vlera të tyre të papërsëritshme kulturore dhe natyrore të degradohen dhe të shkatërrohen, por të mbrohen dhe vlerësohen. Sepse një popull pa trashëgimi vështirë se mund të gjejë vend në mes të popujve të civilizuar të botës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat