​Në Muzeun Etnologjik të Gjilanit hapet “Dhoma e Kadriut, Jusufit, Bardhoshit, Rexhepit e Nuhiut”

Kultura

​Në Muzeun Etnologjik të Gjilanit hapet “Dhoma e Kadriut, Jusufit, Bardhoshit, Rexhepit e Nuhiut”

Më: 19 janar 2022 Në ora: 20:34
Ekspozita është përcjellë edhe me një dokumentar kushtuar heronjve

Manifestimi kulturor “Flaka e Janarit 2022” ka vazhduar sot me një ekspozitë memoaresh dhe kujtimesh, e titulluar “Dhoma e Kadriut, Jusufit, Bardhoshit, Rexhepit e Nuhiut”, e përgatitur nga Vladrin Bajrami.

Fotografi, gjësende, veshmbathje e eksponate të tjera, të cilat heronjtë i kishin përdorur gjatë veprimtarisë dhe aktivitetit të tyre, deri në ditën e rënies heroike, janë ekspozuar në Muzeun Etnologjik të Gjilanit, ku përgjatë tërë kohës janë ekzekutuar këngë, të cilat i këndonte dikur Jusuf Gërvalla, derisa artisti Mehmetali Arifi, duke ekzekutuar në kitarë ka kënduar njërën nga këngët më të njohura të heroit.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se kjo është një risi e “Flakës së Janarit” dhe ka falënderuar familjen Mala e Berisha, të cilat kanë sjellë një pjesë të eksponateve në një ekspozitë të përkohshme, ku dominojnë fotografi të bëra në shtëpitë e familjeve të heronjve e të cilat paraqesin edhe një pjesë të jetës dhe veprës të tyre e për të cilët tash e 31 vjet organizohet “Flaka e Janarit”.

“Është e rëndësishme vizita në një ekspozitë e në një dhomë të tillë, ku pos pranisë fizike të rrobave e dorëshkrimeve të heronjve, bashkë me familjarët dhe qytetarët kemi një mundësi që të nderojmë veprën e tyre në janarin e këtij viti. Vepra dhe jeta e heronjve tanë duhet të jetë mënyra dhe rruga që duhet ndjekur të ardhmen e përgjegjësia e jonë si përfaqësues të institucioneve është veçanërisht e vështirë dhe e rëndë e në të njëjtën kohë edhe e rrit nivelin e përgjegjësisë kur kemi manifestime të tilla. Ata duhet kujtuar gjithmonë”, ka thënë Hyseni, duke kërkuar që të merren frymëzime e mësime nga këta heronj.

Ekspozita është përcjellë edhe me një dokumentar kushtuar heronjve. “Flaka e Janarit” vazhdon nesër me një ekspozitë të artit bashkëkohor “Rezistencë”, Peneli i Flakës, duke filluar nga ora 19.00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat