Ndërgjegjja e lartë poetike si vlerë e poetikës së poezisë

Kultura

Ndërgjegjja e lartë poetike si vlerë e poetikës së poezisë

Nga: Mikel Gojani Më: 21 janar 2022 Në ora: 18:09
Kopertina e librit

Krijuesja e vlerave të cilësueshme,  Gjelina Maci Keçi, kohë më parë, ka botuar vëllimin e dytë poetik, me titull, Bija e diellit, i cili vëllim poetik  shquhet me vlera tepër solide poetike, si në pikëpamje të temave dhe ideve, po ashtu edhe në pikëpamje të shprehjeve  poetike. Duke qenë spontane, e vetvetishme dhe e paimponueshme, ndërkaq ajo  ka arritur të jetë posaçërisht i çmuar  nga të gjithë ata që kanë lexuar dhe vlerësuar vargun poetik të kësaj krijueseje. Sikur vargjet e vëllimit të parë poetik, Jam grua, po ashtu edhe tek poezitë e librit, Bija e diellit,  dëshmojnë qartë për këtë spontanitet krijues, që sendërtohet në plan të pikëpamjeve dhe qëndrimeve ndaj poezisë, në plan të temave dhe motiveve; në plan të stileve të gjuhës dhe në plan të zgjidhjeve të veçanta konkrete brenda vargut dhe brenda poezisë si tërësi. Kjo mënyrë e krijimit ka bërë që kjo  poet të shquhet, në  njërën anë për ngushtësi tematike – motivore, kurse në anën tjetër të sendërtojë disa poezi tepër të realizuara dhe të veçanta që i bëjnë mirë poetikës së vargut të shkurtër përgjithësisht.

Poezia e poetes Gjelina Maçi Keçit flet për një këndvështrim të natyrshëm artistik

Studiuesi i shquar i letrave shqipe, njëherësh edhe redaktor i librit, Bija e diellit, të poetes Maçi Keçi, Namik Selmani, duke folur për vlerat e këtij vëllimi poetik, shprehet se libri i dytë ka mjaft risi që e bëjnë atë një vëllim poetik. “Larmia tematike, një këndvështrim mjaft social, një temë dashurie  e trajtuar  me lirizëm të spikatur e bëjnë atë mjaft të pëlqyer.

 E pra, pohon studiuesi Selmani, kjo ndjesi  të vjen edhe kur lexon vëllimin  e dytë poetik të poetes Gjelina. Ai mban vulën e vendit ku ajo ngjizet, filizo dhe bën frytet at, ani se jeta të dërgon në të tjera dyer, aeroporte, dogana e rrugë të ndryshme”, konstaton ndër të tjera studiuesi Selmani. 

Prandaj, po të shikohet në plan të motiveve që kanë nxitur dhe të preokupimeve dhe ideve që i ka poetizuar, poezia e poetes Maçi Keçit flet për një këndvështrim të natyrshëm artistik, i cili, duke qenë i kthyer kah subjekti poetik, shpalos botën shpirtërore të autores. 

Poezia e krijueses, Maçi Keçi, shquhet në poezinë tonë posaçërisht  me figurativitetin dhe ndjeshmërinë e veçantë të shprehjes.

Vëllimin poetik Bija e diellit,  autorja Maçi Keçi nuk e koncepton në cikle të organizuara e të lidhura në një tërësi, duke thyer atë rutinën e këtij konceptimi, mirëpo në çdo mënyrë duke ruajtur funksionalizimin e njësisë dhe të tërësisë poetike, po me homogjenitetin tematik e motivor. 

Poezia e krijueses,  Maçi Keçi, shquhet në poezinë tonë posaçërisht  me figurativitetin dhe ndjeshmërinë e veçantë të shprehjes. Te ky varg thuajse të gjitha njësitë tekstore kanë veti konotative, ndonëse ruhet njomësia ndjenjore. Kështu, kur preokupimi tematik është shumëdimensional, atëherë ky preokupim dhe kjo ndjenjë e shfaqur i jep shpirt vargut bashkë me dimensionet e tij. Kjo hetohet edhe nga fjalori që përbëhet  nga fjalë dhe shprehje me tingëllima të brishta emocionale dhe me domethënie të theksuar humanizuese dhe  me ndjenja të dashurisë, të një dashurie autentike shumë të çiltër dhe tepër njerëzore.  Për ta dëshmuar këtë që thamë, ja disa vargje nga poezia “Perëndeshë e dashurisë”:

Je perëndeshë dashurie për mbi tokë,
Diellin qa ndrin dhe kurrë nuk perëndon, 
Lind dhe mbaron në tërë jetën në botë,
Je lulja që në çdo stinë vetëm lulëzon. 
Gjithë artistët bukurisë t’i kanë kënduar,
Dorë e Zotit nuk ka gabuar në mirësi.
Të dha zemër, trup e shpirt të mjaltuar
Je forca e shpirtit, ilaç shërues në dashuri... 
Poezia, Perëndeshë e dashurisë, fq. 12. 
Ose nga poezia vijuese tepër artistike: “Vallëzim në shi:”
Nën shi puthjesh atë natë na hyri vjeshta. 
Kërcënim sy më sy Valsin e Lumturisë. 
Me dritën  e bubullimës shpërtheu ndjenja,
Dashuria harlisej  më yjet e gjithësisë...
Poezia, Vallëzim në shi, fq. 18. 

Poezia e krijuese Maçi Keçi nxjerr në pah një pozitë të përkufizuar dhe të fortë të subjektit lirik.  Kjo vjen nga fakti se ai jo vetëm e përjeton fuqishëm objektin, por njëherësh edhe e mediton gjatë, thellë e gjithanshëm, duke i dhënë përfundimisht një trajtë të merituar artistike 

Pozita e subjektit lirik del e qartë, e theksuar, veçmas për arsye se kjo poezi, siç kemi theksuar, me objektin e vet vendosa raporte emocionale, aq sa meditative e soditëse. Po kështu, edhe në procedimin me figuracionin, me simbolet dhe metaforat, përgjithësisht me shprehjen poetike manifestohet individualiteti i subjektit lirik.

Edhe poezitë përkushtimore zënë vend meritor në botën letrare të autores. Se autorja Maçi Keci, është poete e idealit, e përkushtimit, e  tokës dhe i njeriut të tij, të cilët i do me fuqi të papërmbajtur, dëshmojnë edhe poezitë,  si  Janari i Skënderbeut, Dielli i jetës sime, Mbesës sime, Porosi për Shën Valentin, Nënës, Atë Gjergj Fishtës, Prenkë Calit, Ti je poezi,

Frymëzim, homazh REKUEM. Në kujtim të bashkëqytetarit tim, poetit, Ndoc Gjetja, Birit tim etj.:

Të dua aq shumë sa me fjalë nuk thuhet. 
Të të krahasoj me universin, më ngjan fare pak.
Të dua më shumë se veten e kjo mund të duket,
Se ti nuk më le të fikem, më trashëgon traditë e gjak. 
Për ty edhe zemra nuk do të më dhimbsej në këtë jetë.
Më duket me kaq ngjyra se të kam ty si dhuratë.
Një tufë ëndrrash  që kam për ty dua të bëhen realitet,
Se të kam më të shtrenjtë, të kam flakadan.... 
Poezia, Birit tim, fq.112. 

Lidhja shpirtërore me vendlindjen dhe shumëçka që që rrethon këtë trual të lashtë që prek thellësitë e shekujve. 
Krijuesja Keçi Maçi,  është i lidhur pashkëputshmërisht me truallin e saj, vendlindjen e saj, Lezhën, sepse ky truall i jep qetësinë e artë, kurse poetja ëndrrën për një të ardhme më të mirë dhe të ndritur. Duke qenë kështu i lidhur me  njeriun dhe tokën e vet dhe duke i dashur ato me shumë dashuri, është e natyrshme që të jetë krenare.  me të kaluarën e tyre dhe ta të ëndërrojë për të ardhmen e tyre. 

Krijuesja Maçi Keçi pra sjell vegime të vendlindjes së vet, na e sjell historinë në ato hapësira, fëmijërinë,  humanizmin njerëzor, detin blu, fusha e gjera e të blerta, malet, qiellin e kaltër,  zogjtë, fluturat, gurët shekullor, “sikur na flasin legjendat” etj., etj. Lidhshmëria e këtij subjekti poetik me vendlindjen  e vet është substanciale. Ajo është e barabartë me lirinë e qenies dhe te ekzistencës; ajo do të thotë sendërtim i këtij subjekti poetik: 

Desha t’i shkruaja disa vargje, një poezi,
Për qytetin tim,  ku jam lind e rritë n mirësi, 
E ngjeva penën në një burim zanash,
Për ty Lezha ime, më e madhja dashuri!
Emocionohem, përballem vërtet shumë,
Kur shoh Drinin që rrjedh në  qetësi i dëlirë...
Detin blu, fushat e gjera, të blerta pa fund. 
Malet qarkuar si kurorë, njerëzit e tu të mirë!
Në qiellin e kaltër, zogjtë  e lirë fluturojnë,
Ja me yjet e zjarrtë, ndriçojnë Sirenat..., 
Në ajrin fluid pëllumbat fluturat vazhdojnë,
Nga gurët shekullorë sikur na flasin legjendat. 
Poezia, Qytetit tim... Lezhës, fq. 80. 

Në këtë libër hasim edhe poezi të tjera lirike të realizuara në nivel mjaft të lartë artistik, pra janë poezi që veçohen  për gjerësinë dhe madhështinë tematike, shumëllojshmërinë motivore-ideore, për barasvlerën e arritshmërisë realizuese, për komunikim të hapur me nëntekst jo fort të hermetizuar, për preokupimet të shfaqura  nga shumë lëmenj të jetës që e preokupojnë autorene. 

Të kësaj natyre janë poezitëm si “Dialog me veten”,  Ritual jete”, “Pranverë e vonuar”, ”Gëzimi i dëborës së parë”, “Bukuria është në shpirt”, “Jeta është një – duaje!”, “Bëhu e fortë Orteda!”, “Ma kthe zemrën përsëri”, “Sikur emrin tënd”, “Sikur emrin tënd të  mbante dashuria”, “Vajza dhe deti” etj. 

Përmbi pisha n’at mal dielli,
Lëshonte rreze se del drita.
Po m’gazmonte fort ai qielli,
M’kapi vapa e n’hije prita...
Si sorkadhe butë më erdhe,
Shtati ynë  si lis me gjemba,
Bash si bora, lule shege.
Kur të pashëm sa s’më doli zemra!
N”breg të detit pas të shkova,
Një nga një rrobat i zhveshe,
Kur të pashë, si nuk shkallova,
Si sirena mbi det u derdhe.
Poezia, Vajza dhe deti, fq. 99. 

“Kosova – gjaku që nuk falet“ për  poeten... 

Kosova dhe fati i saj për shumë shekuj e okupuar nga regjimi serbosllav, është pjesë e pandarë e frymëzimit të krijueses Maçi Keçi. Kosova për autoren është “gjaku i saj që nuk falet”. Poetja i këndon poetikisht Kosovës dhe dheut të saj, shpalos dhimbjen e këtij populli bashkë me esencat e tij tragjike, janë ato gjurmë figurative,  gjurmë jete, plagët të shpirtit dhe drama trazime, balada e kalvare poetike jetësore drejt idealeve dhe lirisë, po ajo shkurtësi lapidare e vargut… 

Kosovë, shumë liri kërkove nëpër vite

Për të ndrequr me të shkuarën padrejtësitë!

Djemtë azganë me frymën e Boletinit i rritë,
Gjakpirësit për t’i shporrur  nga vatrat një ditë.
Kurrë s’u gjunjëzove, moj trimëreshë.
Lavdi Adem Jasharit dhe të tjerë bijve!
Me  penë e me jetë të çliruam, moj sokoleshë!
Në palë të flamurit mbeti gjaku i trimave…
Poezia, Për ty, Kosovë!, fq. 42.

Poezia e kësaj krijueseje të talentuar nuk reshti në vite dhe nuk u fashit kurrë, veçse u rrit dhe prore u pasurua. Veçanërisht mbresëlënëse janë  edhe poezitë e dashurisë, tepër njerëzore dhe të kthjellëta, një cikël unikal. Stili i poetes Maçi Keçi është një estetikë e prekshme, larg abstraksionit shterp. Ky lirizëm bën pjesë në botën meditative. Konkretja modelon simbolikën.

Bota poetike e autores Maçi Keqi është e larushme dhe me një natyrshmëri të thellë poetike. 
Krijuesja Maçi Keçi, është poet kryesisht i prirjeve lirike dhe preokupimesh e meditimesh. Prandaj, në mesin e krijuesve tanë të tjerë bashkëkohës ai shquhet me një botë të pasur ideo-tematike. Thuaja asnjë poezi e tij, asnjë varg i tij, nuk vë në dilemë përcaktimin e kuptimeve, domethënieve e mesazheve. 

Fjala poetike e këtij krijuesi, duke pasur mundësinë e depërtimit edhe jashtë   jetës thjesht letrare, ia shton vetes mundësinë për një vend dhe funksion tepër të qëndrueshëm në shoqëri.

Prandaj, poezia e autores Maçi Keçi  është një poezi me një ndjeshmëri të thellë poetike,  e cila ngërthen në vete porosi dhe mesazhe dimensionale. 

Poezia e kësaj autoreje lexohet më ëndje dhe lë përshtypje të  thella e mbresëlënëse. 

Autores së këtij libri, Gjelina Maci Keci i uroj suksese dhe mbarësi në librat të tjerë që presim ta shohin dritën e botimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat