Evropa kreative që “diskriminon”

Kultura

Evropa kreative që “diskriminon”

Më: 26 janar 2022 Në ora: 16:14
Ilustrim

Në kuadër të Ministrisë për Kulturë në RMV funksionon edhe sektori “Evropa kreative” me një nënprogram kulturor që mëton promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor si dhe të trashëgimisë kulturore, përforcimi i aktiviteteve konkurruese të sektorëve kulturore e kreative si dhe të sektorit audioviziv.

Qëllimi i këtij Programi në kuadër të BE-së (me një buxhet prej rreth 1 miliard e 500 milionë euro), është të krijojë mundësi përkrahje të bashkëpunimit transnacional ndërkulturor dhe të sektorëve kreative si dhe të sektorit audioviziv, të promovojë artikulimin transnacional, të përforcojë politikat zhvillimore, të stimulojë kreativitetin, inovacionin, si dhe ta ndihmojë zhvillimin e biznes-modeleve të reja!

Gjithsesi, gjithandej botës, pra, edhe në RMV, prioriteti transversal i këtij Programi është zhvillimi i publikut! Shtrohet pyetja: zhvillimi i cilit publik! Vetëm i publikut maqedonas? A nuk është ky një diskriminim evropian kundër shqiptarëve që shprehet në sferën e kulturës! Sa kanë qenë të kujdesshëm organizmat evropianë që në këtë program të përfshihet edhe një publik goxha i madh që ka kulturë dhe gjuhë krejtësisht tjetër nga ai i maqedonasve! Sa bëri dhe sa ndihmoi që me Program ta informojë edhe shqiptarin e Maqedonisë me kulturë, me krijimtarinë, me inovacionet dhe modelet artistike nga shtetet e ndryshme evropiane! Sa i përfshiu në këtë Program shoqatat dhe krijuesit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut! Sa i përfshiu në prezantimin e krijuesve shqiptarë para komuniteteve të ndryshme evropiane dhe anasjelltas? A kanë rënë nën influencën e politikave johumane maqedonase, malazeze, serbe, “sektorë” të ndryshëm evropianë, duke i përjashtuar shqiptarët e viseve të tyre etnike me arsyetimin se ky Program mund të shtrihet edhe në Kosovë dhe Shqipëri! A do të thotë kjo se shqiptarët e viseve etnike, jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të pushojnë së zhvilluari kulturë, meqë për këtë punë qenka Kosova dhe Shqipëria?

Dhe, krijohet përshtypja se qëllimi i këtij Programi ka karakter dedikues, të cilin mund ta shijojnë ekskluzivisht shtëpitë botuese, trupat teatrale, shoqatat krijuese maqedonase si dhe, mbi të gjitha, publiku maqedonas! Po komuniteti kreativ shqiptar në Maqedoninë e Veriut?

Le të analizojmë pak aktivitetin e përkthimit letrar të paraparë sipas Programit kuadër të “Evropës Kreative”! Ky Program është përmbyllur me 31 projekte, për të cilët janë ndarë EU-grante në vlerë prej mbi 1 milion e 600 mijë euro. Sipas emrave të aplikuesve, me gjasë të drejtën ekskluzive për konkurrim e kanë pasur shtëpitë botuese maqedonase, prej të cilave gjashtë projekte i ndahen ShB “Antolog” që “rrëmben” rreth 400 mijë euro, ShB “Tri” me pesë projekte në vlerë prej rreth 300 mijë euro, ShB “Bata Pres” me tri projekte në vlerë prej rreth 140 mijë euro, “Pablisher” me 3 projekte ka “rrëmbyer” rreth 154 mijë euro, “Magor” me dy projekte në vlerë rreth 100 mijë euro, “Ili-Ili” me dy projekte në vlerë prej rreth 85 mijë euro etj.! Pra, vetëm këto pesë shtëpi botuese, nga buxheti i paraparë për veprimtarinë e përkthimit të letërsisë nga gjuhët e ndryshme evropiane në gjuhën maqedonase, kanë marrë mbi 1 milion e dyqind mijë euro!

Janë përkthyer qindra vepra, askush pa mbajtur llogari as mbi cilësinë e përkthimit dhe as mbi kontratat me përkthyesit! Askush nuk e tha asnjë fjalë për “zyrat e përkthimit letrar” që mbinë si kërpudhat pas shiut e që ofronin përkthime prej dy-tre eurove në faqe, ndonëse standardet evropiane për një faqe përkthimi janë të paktën nja dhjetë herë më të larta se sa që i ofronin këto “shtëpi botuese”! Askush nuk vërejti se si shtëpitë botuese shqiptare privohen nga “e drejta evropiane”për ta pasuruar katalogun e botimeve të tyre edhe me shkrimtarë e vepra të përkthyera dhe të botuara nga gjuhët e ndryshme evropiane në gjuhën shqipe.

Gjithë ky investim evropian me qëllim që shqiptarët e Maqedonisë të ndjehen inferior e të përjashtuar, apo, thjesht, dikush “ua luajti lojën” evropianëve! “Evropa kreative” me Programin kuadër, në të cilën nuk i përfshinë krijuesit shqiptarë si dhe gjuhën shqipe që është zyrtare në RMV, mjerisht, na del jo e sinqertë, favorizuese për politikat diskredituese në këtë shtet që nuk kanë të mbaruar. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat